Në ditët e sotme shpeshherë ndihet që të dy prindërit në diskutimet e tyre të shumta janë me temë: “FËMIJA IM”. Këto diskutime përfshijnë:
-Edukimin e fëmijës për sjelljen
-Edukimin e fëmijës për rregullat në shtëpi
-Edukimin e fëmijës për shkollimin
-Edukimin e fëmijës të përshtatur me gjininë
A) Sjellja e fëmijës diskutohet dhe debatohet brenda në familje nga dy prindërit për më të mirën e mundshme për fëmijën. Ndodh shpesh që prindërit nuk bien dakord për një sjellje dhe nisin debatin për diskutimin e zgjedhjes së situatës. Nëna, në të shumtën e rasteve qëndron pjesën më të madhe të kohës në shtëpi me fëmijët, ajo vendos rregulla, dënime për sjelljen e tyre.
B)Babai që vjen më vonë nga puna, dëshiron t’i japë më “liri” të themi fëmijëve dhe nuk dëshiron të komentojë apo t’i dënojë ata për sjelljet e gabuara të tyre. Kjo gjë sjell debat, diskutim dhe konfuzitet tek fëmijët, se si vetë ata të veprojnë. “Kush ka të drejtë” pyesin veten fëmijët. Kjo pikë diskutimi haset shpesh, sepse prindërit duhet të dinë të zbatojnë rregullin e një mendimi të përbashkët në vendosjen e rregullave në shtëpi. Një rregull i drejtë jep një sjellje të mirë. Një sjellje e mirë, sjell harmoni në familje.
C) Ndërhyrjet e njëpasnjëshme të prindërve tek zgjedhja e profesionit për fëmijën e tyre. Fëmija zgjedh aty ku ndihet mirë dhe i aftë të ecë përpara dhe jo të ngecë në dëshirën tuaj.
D) Ai është djalë dhe duhet ta ngrejë zërin… ai është djaj dhe duhet t’i dëgjohet fjala… le t’i thyejë rregullat se ka lezet… Ajo është vajzë dhe duhet të rrijë urtë… të ndihmojë mamin… të mos kthejë fjalën… Këto janë disa nga shprehjet e dëgjuara shpeshherë në familjet tona. A mund t’i ndryshojmë? Sigurisht që po. Kjo realizohet vetëm duke vendosur rregulla të përbashkëta për fëmijët, të cilat janë të diskutuara më herët nga të dy prindërit. Që fëmija të mos ndihet konfuz dhe i paqartë në sjelljet tona, ne duhet të bisedojmë më fëmijët dhe t’i sqarojmë për çdo rregull të vendosur, që ai të jetë i vetëdijshëm për çdo sjellje të tij.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.