Edhe pse nuk pritet që një prind i një fëmije me autizëm të bëhet një ekspert për trajtimin e fëmijës së tij, shumë shpejt ata e kuptojnë se sa të nevojshme e kanë të kuptojnë si autizmi ndikon fëmijën e tyre. Kjo vlen për shumicën e prindërve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta.
Ju e njihni fëmijën tuaj që nga lindja, ju jeni mësuesi i parë i fëmijës tuaj, do të jeni gjithmonë me të, dhe ju jeni personi përgjegjës për interesat e tij ose të saj më të mira. Ofruesit e shërbimeve, duke përfshirë edukatorët dhe terapistët, vijnë dhe shkojnë në jetën e fëmijës tuaj.
Ndërsa atyre u takon të jenë më të specializuar në lidhje me një fushë specifike, ju si prind, ju takon të keni një njohuri më gjithëpërfshirëse të fëmijës suaj dhe problematikës së tij. Në mënyrë të tillë që të mund ta ndihmoni përtej terapisë, sepse fëmijët me autizëm kanë nevojë për orë të gjata terapie.
Ju keni mundësi që në mënyrë natyrale, në shtëpi, ta ndihmoni atë, ta kuptoni, por në të njëjtën kohë duke pasur informacionin që ju nevojitet, do të dini dhe do të mundeni të zgjidhni shërbimin më të mirë për fëmijën tuaj; do të rekrutoni njerëzit/ profesionistët që diagnostikojnë, vlerësojnë dhe zhvillojnë programe për të inkurajuar komunikim më të mirë, për të rritur aftësitë sociale dhe të lehtësojë pjesëmarrjen në komunitet.
Shtëpia është një mjedis i pasur për të nxitur aftësitë jetësore, si dhe aftësitë sociale që sigurojnë pjesëmarrjen në një komunitet më të madh. Me vëmendje dhe praktikë, prindërit mund të ndihmojnë për të siguruar që fëmija i tyre ka mundësi për të marrë dhe përsosur aftësitë që fitohen nëpërmjet terapisë intensive.
Detyra të përditshme të tilla si: marrja e mbeturinave, pastrimi i dhomës, vendosja e enëve në pjatalarëse, mësimi i përdorimit të një rondele dhe tharëse, shtrimi i tryezës, larja e dritareve, prerja e barit, janë të gjitha punët që duhet të bëhen, sigurisht në varësi të moshës.
Si mund të bëheni ekspert më i mirë për fëmijën tuaj?
- Mendoni për historinë e fëmijës suaj. Nëse nuk keni një rekord të tij ose të saj të momenteve zhvillimore, mendoni për atë që mbani mend dhe shënojini. Konsiderojeni atë që patë në sjelljen e fëmijës suaj, që ju bëri të kërkoni një vlerësim dhe diagnozë për të.
- Lexoni raportin e vlerësimit të fëmijës suaj dhe punoni për ta kuptuar atë. Nëse keni paqartësi, bëjani pyetjet tuaja vlerësuesit të fëmijës.
- Lexoni për nevojat e veçanta të fëmijës tuaj në libra, artikuj revistash dhe në faqet e internetit të besueshme. Merrni pjesë në takime dhe trajnime rreth çështjeve lidhur me gjendjen e tij/saj. Konsideroni atë që keni mësuar dhe se si ky informacion ka të bëjë me fëmijën tuaj dhe nevojat e tij ose të saj.
- Mendoni për strategjitë dhe mbështetjet që kanë ndihmuar fëmijën tuaj dhe ato që nuk kanë qenë të suksesshme. Mendoni pse këto mbështetje ishin më efektive për fëmijën tuaj. Përcilleni këtë informacion te edukatorët apo terapistët, sepse është informacion i rëndësishëm për ndërtimin e programit të punës në kopsht apo shkollë.
Bashkëpunimi midis prindërve, terapistëve dhe ekipit të shkollës është thelbësor për të zhvilluar një program individual efektiv. Aftësitë që mësohen në terapi apo shkollë mund të mbështeten nga familja dhe aftësitë që familja po punon mund të praktikohen në shkollë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.