Në fokus

March 27, 2017 | 10:30

Nga Juliana Dulla / Sjellja seksuale dhe faktorët shpjegues tek adoleshentët

Adoleshenca shikohet si një tranzicion mes pavarësisë dhe vartësisë. Më e rëndësishme si periudhë është përgatitja për të ardhmen e tyre, të rinjve, përmes edukimit, arsimimit dhe këshillimit të menjëhershëm. Sjellja seksuale dhe faktorët shpjegues tek adoleshentët, të rinjtë shqiptarë, vijnë më të shtjelluara sipas perspektivave që ofron fusha e psikologjisë, sociologjisë, filozofisë, historisë dhe ajo e edukimit.

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi

Një fazë delikate e zhvillimit fizik dhe mendor të njeriut është pikërisht adoleshenca, e njohur ndryshe si periudha e moshës mes fazës së fëmijërisë dhe pjekurisë. Një adoleshent është një person mes moshës 13 dhe 19 vjeç, ku fillon të zhvillohet më dukshëm edhe mënyra seksuale, edhe pse është pak e vështirë për përcaktimin e moshës së saktë të adoleshencës. Një përcaktim i moshës së adoleshencës ndryshon varësisht nga kultura të ndryshme. Konsiderimi i një moshe të pjekur gjithashtu, ndryshon në shoqëri të ndryshme, mirëpo nuk përcaktohen vetëm përmes parimeve të shkruara dhe verbale. Adoleshenca karakterizohet nga pavarësia dhe figura autoritare që ajo është nën kujdesin e tij apo të saj.adoleshente

Adoleshenca e përshkruar 

Adoleshenca e përshkruar, është si një fazë e jetës, në të cilën individi mendimet e veta i drejton drejt një forme abstrakte dhe egocentrike, e cila i lejon personit të gjykojë në një perspektivë me kulminante. Idetë, konceptet janë definitive, sepse baza e krijuar ndikon në jetën e dikujt. Dhe formimi i personalitetit është me rëndësi. Nuk duhet të harrojmë se, karakteri është struktura skeletore ndërsa personaliteti është mishi, gjaku që e mbushin atë strukturë. “Problemet në sjellje ndikojnë te mënyra e të menduarit te një person, se si ata ndihen në vetvete dhe mënyra sesi i  mendojnë gjërat. Problemi më i zakonshëm është depresioni, të cilat shfaqen në disa lloje të tyre. Edhe mosha e re mund të shfaqë depresion, sepse mënyra se si i shpreh ajo ndjenjat, nuk është e njëjtë si te një i rritur”[1].

Në këtë moshë, ata zgjerojnë njohjen e tyre sociale nëpërmjet përvojës jashtë rrethit familjar, ndërkohë janë mësuar të jetojnë me rregulla absolute sipas kulturave familjare. Përvoja apo aspekti empirik luan rol kyç, sepse rrit kapacitetin për njohuri. Normativa e tyre varion nga një adoleshent te tjetri. Mendimin konstruktiv e shpjegon aspekti sasior i zhvillimit, duke ditur se aftësitë e adoleshentëve janë relativë dhe kjo konsiston tek ajo që, sado që gabimet mund të bëjnë ata, mund t’i përmirësojnë, kjo është detyra e jona si të rritur që mos të bien pre e gabimeve trashanike edhe pse një kulturë ndryshon nga një tjetër. Përpunimi i perspektivës së adoleshentit mund të paraqitet si përzgjedhës, sepse procesi mund të ndalet te një stimul, që e pengon.  Kjo paraqitet si një ndalesë e pakalueshme për adoleshentin. “Adoleshenca, si një periudhë e zhvillimit njerëzor, ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme nga një epokë historike në tjetrën.”[2] Për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të natyrës së saj, është e pamundur që të përgjithësohen përfundime në lidhje me një çështje të tillë, ose të natyrës së marrëdhënieve midis brezave.

