Edhe fëmijë, edhe trazovaçë. Një dilemë që prindërit shpesh i zë në befasi me veten, duke u përpjekur që nga njëra anë të kenë fëmijë të lumtur dhe nga ana tjetër shtëpi të rregullt. Por a menaxhohen dot të dyja situata sidomos kur fëmijën janë të vegjël dhe kanë nevojë për hapësira lirie e fantazie.
Dëshirojmë që fëmijët tanë t’i dëgjojnë këshillat tona. Të binden dhe të jenë fëmijë të lumtur e të qetë. Por, si mund të jetë një fëmijë i lumtur në fëmijërinë e tij kur ne si prindër nuk i japim hapësirë në lojë, sjellje, veprime apo dhe në zhurmat e tij në ambientet ku ai është.
Pa dashur, ne prindërit nganjëherë ndërhyjmë në fëmijërinë e tyre dhe e thyejmë atë qetësi fëminore të pastër dhe të çiltër. Dëshirojmë të kemi rregulla, e drejtë edhe kjo, por t’i zbatojmë ato pa cenuar fëmijërinë e të voglit tonë.
Dëshirojmë t’i mbajmë pastër, e drejtë edhe kjo, por duke ekuilibriruar raportin e ruajtjes së rregullit dhe pastërtisë pa cenuar vrullin e lojës të voglit tonë.
Dëshirojmë të na binden, i drejtë si qëllim, por gjithnjë nën kujdesin e marrëdhënies dhe pa e ulur autoritetin e fëmijës tonë.
Të dashur prindër, rifreskoni kujtesën, rikthehuni në fëmijërinë tuaj, atëherë kur kishte shumë rëndësi loja për ne, argëtimi i orëve pa fund dhe gjithpërfshirja në aktivitete bashkëmoshatarësh. Ndaj, duke vlerësuar moshën e fëmijëve tanë, le të përpiqemi të tregohemi korrekt e t’i lejojmë fëmijët të luajnë të qetë në ambientet si brenda edhe jashtë shtëpisë. Të mësohemi me zhurmën e tyre dhe të jemi të lumtur që i kemi dhe të shijojmë rritjen e tyre çdo ditë afër nesh. Sepse siç e përkufizojnë mjaft psikologë: “Më mirë një shtëpi të rrëmujshme e fëmijë të lumtur, se sa shtëpi e rregullt dhe fëmijë jo të lumtur”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.