Në fokus

November 17, 2018 | 8:05

Nga Lediana Ndoni: Fëmijët që ‘sundojnë’ botën!

Pse fëmijët  janë të padurueshëm, të mërzitur apo të pashoqërueshëm???

Psikologe shkolle

Lediana (Marku) Ndoni, Psikologe shkolle

Gjatë këtyre viteve si psikologe në disa shkolla, por edhe nga diskutimet me mësues e kolegë, të gjithë biem dakord në faktin, që fëmijët po “bëhen” keq e më keq në shumë aspekte. Fëmijët sot duket se janë ne një gjendje emocionale të “shkretuar”. Duket sikur kanë shteruar.

Po shihet një rënie, përkeqësim, dobësim në drejtimin funksional-socializues-emocional-akademik dhe rritje të frikshme në çrregullimet e të mësuarit (nxënit, disleksi, etj.)

Pse???

femijet

Fëmijët drejtojnë botën!

“Djali im nuk pëlqen zarzavatet”, “Përton të vishet vet”, “Nuk do të flejë herët”, “Nuk do të hajë mëngjes”, “Nuk pëlqen lodrat, por është shumë mirë me i-Padin”.

Këto janë shprehjet që dëgjojmë gjatë gjithë ditës nga prindërit sot.

Deri kur do të urdhërojnë, drejtojnë, fëmijët, se si të prindërojnë, prindërit e tyre??? Nëse i lëmë të lirë, ata do të ushqehen vetëm me patatina, sufllaqe, djathë, salsiçe, do të shohin gjithë ditën TV apo video-game.

Çfarë të mirash po i ofrojmë duke u dhënë çfarë ATA duan, kur ju si prindër e dini që nuk është e mirë apo e duhura për ta?

Prindërit po japin mesazhin e gabuar! Në këtë mënyrë, fëmijët, mësojnë që mund të bëjnë ç’të duan dhe të bëjnë atë që s’duan.

Koncepti “kështu bëhet” apo e nevojshme të bëhet, mungon! Fatkeqësisht, ne jemi fokusuar tek qëllime madhore në jetë dhe harrojmë çfarë është e nevojshme apo e domosdoshme, që jo gjithmonë mund të jetë ajo që duam.

Fëmijët sot, e dinë shumë mirë çfarë duan, por e kanë të vështirë të ulën e të punojnë për një kohë të gjatë dhe të bëjnë çfarë duhet për të arritur qëllimin. Kjo çon në qëllime të paarritshme dhe fëmijët mund të zhgënjehen. Përmes qëllimeve madhore, ne po zhvendosim aftësitë e fëmijëve në drejtimin e gabuar.

P.sh: Nëse një fëmijë do që të jetë i pari i klasës, duhet të studiojë shumë. Nëse do që të bëhet futbollist i suksesshëm, duhet të stërvitet çdo ditë. Atëherë: “Stërvitni trurin”, që fëmija të aftësohet në nivel emocional-social-mësimor.

1

Fëmijët sot po marrin çdo gjë që ata duan dhe kur e duan.  

Kënaqësitë e menjëhershme (të pafundme)

“Jam i uritur”, “Kam etje”, “Ndaloje makinën këtu”, “Jam i mërzitur” “Dua I-Phonin, I-Pad-in tim”, “Dua, dua, dua…” (pa fund)

Qëllimi i çdo prindi, është që t’i bëj fëmijët e  lumtur, por fatkeqësisht, me plotësimin e dëshirave të menjëhershme, i bëjmë të lumtur vetëm për momentin dhe të “mjerë”, të trishtuar në terma afatgjatë.

Paaftësia për të shtyrë ose penguar kënaqësitë e menjëhershme vihet re kudo në qendra tregtare, në markete, dyqane lodrash, restorante, mbi të gjitha, dhe në klasa ku zhvillohet mësimi.

Dhe ai momenti kur fëmija dëgjon “Jo-në” (nga prindi). Të gjithë i kemi parë ragimet e tyre shpërthyese (sikur i kemi para syve). Kjo ndodh sepse prindërit i kanë mësuar fëmijët e tyre të marrin atë çfarë fëmija do, tani dhe këtu.

Të shtysh kënaqësitë e menjëhershme, do të thotë të funksionosh nën stres. Mirëpo, fëmijët sot, janë të papërgatitur për të “luftuar”, vepruar, qoftë edhe me nivele shumë të ulëta stresi. Këto bëhen pengesa shumë të mëdha për arritjet e tyre në jetë.

Prindërit shpesh ankohen, pse nuk na ndihmojnë fëmijët në kuzhinë, punët e shtëpisë, pse nuk i sistemojnë lodrat apo librat e tyre. Kjo sepse truri bën një  punë “monotone” kur fëmija është pasiv. Që do të thotë, muskuli i trurit nuk është ushtruar sa duhet. Mirëpo, ky është i njëjti muskul, që duhet të jetë i stërvitur edhe për të nxënë në shkollë.

