Së shpejti fillon shkolla. Ne si prindër, por edhe fëmijë tanë, bëjmë përgatitjet e fundit për një fillim viti shkollor të suksesshëm, si në aspektin arsimor, ashtu edhe në atë edukativ dhe orientues.
Shpesh, i bëjmë disa pyetje vetes, ndoshta dhe merakosemi së tepërmi se si do të jetë marrëdhënia e fëmijës tim me edukuesin, sa ndikues, drejtues do jetë ai apo ajo në mësimdhënie. A do marrë fëmija im nxënien e duhur në mësime, apo si do të jetë marrëdhënia e tij me moshatarët? Këto dhe pyetje të tjera, ia bëjmë vetes me ose pa përgjigje. Presim me padurim të njohim mësuesin e fëmijës dhe punën e tij.
Puna e mësuesit është sa e bukur, po aq dhe e vështirë, si në tematika, të cilat janë nga më të ndryshmet, po ashtu edhe në marrëdhënie me nxënësit. Mësuesi duhet të jetë në radhë të parë besues, emocionues, edukues, nxitës në mësim, orientues drejt të mirës dhe të drejtës. Një marrëdhënie e besuar midis dy palëve, krijon atmosferë në klasë dhe vetëbesim te nxënësi, për ta ndihmuar dhe nxituar atë të marrë iniciativa në të ardhmen.
Një mësues jep edukimin e dukur tek nxënësi në vazhdimësi, në çdo profesion që ai mund të zgjedhë. Kritikues atëherë kur duhet dhe me taktin e duhur të profesionalizuar në marrëdhënien me nxënësit e klasës, duke njohur karakterin dhe temperamentin e tyre.
Pra, marrëdhënia e mirëformuar dhe e fortë, ngre themele të forta, ku ngrihet kalaja e jetës së nxënësve. Një kala ku të dinë si të mbretërojnë të ardhmen e vështirë me rritjet dhe uljet e saj.
Në këtë marrëdhënie duhet patjetër të japin kontribut të madh edhe prindërit e fëmijëve. Trekëndëshi i mirëformuar, krijon baza të mëdha, me në qendër fëmijën tonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.