Në fokus

February 15, 2019 | 11:51

Nga Ilir Çumani / Piskama ulëritëse e një nëne në “Koha për t’u zgjuar”: “Jetoj në ferr prej 12-vjetësh”

 

Në përgjumjen e orëve të para të agut të djeshëm, teleshikuesit e televizionit “News 24”, përjetuan tmerrin e një piskame ulëritëse të një nëne në mjerim. Ajo, duke bërë publike shqetësimin që kishte, ndjehej e tëra në panik, e lodhur, e pafuqishme, e pashpresë, e pushtuar në lot, ngashërima e vuajtje. E pamundur për t’ia dalë mbanë halleve të shumta dhe vështirësive të jetës. Dukej haptazi se e kishte humbur betejën me jetën, e tashmë i ishte dorëzuar fatit…

Ilir Çumani

Ilir Çumani

Në emisionin mbarëpopullor “Koha për t’u zgjuar”, e moderatorit Bashkim Hoxha, ajo nënë e dëshpëruar, përmes dhimbjeve e lotëve që e pengonin të ishte e kthjellët për tu shprehur më qartë, bënte apel për cilindo që kishte mundësi, kërkonte modestisht fare pak: një ndihmë për 3 të vegjlit e saj që i rriste e vetme. Gruaja mjerane nga fshati Kallm e Vogël në rrethin e Fierit, në ato pak sekonda, rrëfeu për emisionin kalvarin e gjatë e të mundimshëm të një ferri të vërtetë e të frikshëm, e cila prej  12 vjetësh jetonte në një strehë të rrënuar, pa drita, në terrin e errësirës, pa ngrohje, me tavan të rrëzuar e të mbushur me merimanga. Ajo nuk kishte mundësi ti ushqente as me bukë thatë të vegjlit e saj, të cilët kishin kohë që nuk e frekuentonin shkollën, ngase atyre u binte të fikët në klasë nga të pangrënët.

Kaq mundi të belbëzonte e mjera nënë, e pastaj vringthi u shkëput e përhumbur nga telefonata me gazetarin e njohur, duke lënë pas në heshtje peshën e dhimbjes njerëzore tek të gjithë ata që e dëgjuan dhe u bënë dëshmitar të asaj piskame ulëritëse. Ajo klithmë e së gjorës, vinte si një buçimë e frikshme pa ditur se nga, dhe dukej se bashkohej me dhjetëra e qindra-mijëra ulërima e klithma nënash e baballarësh, të rropatur dhe të uritur, të dëshpëruar e të kapur peng nga makthi i pasigurisë për të sotmen dhe të nesërmen. E gjithë kjo skenë lebetitëse sokratiane që vjen si një kumt qysh nga koha e antikitetit, duket se edhe sot është aktuale dhe shfaqet haptazi si një akuzë e rëndë kundrejt atyre që na keqqeverisin, kundër një klase të tërë politike e degraduar deri në palcë, e pamoralshme dhe e pandjeshme, e cila, duke i konsideruar njerëzit si kavie eksperimentale, e ka katandisur këtë vend deri në këtë cak… 

Në fakt, situata e djeshme për rastin në fjalë, nuk do të kishte qenë shkaku për ta evidentuar veçmas në këto rreshta për lexuesin, pasi siç dihet, këto drama njerëzore tashmë janë bërë krejt të zakonshme në jetën tonë të përditshme. Ato dëshmojnë qartë tablonë dëshpëruese e të pashpresë, shkallën ekstreme të varfërisë në të cilën ndodhet sot një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare. 

Por, ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se si moderatori i emisionit Bashkim Hoxha reagoi me një ndjeshmëri të lartë njerëzore e profesionale ndaj atij rasti në bashkëbisedimin e radhës me një tjetër telefonues, i cili, pas kësaj situate befasuese, e nisi komunikimin e tij me sharje e fyerje për X politikan opozitar, dhe nga ana tjetër, vlerësonte e mburrte Y politikan të krahut tjetër në pushtet. Telefonuesi, vazhdonte në të tijën dhe ishte përfshirë i tëri në debatin për politikën e ditës, dhe kjo e nxiti gazetarin të ndërhyjë duke i kujtuar bashkëbiseduesit se, a nuk do të ishte më mirë që të largoheshin nga ky debat shpesh herë i panevojshëm politik dhe të solidarizohemi të gjithë së bashku me lotët e asaj nëne që apelonte për ndihmë …!? 

Lutja e gazetarit, që në thelb shprehte përgjegjësinë qytetare, ndjenjën prindërore, solidaritetin edhe aspektin human, por edhe profesionalizëm, u duk fare qartë se nuk i bëri aspak përshtypje telefonuesit për të ndërruar mëndje… Përkundrazi! Në rrëmujën e sharjeve dhe fjalëve fyese që telefonuesi përdori në adresë të politikanëve që i kishte targetuar, ai nuk nguroi të përfshinte dhe sulmonte edhe nënën fatkeqe e cila apelonte për ndihmë. Kjo, e revoltoi pa masë drejtuesin e emisionit, i cili me të drejtë ia mbylli telefonin duke iu drejtuar me fjalët: “….Nuk e kuptoj këtë egërsi, këtë ashpërsi….!!!”

Nuk do të dëshiroja të ndalesha më gjatë për të analizuar reagimin qytetar, gjestin njerëzor dhe të admirueshëm të gazetarit të njohur. Sikundërse, as atë të telefonuesit, që në fakt, të bën të ndjehesh keq kur sheh se shoqëria jonë ka ende rrugë të gjatë për të bërë në emancipimin e vetvetes, për të promovuar dhe forcuar mekanizmat e vullnetarizmit dhe solidaritetit njerëzor, të mbrojtjes dhe fuqizimit të familjeve në nevojë. Duke marrë shkas nga ky rast, do të theksoja faktin se, situata e vështirë që po kalon vendi, klima e nxehtë politike në këtë dimër të ftohtë, nuk mund të sjellë asgjë të dobishme për qytetarët që presin zgjidhje të shumë çështjeve të rëndësishme siç është edhe lufta kundër varfërisë. 

Kjo tregon se sa keq politika ndikon dhe ka hyrë në jetët tona, e cila, interferon negativisht përmes konfliktualitetit dhe gjuhës së urrejtjes, luftës së pandershme dhe etjes për pushtet, me anë të së cilës ka mundur të manipuloj dhe të përçaj qytetarët e këtij vendi. Politika dhe politikanët tanë, në mënyrë të rafinuar e kanë parcelizuar të gjithë shoqërinë, e kanë dehumanizuar edhe më shumë atë, për ta mbajtur peng edhe për shumë kohë. Kjo bënë që të mos jemi të kthjellët, të mos shohim me objektivitet realitetin ku jetojmë, të ardhmen dhe perspektivën tonë të përbashkët. 

Për sa kohë njerëzit do të jenë të ndarë në ithtarë e idhujtarë të politikanëve të pandershëm, për aq kohë varfëria dhe mjerimi si një epidemi masive do të bëjë kërdinë e ulur këmbëkryq në mes nesh, në vatrat tona. Të humbur do të jenë njerëzit e thjeshtë, por të fituar do të mbeten përgjithmonë ata, shkaktarët e vërtetë të dramës dhe vuajtjeve njerëzore të një populli të tërë…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top