Kur fëmijët shkojnë në shkollë dhe është koha për të shkruar, përgjigja e tyre është: “Nuk e bëj”, “S’di ta bëj”, “Është shumë e vështirë”, “U mërzita”, Dua të iki në shtëpi”.

Pse??? Sepse ky muskuli (truri), nuk stërvitet përmes kënaqësive të menjëhershme, argëtimeve pa fund (video-games). Ai stërvitet, vetëm përmes punës.

Aftësia për të shtyrë, vonuar qoftë edhe penguar, plotësimin e dëshirave të menjëhershme, është çelësi  për sukses në të ardhmen dhe i mirëqenies sociale të fëmijëve.

Nëse doni që fëmija juaj të jetë i aftë që të presë, ju duhet ta mësoni që të bëhet i durueshëm.

interneti-dhe-femijet

Teknologjia, kufizim i ndërveprimit social

Teknologjia (interneti) është një shërbim “falas”, por jo për të gjithë. Është një shërbim i gatshëm për prindërit e mbingarkuar me punë apo të “zënë” me punë. Por ky shërbim, që na duket “falas”, paguhet me sistemin nervor të fëmijëve, me vëmendjen e tyre të pakët, me paaftësinë për të shtyrë kënaqësitë e menjëhershme apo plotësimin e tyre. Të gjithë jemi të zënë me punë të ndryshme, kështu që, u japim fëmijëve pajisje digjitale, duke i bërë edhe fëmijët të zënë me një punë. Por ,fëmijët duhet të luajnë jashtë, ku presupozohet të mësojnë dhe praktikojnë aftësitë sociale. Mundësitë sot janë të pakta, kështu që, teknologjia zëvendëson kohën  kaluar jashtë shtëpie, njëkohësisht, bën dhe prindërit më pak të gatshëm për të ndërvepruar me fëmijët tyre.

Me sa duket, fëmijët, lihen “pas dore” apo neglizhohen pa vetëdije, pa qëllim, edhe duke i lënë nën kujdestarinë  e një babysister, të cilët fatkeqësisht nuk u mësojnë atyre aftësi sociale.

Kur fëmijët shkojnë në shkollë dhe pastaj në klasë, ata përballen me zhurmat, zërat e shokëve dhe stimujve normal, ndryshe nga bombardimet e efekteve speciale në ekranet e kompjuterëve (lojërave). Pas disa orëve në klasë, procesimi i informacionit për këta fëmijë, bëhet jashtëzakonisht sfidues. Paaftësia për të procesuar nivele të ulëta të stimujve, i bën fëmijët vulnerabël, për sfidat e procesit mësimor.

Teknologjia na shkëput emocionalisht nga fëmijët dhe familjarët tanë.

Prandaj prindër të dashur, gatishmëria juaj emocionale, është lënda ushqyese për trurin e fëmijëve.

Disa këshilla:

Mos kini frikë të vendosni rregulla (kufij). Fëmijët kanë nevojë për rregulla për t’u rritur të lumtur e të shëndetshëm!

Mendoni se çfarë është e mirë për ta dhe çfarë duan dhe nuk duan.

Tregohuni kreativ për ti drejtuar të bëjnë çfarë është e mirë për ta, sepse në pjesën më të madhe është e kundërta e asaj që ata duan.

Ata kanë nevojë të kalojnë kohë jashtë dhe të flenë në të njëjtin orar, në mënyrë që të jenë të gatshëm për të mësuar të nesërmen në shkollë.

Kufizoni teknologjinë dhe ribashkohuni emocionalisht me fëmijët tuaj.

Bëjini surpriza të vogla (pusulla me mesazhe vlerësuese/stimuluese, kërceni së bashku, luani me jastëkë, dilni shëtitje, xhiro me biçikletë etj)

Ushtrohuni për të shtyrë në kohë kënaqësitë e menjëhershme

Lërini fëmijët të presin!

Është normale të marrësh përgjigje negative nga fëmijët p.sh: “Jam i mërzitur”, “Ti je e keqe”, “Nuk të dua”. Gradualisht rrisni kohën e “pritjes” midis “Unë dua” në “Ta marr???”

Mësojini fëmijët të përfshihen në punët e përditshme në shtëpi.

Të vendosin rrobat në lavatriçe, të mbledhin apo sistemojnë  lodrat, rrobat e tyre, të shtrojnë tavolinën apo krevatin e tyre.

Mësojini aftësi sociale

Mësojini të presin radhën, të ndajnë gjëra me shokët, krahasimin, humbjen/fitoren, të përgëzojnë të tjerët. Truri i fëmijëve është si sfungjer. Përmes mjedisit rrethues mund ta bëjmë trurin të “fortë” ose të “dobët”.

Nga puna me fëmijët, diskutimet me mësueset dhe prindërit, fëmijët ndryshojnë sjellje, në momentin që prindërit ndryshojnë perspektivën e prindërimit. Pra duke vendosur kufizime. Ndihmojini fëmijët të bëhen të aftë në jetë duke u mësuar me aftësi sociale.

Fëmijët nuk duan që Ne të jemi perfekt (fatmirësisht!!!). Ata duan që t’i përkrahim, t’i besojmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top