Çrregullimi i Spektrit të Autizmit është një gjendje komplekse neurobiologjike që ndikon në zhvillimin e trurit dhe prek marrëdhëniet sociale, komunikimin, interesat dhe sjelljen. Simptomat dhe karakteristikat shfaqen në forma dhe kombinime të ndryshme, prandaj kemi të bëjmë me shkallë të ndryshme të prekjes së autizmit. Studimet kanë dalë në përfundimin se autizmi prek një në 68 fëmijë. Shfaqet herët në jetë, përpara moshës 3 vjeç dhe 4/5 herë më shumë te djemtë se te vajzat.
Sipas DSM-5 çrregullimi i spektrit të autizmit konsiston në deficite të qëndrueshme në komunikimin dhe ndërveprimin social përgjatë konteksteve të shumëfishta. Disa nga kriteret e diagnostikimit të autizmit sipas DSM-5 janë:
- Deficite sociale – emocionale: paaftësi në ndërtimin e një bisede, mungesë e interesit, afektit dhe emocioneve në raport me të tjerët.
- Deficite në komunikimin joverbal: nivel i ulët i integritetit në komunikimin verbal dhe joverbal.
- Deficite në zhvillimin, ruajtjen dhe kuptimin e marrëdhënieve: vështirësi në ndërtimin e lojërave dhe zhvillimin e tyre.
- Stereotipi ose përsëritje të lëvizjeve motorike; përdorimi i objekteve apo fjalëve në mënyrë të vazhdueshme.
- Këmbëngulja në mbajtjen e gjërave konstante; mungesë fleksibiliteti në ndryshimin e rutinës.
- Hiperndjeshmëri ose mungesë totale e ndjeshmërisë ndaj stimujve të ambientit.
Diagnostikimi i fëmijëve me autizëm bëhet vetëm nga profesionistë të shëndetit mendor. Duhet treguar kujdes dhe vëmendje e veçantë për të marrë shërbimin e nevojshëm, por profesional. Diagnozat vendosen nga mjekë pediatër apo mjekë neuropsikiatër me eksperiencë në të punuarin me fëmijët me autizëm, kur fëmija është 3 vjeç.
E megjithatë, prindërit duhet të tregohen të vëmendshëm për zhvillimin e fëmijëve të tyre, sepse janë evidentuar disa shenja më të hershme për ta kapur edhe më herët çrregullimin e spektrit të autizmit.
Shenjat më të hershme që janë treguese të një autizmi të mundshëm, shfaqen gjithashtu në 3 fushat kryesore, si më poshtë:
- Dëmtim i ndërveprimit social
- Mungesë e kontaktit me sy
- Mungesa e kthimit të buzëqeshjes ose shprehjeve të tjera të gëzueshme kur fëmija është 6-muajsh
- Mungesa e shprehjes së interesit dhe kënaqësisë
- Mungesa e përgjigjes ndaj emrit
- Dëmtim në komunikim
- Nuk u përgjigjet tingujve, buzëqeshjeve ose shprehjeve të tjera faciale kur është 9-muajsh
- Nuk përdor gjeste të të treguarit si për shembull: të tregojë me gisht apo të kërkojë të arrijë atë që dëshiron kur është 12-muajsh
- Mos koordinim në komunikimin jo verbal
- Nuk belbëzon 12-muajsh
- E folur e pazakontë, në intonacion, në ritëm, në cilësi të zërit
- Sjellje përsëritëse
- Lëvizje të përsëritura me objektet
- Lëvizje ose pozicione të përsëritura të trupit, krahëve, duarve dhe gishtave
Nëse evidentohen këto shenja që në moshat përkatëse, do të ishte optimale fillimi i terapisë intensive për fëmijët. Ndërhyrja e hershme i ndihmon fëmijët me autizëm të zhvillojnë aftësi dhe të komunikojnë në mënyrë efektive.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.