Me kalimin e viteve, shekulli i 21-të është karakterizuar nga mbingarkesa dhe produktiviteti, thënë ndryshe, nga organizimi i jetës familjare dhe puna. Të krijosh balancën punë–jetë nuk është gjithmonë e lehtë, secila prej tyre kërkon angazhimet e veta dhe kohën e duhur. Fluksi i punës, konkurrenca mes kolegëve dhe ajo në treg, shton egon dhe përgjegjësitë e gjithsecilit në profesionet e tyre.
Ideja e familjes patriarkale, ku mashkulli punon jashtë shtëpisë dhe femra brenda saj thuajse është zbehur totalisht, vështirësitë e mbijetesës, ato ekonomike dhe sociale, kanë bërë që të lindin familje moderne, që do të thotë: mashkulli dhe femra punojnë të dy si brenda dhe jashtë shtëpisë. Edhe pse ekziston një orar i caktuar ditor dhe një sasi e caktuar e orëve gjatë javës në punë, sot njerëzit priren t’i kapërcejnë këto afate për arsye të ndryshme, si për shembull: për arsye ekonomike, për arsye rritjeje në detyrë apo se dëshirojnë më shumë të jenë në ambientet e punës sesa në ambientin familjar. Këto arsye janë relative, por jo vetëm puna ka rëndësi, sepse rëndësia e vërtetë te jeta e çdokujt qëndron pikërisht mbi familjen, mbi një shoqëri të mirë dhe mbi një dashuri pa kushte. Shpeshherë të gjithëve na ka ndodhur të na presin familjarët, miqtë apo partneri për një darkë ose një drekë, për një festë apo gëzim dhe përpara këtyre të kemi vënë angazhimet e punës, me ose pa dëshirë. Me vetëdije ose pavetëdije marrëdhëniet e punës në disa raste i lejojmë që të kenë superioritet ndaj marrëdhënieve familjare, dashurore apo dhe ato shoqërore. Por si mund të vendosim balancën ndërmjet këtyre?
Këshilla për një balancë të mirë punë–jetë:
♦ Caktoni prioritete
♦ Respektoni orarin e punës
♦ Kaloni kohë duke i dhënë rëndësi ndjenjave dhe emocioneve
♦ Merrni disa ditë pushim për t’i kaluar me njerëzit tuaj të zemrës
♦ Mundohuni që fundjavën ta stakoni totalisht nga puna
♦ Fikeni telefonin e punës gjatë ditëve pushim
♦ Kaloni ditët e festave në shtëpi dhe jo në punë
♦ Caktoni një orar për t’ju dedikuar miqve
♦ Nëse jeni prind kushtojini vëmendje fëmijëve të vegjël
Duhet të përpiqemi të gjithë të gjejmë një arsye për t’u shkëputur nga rutina e lodhshme e punës e për t’i dhuruar vetes relaks e kënaqësi. Edhe pse të gjithëve na është limituar koha e lirë, të paktën të na mbledhë mbrëmja për një darkë, film, apo për një çaj të ngrohtë. Pasi të gjithëve do na bëjë më mirë, do flemë më të çlodhur, duke nisur ditën e nesërme më pozitive dhe më optimiste.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.