Tos, kam ca ditë që rrekem me të shkrujt do fjalë, jo për ty,për veten. Se ti s’ke pas kurrë nevojë për to. E di fort mirë se koha do e tresë dhimbjen e bashkë me të dhe kujtimet. Jeta është si ai lumi Yt, që herë na përkëdhel e herë na shkund.
Por me DASHT në këtë JETË, se pas saj nuk di ç’ndodh, paska qenë më e rëndësishme se çdo gjë! Këtë ke dasht fort me na e mësu, e me na tregu çdo ditë nga pak, të gjithëve, familjes, miqve, të panjohurve e të njohurve.
Ti nuk ke si ta dish, që me ikjen tënde të heshtur ke trishtuar jo vetëm shumë miq e kolegë, por edhe shumë njerëz të thjeshtë. Ata që ti i doje e i mbroje fort pa asnjë kusht. Ti dije hallet, dëshirat, vështirësitë e Kolës që punonte si shofer taksie pranë Friend Book House, por edhe të Maksit që shiste paketa ca metra më tej. Ishe i papërtuar të pyesje çdo kënd se si ishin me shëndet, si e kishin familjen, a kishin punë, dhe a ishin mërzit ndopak… Uleshe e bëheshe njësh me ta. S’kishte rëndësi se ç’punë bënin, nga cili fshat apo qytezë vinin, për ty kish rëndësi njeriu… I pyesje me kureshtje për jetën që bënin, për fshatin ku jetonin, e me shpoti i pyesje për diçka që vetëm dikush që ka shkel në ato vise i di.
Kush të njeh e di fort mirë, e di se krejt tjetër ishte situata nëse ndonjë arrogant me pushtet thoshte ndonjë fjalë që rëndonte mbi ata… njerëzit e vendit tënd që ti i doje aq fort. Varfëria ka dinjitet madje me shumë se kamja, ndaj thoshe,- ti ne duhet me ja rujt dinjitetin varfërisë. Ti kurrë s’përtoje apo frikësoheshe për të thënë të vërtetën e për t’i treguar vendin çdo kujt që guxonte të shkelmonte mbi njeriun e thjeshtë, mbi të vërtetën që askush s’do guxonte ta thoshte me zë të lartë apo ta pranonte…
Ti s’kishe Frikë… ndaj me të drejtë miku yt Dash Shehi shkruan se je bohemi i fundit i gazetarisë… Mjeshtri… Ai që pranoi të mbajë mbi supe peshën e rëndë të këtij misioni, që nxënësit e tij mos humbisnin rrugën…
“S’dua të jem hero, Klod… Heronjtë janë budallenj dhe unë nuk e dua dhimbjen…” Parapëlqeje të ishe veteran.
“E di,-thoshe. Një herë më pyeti mësuesja: -Fatos çfarë do të bëhesh? Veteran, -the ti.
Po, pse? Sepse veterani respektohet nga të gjithë”.
Sot, Tos, nuk di të them se çfarë je.
Ti zgjodhe të ishe mes njerëzve të thjeshtë… Të jetoje thjesht… Jo se s’dije, jo se s’mundeshe! Por kështu vendose. Ti i besoje e kujdeseshe për çdokënd që kishte nevojë për ty… Ti jetove mes njerëzve dhe librave… Në shtëpinë tënde të thjeshtë por të ngrohtë, gjeje gjithnjë dy libra mbi tavolinë, në shtëpi ndihej era e duhanit dhe herë-herë edhe ajo e temjanit… Kishe punë që të prisnin për të mbaruar. Projekte që aq shumë doje ti mbyllje sepse e dije që kishin vlerë, jo për ty, por për vendin tënd. Të prisnin Piratët… sapo kishe shkruar 70 faqet e para dhe mezi prisje të çoheshe e të mbyllje pjesën tjetër…
Mezi prisje të përfundonte kolana e Dokumentareve mbi historinë e Shqipërisë që i punove me aq dashuri dhe përkushtim me mikun tënd Tanin dhe në tetor, bashkë me Enon dhe Gertën të priste festivali… Bashkë do ndërmerrnim një tjetër udhëtim, por…Zoti pati planet e tij dhe jo tonat…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.