puberteti Adoleshentët dhe puberteti

Euforia, kurioziteti dhe krijimi i një identiteti të caktuar në moshë paraqitet me sjellje delikate dhe të rrezikshme (aksidente me makinë, seksi i pambrojtur, vjedhje, alkooli) një lloj eksplorimi negativ, që për ta paraqitet në formën më të keqe. Sigurisht që kjo ka ndikim në formim të këtij identiteti dhe të respektit ndaj vetes. Në të njëjtën kohë, aftësitë për të konsideruar ndërgjegjësimin e të tjerëve, mendimet, gjykimet, pasqyrohet me një nivel të lartë të vetëdijes, si rrjedhojë, adoleshentët pësojnë ndryshime radikale në perceptimin e vetes. Nëse është fizik shndërrohet në vlera, mendime dhe opinione. Duke eksploruar, adoleshenti mund të refuzojë cilësitë qeë përpiqet për të drejtuar veten drejt një ideali të përsosur.

“Puberteti ka qenë një tipar i zhvillimit për aq kohë sa njerëzit kanë jetuar, nuk ishte deri në ngritjen e arsimit të detyruar, duke filluar me trajtimin e të rinjve si një grup i veçantë. Është një rritje e shpejtë fizike dhe psikologjike ku ndodhin ndryshime, duke shënuar kulmin në pjekurinë seksuale. Puberteti fillon me një rritje në prodhimin e hormoneve, e cila nga njëra anë shkakton një sërë ndryshimesh fizike, fazë e jetës në të cilën një fëmijë zhvillon karakteristikat sekondare seksuale, ku fillon seksi origjinal (tipare seksuale te të dyja gjinitë). Karakteristikat kryesore të pubertetit të meshkujve është derdhja (ejakulacioni Freud-i, aktin e skemës së ejakulacionit e shpjegon si një ankth neurotic [3]) e parë, e cila ndodh, mesatarisht, në moshën 13-vjeçare, për femrat, ajo është me fillimin e menstruacioneve”[4].  Koha e pubertetit mund të ketë pasoja të rëndësishme psikologjike dhe sociale, megjithatë, në fillim të pubertetit nuk është gjithmonë pozitive për djemtë; pjekurisë seksuale në fillim te djemtë, mund të shoqërohet me agresivitetin në rritje për shkak të rritjes të hormoneve, ndërsa për vajzat para pjekjes ndonjëherë mund të çojë në rritjen e vetëdijes, edhe pse një aspekt tipik te femrat, është që ato maturohen,  për shkak të “trupave të tyre të zhvilluara më parë”. “Cikli menstrual është një sahat me zile, që ç’aktivizohet vetëm kur ta ketë urdhëruar natyra”[5]. Vajzat e hershme të pjekura, janë më të ekspozuara ndaj alkoolit dhe drogës. Adoleshentët mund të konceptojnë trajta të shumta, të mundshme të vetvetes. Limiti kohor i përvetësimit të konceptit të diferencimit konsiderohet të jetë rreth adoleshencës së mesme. Eksplorimi i këtyre mundësive, mund të shoqërohet me ndryshime të papritura në vetë-prezantimin, si adoleshenti, i cili zgjedh dhe refuzon cilësitë dhe sjelljet, duke u përpjekur për të udhëhequr. “Këto zgjedhje janë të pakëndshme, por gjithashtu këta individë duken të motivuar nga fakti i zgjedhjes së një drejtimi, i cili përputhet me idealin e tyre”[6].

Loving couple

Ligjërata e seksit

Çështja më thelbësore në kohët e sotme është ekzistenca e ligjërimit, ku janë të thurura seksi, kërkimi dhe shpalosja e së vërtetës, fjala kundër pushteteve, liria e fjalës, e cila shërben si një nga format e shprehjes (seksi), sa të rëndësishme aq edhe familjare. “Kumti i shtypjes dhe forma e predikimit përkojnë me njëra-tjetrën, ushqehen në mënyrë të ndërsjellë. Të thuash seksi nuk është i shtypur ose më saktë të thuash se marrëdhënia e seksit me pushtetin nuk është marrëdhënie shtypëse, sot duket një paradoks shterpë“[7]. Arsyeja ‘seksuale’ duhet të rrëfehet, është e gjetur apo zanafillën e ka në pikëpamjet e krishtera, siç është në ditët e sotme, e fortë, një forcë, por diçka që gjendet me një introspeksion të kujdesshëm.

