Këshilla & Arsye

September 29, 2017 | 7:45

Nga Kalinë Zaka: Rëndësia e lojës në zhvillimin e fëmijëve

Duke qëndruar një ditë në parkun e lojërave, po vëzhgoja një vajzë të vogël e cila përcillte shumë lumturi dhe pozitivitet me buzëqeshjen e saj. Nuk mund të ishte më shumë se 4-5 vjeç. Si të gjithë moshatarët ishte duke eksploruar lodrat me të cilat do të luante, dhe po provonte lojëra të ndryshme. U var te lisharësja dhe po rrotullohej.

Kalinë Zaka Psikologe klinike Terapiste ABA

Kalinë Zaka
Psikologe klinike
Terapiste ABA

Dëgjoj një zë që vinte nga pak më larg: “Jo ashtu të keqen babi, ajo që po bën ti nuk është lojë, ti je një vajzë e rritur e duhet të luash me kujdes që të mos bëhesh pis”…  Pashë sesi vajza e lëshoi menjëherë litarin, njëkohësisht zëvendësoi edhe buzëqeshjen me një hije trishtimi. Ndoshta kishte dëshirë të vazhdonte të luante me atë lojë, ndoshta u mërzit që babai i saj nuk e kuptoi se sa interesante ishte loja që ajo vet kishte shpikur, ose ndoshta thjesht u ndje keq që nuk po plotësonte pritshmëritë e babait të saj duke mos u sjellë si një vajzë e rritur.

2

Foto ilustruese

Loja është një lloj terapie edukuese për fëmijët. Loja te fëmijët nxit imagjinatën, të qenit spontan, i pavarur dhe realist. I ndihmon ata të njohin veten dhe të kenë nivel më të lartë vetëkontrolli, nxit iniciativën dhe i ndihmon që të shfaqin aftësitë konjitive, ndihmon në shkarkimin e disa emocioneve dhe rrit nivelin e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit. Është shumë e rëndësishme që fëmija të nxitet të luajë dhe të jetë sa më spontan dhe më i lirshëm gjatë lojës.

Nëse do të kuptosh apo njohësh një fëmijë, atëherë thjesht luaj me atë. Është shumë e lehtë t’i tregosh një fëmije se çfarë duhet të bëj dhe se çfarë jo, por është shumë e vështirë të kuptosh se si ndihen ata në lidhje me këtë gjë nëse ne nuk i lejojmë të shprehin veten. Komunikimi me fëmijët është pak i vështirë, sepse ata e kanë të vështirë të tregojnë si ndihen në lidhje me një situatë. Për këtë arsye mënyra më e mirë për ta kuptuar gjendjen emocionale të fëmijës është të luajmë me atë. Të shikojmë sesi ai manipulon lodrat e ndryshme, si i trajton ato, a sillet me delikatesë apo me inat dhe agresivitet. Një lojë tregon shumë për një fëmijë. E ndihmon atë të shkarkojë e të tregojë si ndihet dhe varet nga aftësia e ne të rriturve nëse do dimë ta lexojmë. Është shumë e rëndësishme që të mos e pengojmë një fëmijë në lojën e tij.

3Loja është e vetmja mënyrë që fëmijët kanë për të luajtur, mësuar, shprehur dhe zhvilluar. Nëse edhe këtë do e kontrollonim ne, atëherë fëmija do të ndihej i burgosur, do ndihej i ndrydhur, i irrituar, do të rriste ndjenja faji, turpi, do të krijonte varësi nga të tjerët dhe do të ndërmerrte më pak iniciativa në krahasim me fëmijët e tjerë.

Nuk duhet ta bëjmë fëmijën të ndihet i vëzhguar apo i gjykuar gjatë kohës që ai luan. Nëse dëshirojmë që fëmija të jetë i lumtur, duhet të përfshihemi në lojën e tyre që të ndihen të sigurtë, të mund t’i përcjellim mesazhin se ajo që ata bëjnë është e rëndësishme dhe interesante. Kjo e bën fëmijën të ndihet i vlerësuar dhe të kuptojë se çdo gjë që ai ndjen, bën dhe shpreh është e rëndësishme.

Është shumë e rëndësishme që loja në të cilën fëmijët përfshihen të respektohet dhe nëse këtë lojë është përfshirë imagjinata e një fëmije, atëherë ajo duhet të përgëzohet dhe jo të gjykohet. Nëse një fëmije do i tregojmë si të luajë dhe se mënyra sesi ai po luan është e papërshtatshme, atëherë kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet i gjykuar dhe të nxisë ndjenjat e fajit dhe turpit.

Është po aq e rëndësishme që të gjithë elementët imagjinarë të lojës të përgëzohen dhe të nxiten nga ana e prindërve, pasi e ndihmon fëmijën të rrisë nivelin e vetëvlerësimit dhe të ndërmarrë më shumë iniciativa. Nëse loja e tyre do të kritikohet, atëherë ata me shumë mundësi do ta braktisin lojën, do të ndihen në faj dhe nuk do të ndërmarrin më iniciativa për t’u përfshirë në një lojë vetëm, me të tjerë apo në një lojë imagjinare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top