“Në moshën 25-vjeçare m’u shfaqën simptomat e para të ankthit. Pas shumë e shumë vizitash mjekësore, përfshirë edhe te mjeku im i përgjithshëm, mendova që kishte ardhur koha të shkoja te një specialist. Psikiatri ku shkova nisi të më trajtonte me antidepresivë. U desh ca kohë për të marrë dozën e duhur, por fillova të ndihem më mirë.
Pas disa kohësh, ankthi u përkeqësua përsëri. Pas konsultimit me doktorin, ai m’i shtoi medikamentet, shoqëruar me një raport mjekësor, i cili do më vlente për të marrë leje në punë. Ky ‘trajtim’ zgjati për një periudhë shtatëvjeçare. Herë ndihesha mirë e herë jo. Ankthi rikthehej nganjëherë edhe më i ashpër dhe mjeku më rriste dozën, dhe sa herë doza rritej, më këshillonte disa ditë pushim. E ndjeva veten jo vetëm të shokuar nga gjithë ato medikamente, por edhe të depresuar e të pashpresë. Grushtin e fundit e mora kur mjeku më tha të dal në KEMP.
Në dreq kjo punë! Unë jam vetëm 32 vjeçe. Këtë e mora si një ‘zile alarmi’ që doktori ndezi për mua: atij as i shkonte ndërmend që një ditë do të bëhesha më mirë”.
(rasti i marrë nga libri, “Ankthi: një udhërrëfyes i plotë për ta kontrolluar”)
Sara kërkoi një doktor të ri, i cili e trajtoi me një dozë më të ulët antidepresivësh dhe ndërkohë, i rekomandoi asaj të fillonte psikoterapinë.
Pas tre viteve, Sarës iu rralluan krizat e panikut. Nga një në çdo ditë që i kishte, në një çdo gjashtë muaj. Në fakt, duhet kurajë e madhe të kërkosh ndihmën e një specialisti dhe një punë mjaft e madhe me veten për të ndryshuar mendimet irracionale, të cilat dalëngadalë bëhen pengesë e të përditshmes së një individi.
Çrregullimet e ankthit ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës, por kombinimi i medikamenteve së bashku me psikoterapinë ka treguar se 80% e rasteve janë përmirësuar.
Nga kërkimet shkencore është vërtetuar se, pacientët që vuajnë nga ankthi dhe nuk kanë mbështetjen e familjarëve kanë më tepër mundësi ta ndërpresin trajtimin. Mbështetja nga të afërmit nxit efekshmërinë e trajtimit dhe ndalon përparimin e sëmundjes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.