Individët të cilët kanë interesa dhe personalitete të ngjashme, ka të ngjarë të bëhen shokë. Hayns shpreh mendimin se shoqëria e meshkujve mund të zhvillohet përmes aktiviteteve të përbashkëta, ndërsa shoqëria e femrave[8] mund të zhvillohet përmes komunikimeve verbale. Mirëpo sa të informuar janë të rinjtë e sotëm dhe adoleshentët për të mirat dhe të këqijat e seksit pa u ndikuar direkt nga ai/ajo? Mos vallë mjaftojnë informacionet që marrim vetëm në orën e biologjisë/ edukatës qytetare/shoqërore?! Apo ajo çfarë na ofrojnë masmediat dhe roli i tyre, i cili ndikon në sjelljet seksuale tek të rinjtë.?! Shfrytëzimi i kompjuterëve, telefonave celularë, stereos dhe televizionet për të fituar qasje në mediumet e ndryshme të kulturës popullore të adoleshentëve është rritur gjithashtu. Si rezultat i shumës së kohës që adoleshentët kalojnë duke i përdorur këto pajisje, ekspozimi i tyre ndaj mediave është i lartë, komunikimi elektronik ndikon negativisht në zhvillimin social të kësaj grupmoshe, i cili e zëvendëson komunikimin ballë për ballë, duke dëmtuar aftësitë e tyre sociale, e ndonjëherë mund të çojë në ndërveprim të pasigurt me të huajt. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme në njohje sociale, duke rezultuar në rritjen e analizës ndaj vetes, vetëdija dhe intelektualizmi (në kuptimin e mendimit në lidhje me idetë e veta, në vend që përkufizimi frojdian si një mekanizëm mbrojtës). Krahasuar me fëmijët, të rinjtë kanë më shumë gjasa të vënë në pikëpyetje pohimet e të tjerëve, dhe më pak të ngjarë të pranojnë faktet e vërteta absolute. Nëpërmjet përvojës jashtë rrethit familjar, ata mësojnë se ishin mësuar me rregullat si absolute, të cila në fakt janë relative.

Përmbledhja

Adoleshenca shpesh është e karakterizuar nga një transformim i kuptimit dhe interpretimit të adoleshentit mbi botën. Kuptimi fillon me një interpretim të thjeshtëzuar dhe më pas vërehet një zhvillim drejt racionales, logjikës dhe kërkimit aktiv të ideve të reja, në vend të pranimit në një formë pasive të autoritetit të të rriturve. Një adoleshent fillon të zhvillojë një sistem besimi unik, nëpërmjet ndërveprimit të tij/saj me mjedise shoqërore, familjare, dhe kulturore. Ky proces shoqërohet apo ndihmohet nga tradita kulturore, të cilat synojnë të sigurojnë një tranzicion kuptimplotë drejt moshës së rritur përmes një ceremonie, rituali, konfirmimi, apo rite të kalimit. Praktikat këshilluese janë të domosdoshme dhe nuk mjaftohet thjesht me programe pilot/ eksperimentale për informimin e të rinjve rreth fazës së tyre më të rëndësishme që ndikon dhe ka pasoja në fazat e mëtutjeshme të jetës së tyre. Duhet të ketë konsulta falas. Institucionet duhet të shqetësohen për konstitucionalizëm të objekteve që mund të shërbejnë për ndihmën e të rinjve. Jemi në epokën e internetit dhe informacioni vjen kudo dhe ngado. Duhet të jemi vlerësues dhe të sigurtë që informacioni të jetë i saktë dhe funksional. Duke ditur që jemi breza pasardhës të familjeve të mëdha dhe patriarkale, patjetër që hasim në pengesa (pothuajse të pakalueshme) për çështje si seksualiteti, informimi rreth tij dhe parandalimi i rrezikut që këto sjellin. Vlerësimi është metoda më e mirë!

