Është delikate të flasësh për prindërimin! Është aq delikate sa një koleg një ditë më tha: “Nuk do ta merrja kurrë përsipër të jepja këshilla për prindërit!” Unë shtanga pas kësaj deklarate, pastaj buzëqesha. Ndoshta buzëqesha për t’u mbrojtur ose ndoshta sepse më bëri të reflektoja. Nuk ekzistojnë këshilla për prindërit, por disa udhëzime të bazuara në fakte empirike dhe të mirëstudiuara, se çfarë do ishte më e pranueshme për mirërritjen e familjes, prindërve dhe fëmijëve. Sepse në një familje nuk rriten vetëm fëmijët, rritet edhe çifti bashkëshortor, por çifti rritet edhe në rolin e prindërve.
Familja, si një sistem, është në rritje, dhe rritja në vetvete ka dinamikat e saj. Çfarë ndodh me fëmijët brenda familjes, ndërkohë që familja është nën përjetimin e dinamikave të shumëllojshme? Fëmijët i përjetojnë gjithashtu, madje mbarëvajtja e tyre është e lidhur drejtpërdrejtë me cilësinë e dinamikave të familjes. Pozitive apo negative qofshin, këto eksperienca lënë gjurmë në emocionalitetin e fëmijëve, edhe pse ndikimi është më i fortë në eksperiencat negative. Një fëmijë që rritet me prindër ku dashuria, qetësia, mirëkuptimi, përkushtimi dhe bashkëpunimi mbizotëron mes tyre, do të rritet i shëndetshëm në çdo parametër të zhvillimit social dhe psikologjik. Por, pavarësisht dëshirës së madhe të prindërve për të qenë prindërit idealë apo prindërit më të mirë të mundshëm për fëmijët e tyre, jeta familjare është kaq dinamike dhe e ngjeshur.
Role të ndryshme mbajnë përsipër detyra të ndryshme, përgjegjësi të ndryshme, por në të njëjtën kohë kanë edhe nevoja të tjera vetjake. Në të njëjtën kohë një nënë është grua, është bashkëshorte, është femër, është motër, shoqe dhe bijë. Njësoj ndodh edhe me babain. Dhe pikërisht për këtë arsye është e lehtë që familja të përfshihet në konflikt. Dhe kur përfshihesh në konflikt është akoma edhe më e lehtë që pavarësisht dëshirës, rrezikon të mos jesh më prindi më i mirë i mundshëm për fëmijën tënd.
Autori amerikan Richard L. Evans thotë se, “Fëmijët nuk do t’ju mbajnë mend për gjërat materiale që u keni ofruar, por për ndjenjat që u keni dhuruar atyre”.
Janë ato ndjenja dhe ndjesi që fëmijët i marrin prej prindërve që kur vijnë bebe në këtë jetë. Kërkojnë prej jush t’u plotësoni nevojat më imediate. Janë të uritur, nëna është ajo që me qumështin e gjirit i ushqen. Janë të zbuluar dhe kanë ftohtë, prindërit i veshin dhe i mbulojnë me rroba të buta që t’i mbajnë ngrohtë. Dridhen sepse kanë frikë nga kjo “pafundësi hapësinore” dhe prindërit i mbështjellin me krahët e tyre për t’u dhënë edhe njëherë sigurinë e placentës.
Sepse kështu janë bebet pra, të pambrojtur dhe kërkojnë kujdes maksimal, për çdo gjë. Vijnë pa mburojë dhe imunitet emocional. Atë e krijojnë dalëngadalë nga pasqyrimi i ndjesive që prindërit i përcjellin në vitet e para të rritjes. Dhe pikërisht, për këtë ata janë lehtësisht të ndjeshëm nga konfliktet e mundshme. Konflikte të cilat mund të jenë bashkëshortore ose konflikte lidhur me prindërimin.
