Këshilla & Arsye

October 11, 2019 | 8:45

Nga Lediana Marku: “U largua” apo “vdiq”, çfarë t’u tregojmë fëmijëve?

 

Vdekja është një pjesë e pashmangshme e jetës. Për disa prej nesh nuk është aq e lehtë ta shpegosh, sepse vetë tema është e dhimbshme. Vdekja shfaqet në shumë mënyra. Mund të jetë e papritur, e pritshme, aksidentale dhe e zgjatur. Mendohemi gjatë të gjejmë mënyra për të shprehur se çfarë ndodhi, t’i japim kuptim asaj që ndodhi dhe të pranojmë se çfarë ndodhi.

Psikologe shkolle

Psikologe shkolle

Tregojini fëmijëve të vërtetën menjëherë. E vërteta u jep një shpjegim lotëve dhe dhimbjes. Të qenit i hapur dhe emocional, ndihmon fëmijën të mësojë se si të vajtojë apo përballojë këtë pikëllim, hidhërim. Mos u ndjeni në siklet nëse i thoni fëmijës “nuk e di”. Qani shpesh, qani së bashku. Është e shëndetshme, është shëruese.

Përdorni “vdiq”,  “vdekja” në vend të “shkoi”,  “u largua”, “po fle, nuk zgjohet më”. Përdorimi i fjalëve realiste për të përshkruar vdekjen,  ndihmon fëmijën ta pranojë çfarë ka ndodhur.

Lërini fëmijët të marrin pjesë në rituale. Lërini të marrin rrobat, fotot, të dëgjojnë një këngë që ka pas pëlqyer personi i humbur. Kjo i ndihmon fëmijët të marrin kontrollin mbi humbjen traumatike.

Lëre fëmijën të mbajë zi, sipas mënyrës së tij (qoftë edhe në heshtje). Është normale të ndihet vetëm dhe i izoluar nga të tjerët.

Përgatitini fëmijët se çfarë do të shohin në funeral. Kush do të jetë, si do të sillen, si do të ndihen, si do të vishen njerëzit. Çfarë ndodh pas funeralit, dhe se të gjithë do të mblidhen për të ngrënë drekën e lamtumirës.

Të orientojmë fëmijët drejt një të ardhmeje pa personin e dashur, por duke rikujtuar ditëlindjet, përvjetorët, pushimet etj.

1

Mendimet dhe ndjenjat

Fëmijët mësojnë përmes asaj që shohin. Bëhuni model për vetëkujdesje. Mos fshihni hidhërimin, vuajtjen, zinë, përballë fëmijëve. Duke ju parë se si ndiheni, ata mësojnë që është e shëndetshme të qash e të ndihesh i trishtuar, hidhëruar pas humbjeve të tilla. Mos kini frikë t’i ndani kujtimet me të dashurt tuaj. Ndonjëherë prindërit mendojnë se, duke folur për personin që ka vdekur, do t’u shkaktojë më tepër dhimbje fëmijëve. Studimet kanë treguar se, përjetimi i dhimbjes, humbjes, duke rijetuar kujtimet, histori, ndihmon në lehtësim të dhimbjes, “shërim”. Kundërpërgjigjet e fëmijëve mund të jenë të ndryshme. Fëmija mund të jetë i mërzitur dhe i zemëruar për humbjen. Fëmija mund të ndihet fajtor, i zemëruar për vdekjen e prindit. Tregojini që asgjë që fëmija ka thënë apo bërë ka shkaktuar vdekjen. Shpërthimet e zemërimit janë një mënyrë për të shkarkuar trishtimin, hidhërimin. Inkurajoni fëmijët të ndezin një qiri, të bëjnë një vizatim.

2

Pyeteni fëmijën çfarë po mendon, si është ndjerë këto ditë, javë? Cilat janë frikërat e tij?

Krijimi i kutisë së kujtimeve, copa kujtimesh, foto, ushqimi i preferuar, programi i preferuar i personit të vdekur. Mos humbisni lidhjen me fëmijën sepse ju ndiheni të pashpresë, apo nuk dini ç’të thoni. Një shikim, një prekje, një përqafim është një lidhje shumë e fortë. Fëmijët duhet të kuptojnë se kush duhet të kujdeset për ta. Mos ndrysho bisedë nëse fëmija vjen në dhomë, sepse në këtë mënyrë, krijohet një tabu për bisedat mbi vdekjen.

Mos ndryshoni rutinën. Fëmijët kanë nevojë për vazhdimësi (shkuarja në shkollë, luajtja me shokët etj). Të shpjegosh në terma funksionalë vdekjen. “Tani që …(nëna, babi…) ka vdekur, trupi pushon së punuari. Ai nuk mund të ecë, vrapojë, ushqehet ose flejë dhe nuk ndjen më dhimbje”.

Mos u thoni se (gjyshi, babai….) “po fle” “u largua”, sepse fëmija mund të shqetësohet e të frikësohet të flejë, duke menduar se të flejë, do të thotë se do të vdesë, ose nësë prindi largohet për në punë apo market, mund të mos kthehet më. Mund t’u shpjegoni fëmijëve që gjyshja ishte shumë e vjetër dhe se trupi nuk mund të punonte më. Por të sëmuresh nuk do të thotë të vdesësh.

Mos mendoni se vdekja “ndalon” të qeshurën. E  qeshura është shëruese. Të qeshësh në lidhje me kujtimet, apo momente me personin e dashur, tregon se sa e rëndësishme ishte prania e tij në jetën tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top