Mirëqenie

June 5, 2017 | 11:36

Nga Klaudia Stajka: Profili i një shoqërie sociopate

Sociopatia është një çrregullim i personalitetit, një konditë mjekësore në të cilën individi nuk është i aftë të diferencojë të duhurën nga e gabuara, injoron kronikisht të drejtat dhe ndjenjat e të tjerëve, ka tendencë për të antagonizuar, manipuluar, trajtuar të tjerët me një indiferencë të pashpirt dhe nuk ndien faj apo keqardhje për sjelljet e tij karshi të tjerëve. Një sociopat është i bukur, plot sharm, karizëm, lider në profesionin e tij, shpirti i festës, orator i shkëlqyer, ndërmarrës i shumë rreziqeve që pjesa tjetër nuk guxon. Truri i tij mendon dhe operon ndryshe nga një njeri normal dhe të jeni të bindur se pranë një personi të tillë nuk mund të luani kurrë me rregulla të barabarta!

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Neuropsikiatrit e kanë ndryshuar shpesh përkufizimin e sociopatisë përgjatë dekadave. Dikur termi i përdorur për këtë çrregullim mendor ishte Psikopatia: një mendje kriminale, e aftë për të përfituar me çdo kusht nga më i dobëti. Sot, një sociopat mund të përshkruhet deri në detaje por mund të kalojë të gjithë jetën i pa diagnostikuar. Ndonëse literatura e identifikon një sociopat si “demonin” e shoqërisë, statistikat tregojnë se çdonjëri nga ne ka pasur të bëjë me një person të tillë në një pikë të jetës a në një tjetër. Fakti se ne nuk mund të arrijmë të shquajmë ndonjërin, flet për aftësinë e tyre të paparë interaktive. Shumica prej nesh ka ndërvepruar pozitivisht me ta dhe mund të mos ketë kuptuar asgjë deri në momentin kur ka lexuar emrat e tyre nëpër titujt e gazetave, i ka parë të dënuar dhe ka analizuar gjithçka në retrospektivë për t’i cilësuar si të tillë.

Sociopatët, të njohur për çrregullimin antisocial të personalitetit të tyre, mund të jenë shumë të rrezikshëm për shoqërinë. Ata janë të etur për pushtet, dështojnë në respektimin e normave të shoqërisë dhe paraqiten përpara nesh si mendimtarë të pavarur apo me mendime aq të avancuara saqë masa nuk është në gjendje t’i kuptojë. Pika e tyre e fortë është aftësia për të gënjyer, e kanë gjithmonë të mirëstrukturuar gënjeshtrën, ndihen komod duke poshtëruar dhe nënshtruar të tjerët, shkelin ligjin, kanë sjellje impulsive e të dhunshme, të cilat mund të avancojnë deri në akte kriminale. Mungesa e ndjeshmërisë është karakteristika kryesore. Ata e kanë të pamundur të kuptojnë botën emocionale të tjetrit, ndjeshmëria për ta është një ndjesi e huaj dhe nuk kanë ndërgjegje. Mos vallë sapo ju kaloi ndokush në mendje?

socioPersonat me çrregullimin antisocial të personalitetit i shfaqin simptomat konkrete rreth moshës 15-vjeçare. Shenjat e hershme të këtij çrregullimi lidhen me sjellje agresive ndaj fëmijëve të tjerë apo kafshëve shtëpiake, akte vjedhje, akte dhune ndaj moshatarëve, tendencë për të prishur lodrat, gënjeshtra ndaj prindërve e shokëve, etj. Pavarësisht se këto simptoma vazhdojnë përgjatë gjithë jetës, në disa individë, disa prej tyre, avancojnë më tepër me moshën.

Personaliteti në thelb të tij është një kombinim i emocioneve, mendimeve, sjelljeve dhe është pikërisht mënyra sesi këta persona e shohin, e konceptojnë dhe lidhen me botën e jashtme që i jep formën përfundimtare personalitetit të tyre. Pavarësisht se shkaku i saktë i këtij çrregullimi nuk është zbuluar, gjenetika, situata të përjetuara rëndë në fëmijëri apo ndryshime të zhvillimit të trurit përgjatë jetës, akuzohen si shkaktarët kryesorë të sociopatisë. Ditët e sotme, më shumë sesa një mjek, diagnozën e personalitetit antisocial mund ta vendosë një i afërm, një koleg, një komshi, një prind.

Kohë më parë sociopatia personifikonte individët e rrezikshëm të shoqërisë. Ditët e sotme, në shoqërinë tonë moderne, ajo ka ndaluar së qeni një njollë dhe po ngrihet në piedestal duke shkaktuar dëmtime të pakthyeshme. Po përse ky ndryshim? Sepse karakteristika të tilla si pandjeshmëria, bukuria, të shkelësh me këmbë të tjerët, mungesa e edukatës, janë kthyer sot në garanci për sukses. Sociopatët i bëjnë llogaritë e tyre me gjakftohtësi, ata e dinë mirë se për të arritur qëllimet e tyre është më mirë të kesh miq sesa armiq dhe për këtë i vjen gjithmonë në ndihmë gënjeshtra dhe mospërfshirja emocionale që i karakterizon. A është një sëmundje e transmetueshme? Përgjigjen kthejeni ju. Një sociopat nuk kërkon me domosdoshmëri prirje kriminale, i tillë është kushdo që përdor mjete jokorrekte për të arritur qëllimin e tij. Sociopati mund ta shndërrojë të vërtetën përpara syve tuaj dhe në të njëjtën kohë t’ju bëjë të besoni se po korrni përfitime prej tij, pavarësisht se bëhet fjalë për një trill të momentit; në rast se zbulohet, di gjithmonë ta justifikojë veten. Profili i një shoqërie sociopate është një botë interesante, e mistershme për studiuesit e mendjes dhe të sjelljes. Askush nuk mund të shpjegojë se nga vjen dhe sesi mund të trajtohet, por një gjë është e sigurt: ju duhet gjithmonë të kini kujdes! Nëse mendoni se jeni mjaftueshëm të zgjuar, ata janë më të zgjuar se ju. Ata janë ekspertë në përzierjen e gjërave në mënyrë të tillë që të dalin gjithmonë të pa lagur. Ata dinë si ta fitojnë besimin tuaj, i njohin dobësitë tuaja prandaj janë të aftë t’ju bëjnë të buzëqeshni dhe nuk duhet të habiteni nëse një ditë, armët që kanë përdorur kundra jush të rezultojnë se kanë ardhur nga vetë ju. Jeta e një sociopati mund të duket e veshur me një kopertinë interesante, por pamundësia e tyre për të provuar emocione, dashuri, frikë i shtyn ata drejt një zbrazëtie emocionale dhe një jete të mërzitshme. Kështu, në kërkim të emocioneve, ata detyrohen të kërkojnë rreziqe të reja, krijojnë varësi nga drogat dhe në shumë raste të përfundojnë në vetëshkatërrim.

Sipas studimeve epidemiologjike, sociopatët përbëjnë 3% të popullsisë mashkullore dhe 1% të asaj femërore. Nuk ka një trajtim efektiv kundër këtij çrregullimi dhe mbi të gjitha, një sociopat do të pranonte të kurohej vetëm nëse është i detyruar nga rrethanat përqark. Terapia e këshilluar është përdorimi i antidepresantëve, psikoterapia dhe ndërhyrjet sociale, por rezultatet janë shumë modeste.

 

Botuar në revistën “Psikologjia”, numri 118

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top