Në fokus

April 19, 2017 | 11:36

Nga Imo Alikaj / Fëmijët e sotëm nuk dinë të luajnë

Kudo ku diskutohet për fëmijët në ditët e sotme, diskutimi vishet me cilësimin dhe përcaktimin “fëmijët e këtij brezi…” apo akoma më keq “ky brezi i sotëm…”. Dhe nuk mbetet me kaq, por diskutimi mbi “këtë brezin e sotëm…” vazhdon duke u veshur me tone revolte, me tone zhgënjimi, zemërimi, inati dhe madje, me hipokrizinë më të madhe, guxohet t’i veshin bisedës edhe disa tone keqardhjeje. I vendosin vazhdimisht fëmijët në një tabelë qitjeje dhe kush e kush të shënojë më shumë në këtë tabelë.

Imo Alikaj     Psikologe klinike Terapiste ABA Terapiste EMDR niv.1 Animatore sociale

Imo Alikaj
Psikologe klinike
Terapiste ABA
Terapiste EMDR niv.1
Animatore sociale

Dikush ankohet se ky brez nuk di të luajë, nuk di të komunikojë, di të përdorë vetëm elektronikën, kërkon vetëm gjëra të shtrenjta, nuk i ndahet telefonit, tabletës apo kompjuterit, nuk i hyn në sy lojë tjetër përveç lojërave online, nuk mëson… dhe ka kaq shumë gjëra që “ky brez” nuk di të bëjë ose ka kaq shumë gjëra të kota dhe të pavlera tek të cilat është fokusuar, saqë diskutimi nuk ka të sosur dhe vazhdon e vazhdon aq sa shpeshherë duket se, krahasimi i “fëmijëve dikur” me “fëmijët sot” lëshon një lloj vetëkënaqësie të pashpjegueshme. Të gjithë pjesëtarëve të diskutimit u valëvitet mbi buzë një zemërim fëmijnor, i cili shpeshherë duket se prodhon një eufori egoiste. Eufori që shpaloset me një lloj buzëqeshje të habitur; a thua se kanë bërë një zbulim jetik “fëmijët e sotëm nuk dinë të luajnë”.

Dhe në fakt e harrojnë PSE-në…

femijet-dhe-kompjuteri-1

Është normale që fëmija 2 vjeç do qajë i zemëruar për telefonin e mamit, sepse është e para “lodër” që ka parë në duart e saj kur ajo i bënte foto që disaditëshe (duke mos e zënë këtu foton e parë në ditën e lindjes). Është normale që fëmija nuk do luajë më me dhjetëra lodra që ka në shtëpi, sepse ai e di shumë mirë që e qara e radhës do i sjell në shtëpi një lodër të re. Është normale që fëmijët nuk do luajnë më me lodrat që prindërit i kanë blerë sepse ata nuk janë makina që të luajnë vetëm në një cep sa herë ju jeni shumë të zënë me punë apo vini shumë të lodhur nga puna. Është normale që do mbyllen dhe do izolohen në lojërat online, sepse prindërit nuk i lejojnë të luajnë në lagje, sepse aty nuk ka park lojërash, nuk ka hapësirë për të luajtur, kalojnë shumë makina dhe se është i pasigurt.

kopsht

Përpara se të gjykoni “këtë brez që nuk di të luajë”, kujtohuni çfarë i kemi bërë ne të gjithë bashkë këtij brezi. Nga dëshira për t’i mbrojtur nga rreziku që kanoset poshtë pallatit, në lagje, në komunitetin e panjohur, nga lodhja apo streset e punës, i kemi izoluar brenda katër mureve dhe me gojën tonë u kemi thënë “këtu ke gjithçka të nevojitet”.

A e kanë vërtet?

Mos u mjaftoni me analizën apo kritikën që u bëni fëmijëve. Disa prej jush që po e lexoni këtë shkrim, jam e sigurt që po thoni “unë nuk e kam gjykuar kaq keq, unë i di fajet e mia”.

Jam e sigurt që i dini, por unë guxoj t’ju pyes përsëri, çfarë keni bërë më tej?

A keni mundur t’ia riktheni lirinë fëmijës tuaj? Apo vazhdoni ende të keni frikë nga mikrobet? Papastërtitë në rroba? Shokët dhe shoqet e lagjes? Të panjohurit? Makinat?

Të dashur prindër dhe “ju” që e gjykoni kaq ashpër dhe me kënaqësi “këtë brezin e sotëm”, ne të gjithë së bashku mund t’i mësojmë fëmijët të luajnë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top