Mirëqenie

June 5, 2019 | 8:51

Nga Isida Lalaj / Efekti kurativ diell-det

Vera është stina e plazhit dhe mund të themi se ekzistojnë shumë arsye të rëndësishme për t’i dërguar fëmijët tuaj në det. Sigurisht që për ato familje që jetojnë larg vendeve bregdetare, kjo do të kërkojë organizimin e një udhëtimi të vërtetë, çadra, veshjet, peshqirët, lodrat, ushqimet e fëmijës, termusi etj.

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Mund t’ju themi se nuk ka fëmijë që nuk e pëlqen plazhin dhe këtë e konfirmojnë edhe disa studime. Ato tregojnë se të mësosh fëmijën të dojë natyrën dhe të kalojë shumë kohë në hapësirën jashtë shtëpisë, si për shembull në plazh, i drejton ata drejt një jete më të shëndetshme dhe me më pak rrezik për obezitet.

Me afrimin e stinës së verës, ju duhet të merrni në konsideratë të shkuarin në plazh edhe nëse keni një fëmijë të vogël, sigurisht duke ndjekur të gjitha rregullat e sigurisë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse sjell një sërë përfitimesh për fëmijën.

Cilat janë efektet kurative aq të rëndësishme dhe aq të shëndetshme që fëmijët tuaj përfitojnë nga deti dhe dielli?

Vitamina D është një vitaminë shumë e rëndësishme, të cilën trupi i fëmijës e sintetizon nëpërmjet lëkurës, kjo falë ekspozimit në diell. Do të mjaftonin 15- 20 minuta në ditë, për të paktën 4 ditë në javë dhe nevojat e organizmit do të plotësoheshin me rreth 80% të nevojave ditore për vitaminë D. Roli kryesor i kësaj vitamine është të fiksojë kalciumin në kocka, pra është e rëndësishme për të ruajtur një shëndet të mirë të gjithë organizmit.

Sipas disa studimeve të kryera kohët e fundit, është nxjerrë konkluzioni se vitamina D nuk është e rëndësishme vetëm për kockat por edhe për muskujt, zemrën dhe mushkëritë.

Ajri i detit është i pastër dhe i pasur me kripëra minerale si jodi, kaliumi, magnezi. Është e rëndësishme që fëmija të qëndrojë në breg nëse deti ka dallgë, sepse deti në këtë rast çliron grimca të pasura me këto minerale, të cilat asimilohen më anën e frymëmarrjes. Kjo është një formë aerosoli natyral që ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes, sinuset paranazalë si edhe ndihmojnë fëmijën për të përballuar më mirë sëmundjet e dimrit.

Zhurma e dallgëve të detit e bën fëmijën e vogël të kujtojë sërish jetën brenda barkut të nënës dhe për këtë arsye të ndihet më i qetë dhe të bëjë një gjumë më të mirë. Gjithashtu gjatë një dite të kaluar në det fëmija do të jetë në lëvizje për një pjesë të mirë të ditës. Lëvizjet e shumta në diell dhe ujë do të bëjnë që ai të tregojë më shumë interes për ushqimin. Uji i detit është shumë i pasur më minerale si natriumi, klori, bakri dhe squfuri, të cilat kanë veti anti-bakteriale.

Uji i detit i bën mirë një fëmije që i ka hundët e zëna, kuron ekzemat si edhe ndihmon në qarkullimin e gjakut, gjatë notit, gjë e cila do të mundësojë nivele më të larta të oksigjenit në inde. Plazhi do t’i bëjë ata ta dashurojnë natyrën, e cila do të jetë një oaz mirëqenieje për shëndetin e tyre.

Duke shëtitur në natyrë ata do të kenë më pak shanse për t’u prekur nga obeziteti si edhe do të kenë zakone më të mira së të jetuarit. Favorizon zhvillimin e aftësive motorike të fëmijës, e bën atë të njihet me botën si edhe kontribuon në zhvillimin gjuhësor. Fëmija zhvillohet pikërisht nga shqisa e të prekurit, uji, rëra e ngrohtë dhe e ftohtë, era etj.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top