Në të dyja rastet do të ishte mirë që konfliktet të mos bëhen në prani të fëmijëve, për të shmangur rritjen e fëmijëve ankthioz, të pasigurt, të dobët, dyshues, rebel, agresivë, me probleme të shumta me sjelljen, me gjumin, me ushqimin. Por mos krijoni iluzionin se mund “t’i mashtroni” fëmijët se gjithçka është në rregull vetëm se ata nuk ju kanë dëgjuar apo nuk ju kanë parë. Ata e ndjejnë menjëherë energjinë negative mes jush, sepse në një formë apo në një tjetër edhe nëse mundoheni të fshiheni dhe të luani rolin e një çifti bashkëshortësh apo prindërish që vazhdoni të jeni në harmoni, do jetë patjetër diçka që do t’ju tradhtojë përpara fëmijëve; ndoshta intonacioni i zërit kur flisni me njëri-tjetrin, mimika apo gjuha e trupit, ndonjë fjalë e thënë tepër apo ndonjë fjalë që mungon. Fëmijët do ju kuptojnë çdo herë.
Otto von Bismark thotë se fëmijët janë gjykatësit tanë më të mirë, prandaj kursejini vetes figurën e një prindi gënjeshtar, sepse rrezikoni të humbni besimin e fëmijëve tuaj. Gjithmonë tregohuni të sinqertë me ta, edhe kur do ta keni shumë të vështirë.
Mbani gjithmonë parasysh moshën dhe nivelin e zhvillimit të fëmijëve tuaj për të folur mbi atë që ka ndodhur mes jush. Fëmijët shumë të vegjël nuk kanë pse t’i dinë të gjitha detajet dhe nuk do të mund t’i kuptojnë të gjitha situatat, ama do ishte mirë që edhe fëmijëve shumë të vegjël t’u shpjegohet situata konfliktuale me fjalë të thjeshta. P.sh: mund t’i thuhet “babi dhe mami janë pak të mërzitur me njëri-tjetrin”.
Është shumë e rëndësishme që kur të flisni me fëmijën të jenë të dy prindërit për të shpjeguar me fjalë të thjeshta situatën, duke shmangur fjalët negative për njëri-tjetrin apo fajësimet. Fëmija ka nevojë të kuptojë që pavarësisht konfliktit, mami dhe babi e respektojnë njëri-tjetrin dhe janë aty të dy, sepse të dy kujdesen për ndjenjat dhe përjetimet e fëmijës së tyre. Është e domosdoshme gjithashtu që pavarësisht konfliktit bashkëshortor apo edhe lidhur me prindërimin, deri në shuarje apo zgjidhje të konfliktit, të ruhet rutina e fëmijës dhe të tregohet kujdes që të dy prindërit të përfshihen njësoj në aktivitetet që kanë qenë të të treve.
Kështu fëmija merr mesazhin se ai nuk ka faj për atë çfarë ka ndodhur dhe se prindërit vazhdojnë ta duan shumë. Këtë gjë mund t’ia thoni edhe me fjalë të thjeshta ndërkohë që jeni duke i shpjeguar situatën. Sigurohuni që fëmija juaj e ka kuptuar disi, por jo duke e pyetur “A e kuptove që jemi të zënë?” Nxiteni që të kuptojë më shumë duke pyetur për ato çka ende i ka të paqarta. Nxisni gjithashtu shprehjen e ndjesive të fëmijëve tuaj duke i thënë: “Ndoshta je i zemëruar pse ne jemi zënë” apo “Ne e kuptojmë shumë mirë që ti je i mërzitur për zënkën tonë”. Kujdes! Mos e pyesni ose mos e detyroni kurrë fëmijën tuaj të tregojë anën e cilit prind mban. E megjithatë, pavarësisht dëshirës për të qenë prindër idealë, jeta e ngjeshur familjare me detyra dhe me përgjegjësi të shumta dhe njëkohësisht me kohë të kufizuar për shkak të angazhimeve të tjera, bën që ndonjëherë konfliktet të ndodhin aty, në prani të fëmijëve.
Nëse nuk do mund të ndaloni këtë gjë, atëherë bëni kujdes me fjalët që do t’i thoni partnerit, kurrsesi nuk duhet të jenë fyese apo fajësuese. Do ishte mirë të mos bërtisni, por të përdorni një ton të ulët, duke zhvilluar kështu një diskutim konstruktiv dhe sa më shpejt të mundeni ta ndaloni konfliktin për ta zhvendosur në një moment të dytë dhe në një vend më të përshtatshëm, larg fëmijëve. Fëmijët kanë nevojë të ndihen të sigurt pranë jush, gjithmonë!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.