Në fokus

November 20, 2017 | 9:37

Nga Lediona Braho/ Ekran apo letër?

1280x720-data_wallpapers_22_615060


Disa breza më parë, fëmijët shpenzonin më tepër kohë duke lexuar. Leximi kërkonte vëmendje e përqëndrim dhe ushqente imagjinatën, krijimtarinë dhe kujtesën. Mirëpo shpikja e televizionit, me stimujt e shumtë pamorë, e ndryshoi vëmendjen. Vëmendja u fragmentarizua. Nuk kishte më nevojë për shumë imagjinatë. Me shpikjen e internetit, fëmijët janë bërë pjesë e një mjedisi ku shpërqendrimi është normë, vëmendja e vazhduar është një pamundësi dhe imagjinata nuk është më një nevojë. Ndryshe nga libri, teknologjia e drejton trurin në një mënyrë tjetër. Përpara një libri, të menduarit është i ngadaltë dhe i thellë. Përpara një ekrani, i shpejtë dhe i sipërfaqshëm. Leximi i një libri e përmirëson përqendrimin dhe imagjinatën, ndërsa leximi në internet kërkon një skanim të shpejtë të informacionit.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Truri “hi-tech”

Teknologjia ka ndryshuar tërësisht çdo aspekt të shoqërisë sonë: mënyrën sesi ne socializohemi dhe punojmë. Te fëmijët, po shkakton ndryshime edhe më të thella. Nëse u hedhim një sy kërkimeve të viteve të fundit, shohim se teknologjia ka efekte të ndërlikuara te fëmijët: përfitime dhe dëme.

Efekti më i madh është tek truri, në të cilin krijohen rrugë të reja nervore. Teknologjia formon mënyrën sesi fëmijët mendojnë.  “Porta” e të menduarit është vëmendja, e cila ndikon tek të gjitha aspektet e të menduarit: te perceptimi, kujtesa, gjuha, të nxënit, kreativiteti, arsyetimi, zgjidhja e problemeve dhe marrjen e vendimeve. Aftësia e fëmijëve për të kushtuar vëmendje dhe për t’u përqendruar është baza e rritjes dhe zhvillimit. Vëmendja është një nga aftësitë më të ndikuara nga mjedisi. Kur fëmija bie në kontakt me një pajisje teknologjike, ai bombardohet nga stimuj dhe duhet t’u kushtojë vëmendje.

Nga ana tjetër, teknologjia ofron mundësi për edukim, argëtim dhe socializim. Ka programe të krijuara enkas për t’i ndihmuar fëmijët për të mësuar aftësi të reja, që në moshë të vogël. Ka videolojëra që përmirësojnë disa aftësi. Kompjuterat përdoren për kërkime, lojëra matematikore, mësime gjuhe.

“Kripa me karar”

Këto të mira vijnë vetëm nëse teknologjia përdoret në masën dhe mënyrën e duhur. Fëmijët nuk bien dakord me kufizimet, por prindërit duhet të mundohen t’ua shpjegojnë efektet negative që vijnë prej teknologjisë. Më pas, duhet t’i mbikqyrin, duke i ndihmuar të zgjedhin mënyrat e duhura të përdorimit të saj. E fundit, por më e rëndësishmja, edhe prindërit duhet ta kufizojnë përdorimin e pajisjeve, sepse “fëmijët bëjnë atë që shohin dhe jo atë që u themi”.

Po telefonin kur t’ia blej?

Kur bie fjala tek pajisjet teknologjike ose elektronike, prindërit kanë shumë pikëpyetje. Kur mund t’ia blej fëmijës telefonin? Dhe nëse ia blej, a të vendos rregulla që në fillim? Prindërit ndihen nën presion dhe shpesh kërkojnë këshilla, por ne kemi për detyrë vetëm t’i orientojmë.

Nëse fëmija ka telefon, prindërit janë më të sigurt, pasi e dinë vendndodhjen e tij. Kjo është pjesërisht arsyeja pse prindërit u blejnë fëmijëve aparatë celularë. Mirëpo, pasja e telefonit mund të shoqërohet me rreziqe. Fëmijët që përdorin telefona dhe dërgojnë mesazhe, mund të kenë probleme me gjumin. Ata hyjnë në internet dhe shohin materiale të pakontrolluara. Sa gati janë për këtë?

Nuk ka ende shumë kërkime që tregojnë mënyrën sesi telefonat ndikojnë shëndetin mendor dhe emocional, por disa studime tregojnë se dërgimi i shpeshtë i mesazheve mund ta dëmtojë përqendrimin e fëmijëve. Për të vendosur nëse duhet t’i blejmë fëmijës aparat celular, duhet të kuptojmë sa sigurt mund të jenë ata.

Ne këshillojmë që prindërit të shohin aspektet zhvillimore, duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve: A i humbet fëmija sendet personale? A është fëmija i përgjegjshëm? A mund t’i besoj fëmijës? A do ta kuptojë sesi ta përdorë telefonin në mënyrë të sigurt? Po ashtu, duhet të bëjmë dallimin mes “dëshirës” dhe “nevojës” së fëmijës për telefon. Dhe nëse ia marrim telefonin, ne duhet ta kontrollojmë fëmijën për mënyrën sesi po e përdor atë. Është e natyrshme që fëmija do ta quajë telefonin “mjet personal”, por prindërit duhet ta bindin atë se “ky mjet personal mund të keqpërdoret” duke argumentuar se ata do të kontrollojnë që ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme.

“Kthim në realitet”

Që të jemi realistë, fëmijët sot rriten në një mjedis shumë të ndryshëm nga ai i prindërve të tyre kur ishin fëmijë. Ata mësojnë t’i përdorin pajisjet teknologjike shumë herët. Mjafton të hedhim një sy në parkun e lojërave dhe mund të shohim fëmijë dyvjeçarë duke parë video në YouTube ose duke luajtur lojëra online. Teknologjia dhe interneti janë kthyer në mjete të përditshme komunikimi mes gjithë anëtarëve të shoqërisë. Përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale sa vjen dhe shtohet dhe shkencat kompjuterike po ngrihen në nivelin e degëve më të kërkuara. Prandaj, a do t’ia vlente të dilnim kundër pajisjeve teknologjike?

https://ledionabraho.wordpress.com/2017/11/20/ekran-apo-leter/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top