Ani* sapo ka mbushur dy vjeç. Ai është një fëmijë që të bie menjëherë në sy: lëviz shumë dhe nuk qëndron në një vend për më shumë se njëzet sekonda. Edukatoret e përshkruajnë me mbiemrat “aktiv”, “i shkathët”, “i gjallë” dhe “i hedhur”. Ndërsa prindërit e quajnë me krenari “artist” dhe “muzikant”. Nëse i afrohesh për ta përshëndetur, Ani ul kokën, mbulon sytë me duar dhe largohet me vrap. Në pamje të parë, duket si i ndrojtur para njerëzve të rinj, por po të rrish dhe ta vështrosh më gjatë, ai vepron kështu edhe me moshatarët e tij.
Kur ndonjëri prej tyre i zgjat ndonjë lodër, ai i ngul sytë lodrës, por nuk e merr. Kur do t’i marrë lodrën dikujt, e tërheq me forcë, derisa tjetri rrëzohet përtokë. Lodrën e merr në këtë mënyrë, sepse nuk mundet ta kërkojë me fjalë. Jo, ende nuk flet, lëshon vetëm disa tinguj ritmikë: a-a-a, o-o-o, y-y-y e tinguj të tjerë, sipas rastit. Për shembull, kur është i mërzitur ose kur kërkon diçka me ngulm, ai bën në mënyrë të përsëritur ë-ë-ë, irritohet dhe ngryset në fytyrë, përplas dhe zgjat duart me padurim në drejtim të edukatores. Ndërsa kur është i gëzuar, kryesisht kur ndizet muzika për fëmijë, ai shkon me vrap para magnetofonit dhe ia ngul sytë atij, derisa muzika mbaron; atëherë përplas duart duke lëshuar pasthirrma gëzimi o-o-o dhe a-a-a.
Ndonjëherë, ai ekzaltohet aq shumë sa i bën duart si krahët e një zogu dhe duket sikur matet të fluturojë. Kur edukatorja e thërret në emër, shumicën e kohës, ai e kthen kokën dhe turret me vrap. Ajo e ngre hopa, e rrotullon dhe ai fillon të qeshë dhe ta harkojë trupin mbrapa, si një akrobat i lindur. Edukatorja, me shumë durim dhe kujdes, e kap nga dora dhe i kërkon të ulet pranë shokëve për të bashkuar kubat. Ai ulet dhe ngazëllehet sapo sheh kubat, i merr grumbull dhe i fut te njëri-tjetri me një lloj padurimi. Duket aq i përqendruar tek kubat dhe aq i përhumbur në botën e tij, saqë nuk e kthen kokën kur ne e thërrasim me zë të lartë. Por, pasi ka bashkuar vertikalisht dhjetë kube, e humb durimin dhe fillon t’i hedhë në tokë.
Pastaj, “u përvidhet” moshatarëve, të cilët po i futin kubat te njëri-tjetri me më shumë durim dhe qetësi, teksa dëgjojnë dhe shohin edhe edukatoren, e cila u tregon ngjyrat. Pasi është zvarritur tre-katër metra larg grupit, ngrihet në këmbë dhe fillon t’i vijë rrotull tavolinës, pa e kthyer kokën nga të tjerët, a thua se ata nuk janë hiç aty. Rrotullimi i tij i ngjan një rituali, të cilin nuk harron ta bëjë asnjë ditë të vetme. Nëse nuk e thërret dhe nuk e kap prej dore për ta shkëputur, ai mund ta bëjë atë me dhjetëra herë. Madje, edhe pasi arrin ta shkëpusësh, ai qëndron me ty për pak sekonda, të sheh dhe përgjigjet me buzëqeshje nëse e gudulis, por shpejt, di sesi të bishtnojë “me lezet” dhe t’i kthehet ritualit të preferuar, sërish e sërish.
