Kur lind një bebe, lindin edhe shumë gjëra të tjera bashkë me të. Gjëra, që të tjerë të afërt ua kishin thënë gjatë pritjes së ëmbël. Gjëra, që sa herë i dëgjonit rrahjet e zemrës tek ai aparati te klinika, fillonit t’i imagjinonit. Por asnjëherë nuk i kishit ndjerë dhe nuk i kishit kuptuar që ato do të vinin kështu, menjëherë, dhe ju do të ishit kaq të papërgatitur. Nuk e kishit menduar që ato bisedat e gjata, ëndrrat e thurura, planet e kopsitura kaq mirë, nuk do t’ju shërbenin fare, për asgjë. Nuk e kishit menduar që do t’ju dridheshin duart. Nuk e kishit menduar që do të dallonit atë frikën në sytë e partnerit tuaj. Madje, në ditën e parë ju duket sikur as që e keni ditur që do bëheshit tre.
Po ja që u bëtë tre, vërtet! Dhe është kaq e çuditshme për ju ndjesia e të qenit tre! Nuk jeni më vetëm burrë dhe grua, por në të njëjtën kohë, nënë edhe baba. Kjo është konfuze. Kohën që kishit për tjetrin duhet ta ndani në dy pjesë. Tregohuni të kujdesshëm ta ndani në dy pjesë, qoftë këto edhe pjesë jo të barabarta. Sepse nuk mund të jeni vetëm prind, ashtu siç edhe nuk mund të jeni vetëm partner! Tregohuni vigjilent të mos humbni në rolin e ri. Rigjeni veten dhe tjetrin! Nevoja për gjysmën tuaj duhet ushqyer.
Papritur kuptoni që nata nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh nga dita. Ndoshta do të jetë njësoj e zhurmshme apo ndoshta më shumë. Do të pyesni veten si t’ia bëni që të flini qoftë dy orë pa i hapur sytë?! Do jetë e lodhshme, por mos u dorëzoni! Mund të ndihmoni njëri-tjetrin. “Prindëroni me turne” gjatë natës, kështu do të mund të flini me radhë. Ajo palltoja apo ato këpucë që i pëlqeni kaq shumë do të mbeten në raft për ditë të tëra. Ndoshta për t’ju kalitur durimin dhe për t’ju stërvitur mirë në menaxhimin e të hollave. “Çfarë është nevojë për t’u blerë?” Dhe pastaj… “çfarë mbetet për dëshirat dhe qejfet tona…”
Nga dita në ditë do e shihni veten si vraponi pas biberonit, ujit të ngrohtë, shampos së bebit, batanijes dhe peshqirit të butë, kremit, bebelinos, qumështit, ninullave dhe ufff… më në fund bebi fjeti, dhe kur bebi fle, mbetet gjithë rrëmuja e shkaktuar nga ai. Aty kupton vërtet se sa shumë gjëra janë vetëm për të në atë shtëpi dhe sa është zvogëluar hapësira juaj personale. Do të kuptoni që ndoshta, atë ditë nuk i keni kushtuar së paku dhjetë minuta vetes, sepse keni qenë gjithë sy e vesh për përkujdesjen e bebit tuaj.
Kur bebi të flejë, rivendosni ekuilibrat, duke marrë pak kohë për veten tuaj. Flini gjumë, shikoni një film që ju pëlqen, kujdesuni për pamjen tuaj, dilni shëtitje, shkoni në dyqan, takoni një shoqe apo gjithçka tjetër që i përket jetës suaj para se të bëheshit prind. Nuk është gabim apo mëkat të lini bebin me gjyshërit e tij për të marrë pak kohë për veten tuaj, është nevojë.
Po, është e vërtet! Ardhja e një fëmijë në familje është një rrugëtim i gjatë, në të cilin ju duhet të dini të ndryshoni dhe të njihni identitetin tuaj të ri në çift, nëse doni të vazhdoni jetën tuaj së bashku dhe në mënyrë interesante. Kështu do t’i përmblidhte psikanalisti francez Gerard Bonnet gjithë sakrificat tuaja si prindër të rinj!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.