Rekomandime

  • Përdorimi i strategjive të ndryshimit të sjelljes në fushatat mediatike për shëndetin seksual dhe riprodhues të të rinjve.
  • Trajnimi i punonjësve socialë në shkolla që të fokusohen tek aspektet emocionale, intelektuale, fizike dhe sociale të shëndetit seksual dhe riprodhues të adoleshentëve.
  • Trajnimi i mësuesve për shëndetin riprodhues dhe planifikimin familjar të të rinjve duke u bazuar në metodat e ndryshimit të sjelljes.
  • Përfshirja e edukimit seksual në shkolla në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, për të siguruar edukimin në vazhdimësi të të rinjve mbi shëndetin seksual .
  • Rishikimi i kurrikulave dhe përmbajtjes së tyre duke përfshirë në proces të gjithë aktorët e interesuar (politikëbërës, zbatues, ekspertët dhe përfituesit).
  • Fushata ndërgjegjësimi në media për çështjet e shëndetit riprodhues dhe seksual dhe rritja e ndërgjegjësimit të prindërve për rëndësinë e edukimit mbi shëndetin riprodhues dhe të edukatës seksuale.
  • Qendrat e planifikimit familjar duhet të orientojnë punën e tyre informuese si dhe të rrisin aksesin drejt shërbimeve miqësore ndaj të rinjve, veçanërisht ndaj adoleshentëve.
  • Ofrimi i shërbimeve duhet të jetë i besueshëm. Adoleshentët janë më të prirur për të kërkuar shërbime shëndetësore kur konfidencialiteti është siguruar. Pa të, adoleshentët mund të heqin dorë nga kujdesi shëndetësor veçanërisht ata të rinj të cilët janë më të rriskuar.
  • Ndërtimi i strategjive, politikave dhe ndërhyrjeve për metodat kontraceptive, përfshin: përmirësimin e kurrikulës shkollore, trajnimin e stafeve mjekësore, bërjen e fushatave mediatike dhe rritjen e aksesit për kontracepsionin e emergjencës.

              ***

Anisa Subashi, “Ndryshimi i Qëndrimeve dhe Sjelljeve të të Rinjve ndaj Shwndetit Riprodhues dhe Seksual në Vendin tonë, Faktor për të Shmangur Vulnerabilitetin e Grupit” Tiranë (2015)

[1]           Mood problems in children and adolescents BC’s Information Source for Children, Youth & Families The Kelty Mental Health Resource Centre is BC’s information source for children, youth and families dealing with mental health and substance use issues. In addition, the centre offers resources on eating disorders for all ages. Creative Commons BY-NC-ND 2.5 Used with permission of the Centre of Knowledge on Healthy Child Development (www.knowledge.offordcentre.com) Keltymentalhealth.ca Vancouver: 604-875-2084 Toll-free: 1-800-665-1822 faqe – 1

[2]               Onyehalu, A. (1981). Identity crisis in adolescence. Adolescence, 16,

[3]               Michel Foucault  “ The Use of Pleasure – Volume 2 of The History of Sexuality ( ….)  fq -143

[4]               Hayns, R. B. (1985). A longitudinal study of friendship development. “Journal of Personality and Social Psychology”, 48, fq- 909 – 924.

[5]               Paglia Camille“ PERSONAE SEKSUALE-Arti dhe Dekadenca nga Nefertiti tek Emily Dickinson” fq-35

[6]               Onyehalu, A. (1981). Identity crisis in adolescence. Adolescence, 16 fq-  629-632

[7]               Foucault, Michel “ Historia e seksualitetit / Michel Fouault “,fq  15

[8]               Hayns, R. B. (1985). A longitudinal study of friendship development. “Journal of Personality and Social Psychology”, 48, 909 – 924.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top