***
Ani frekuenton një qendër ditore për fëmijë, ku qëndron rreth gjashtë-shtatë orë në ditë, prej katër muajsh. Në përgjithësi, ai vjen rregullisht, i shoqëruar nga i ati. E ëma e shoqëron më rrallë. Kur vjen me të, ai nis të qajë me të madhe sapo ajo i thotë “mirupafshim”. Ndoshta për këtë arsye, e ëma nuk preferon ta shoqërojë në mëngjes dhe ia ka besuar këtë “detyrë” bashkëshortit. Kjo është një zgjidhje, e cila, siç themi, i kënaq të gjitha palët. Prindërit shprehen të kënaqur për shërbimin në qendër dhe për progresin e të birit. Ata pyesin thuajse rregullisht nëse djali i tyre është ushqyer, nëse ka fjetur dhe nëse ka luajtur me shokët dhe përgjithësisht, marrin përgjigje pozitive nga ato që kujdesen për të. Deri këtu, gjithçka duket në rregull (pra, duket, pasi nuk është).
Një ditë, psikologia e qendrës kërkon takim me prindërit. Në fillim, vjen e ëma, e cila dëgjon me vëmendje dhe mirëpret komentet mbi aftësitë dhe sjelljet e Anit, deri në fund, kur psikologia e këshillon që t’i bëjë një vlerësim atij në një qendër të specializuar për fëmijë. E ëma bie dakord në mënyrë gati automatike për vlerësimin dhe premton se do të vijë me një përgjigje. Në ditët në vazhdim, psikologia pret përgjigjen e premtuar, por e ëma nuk vjen. Siç duket, ajo ka zgjedhur që të përgjigjet në mënyrë indirekte: duke njoftuar edukatoret e të birit se “vizita ka shkuar shumë mirë” dhe se “djali nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”. Në rregull. Ky reagim mund të pritej (me gjithë optimizmin njerëzor dhe profesional), ndaj psikologia iu jep kohë prindërve, pa prekur sërish “në plagë” edhe për disa ditë.
Prindërit e mbajnë fëmijën në shtëpi dy-tre javë dhe e sjellin sërish muajin pasardhës. Duket sikur gjithçka ka nisur nga e para, pasi ai nuk do që të vijë në qendër dhe proteston që tek porta e jashtme. Prandaj, na duhet të bëjmë durim derisa djali të qetësohet dhe të vijë sërish me dëshirë, siç vinte më parë (më të shumtën e kohës). Sigurisht, ne bëjmë durim dhe presim; djali qetësohet dhe i rikthehet “natyrshmërisë”. Edhe psikologia i rikthehet bisedës me prindërit, kësaj here, me të atin. Ndryshe nga e ëma, ai shprehet me “tolerancë” ndaj gjithçkaje që bën fëmija, pavarësisht se çdo sjellje “e dëshiruar” dhe “jo e dëshiruar”, i shpjegohet hap pas hapi, me një gjuhë të thjeshtë dhe të kujdesshme. Dëgjon e dëgjon, teksa rri në karrige i tërhequr mbrapa dhe në fund thotë: “Dëgjo, unë nuk jam dakord fare me këto që më thua. Fëmija im nuk vjen me dëshirë këtu, por ne e sjellim nga halli. Ai i bën të gjitha këto gjëra që ti thua nuk i bën, po i bën me ne, me gjyshërit, kur e çojmë te lodrat…
Ti më thua nuk flet, por ai ka mësuar fjalë në anglisht dhe italisht nga YouTube-i, mesa duket ato e tërheqin më shumë se shqipja. Numëron deri në 20 dhe i di të gjitha ngjyrat në këto gjuhë. Shqipen? Do ta mësojë më vonë, s’prish punë. Punë e madhe se nuk i bën disa gjëra tani. Ne do të presim, do t’i bëjë më vonë. Na dërguat për vlerësim? Ja ku po ta them troç: mjeku (e kemi mik shtëpie) na qetësoi me ato që na tha, djali nuk ka asgjë, nuk duhet të shqetësohemi. Edhe unë po ta them njëherë e mirë dhe me qetësinë më të madhe: djali im është normal”.
Psikologia e kupton se prindi po bën çmos që të ruajë pozicionin e vet dhe nuk mund të pranojë vështirësitë e fëmijës. Ajo këmbëngul me delikatesë se çdo koment bazohet te normat e zhvillimit, pra, aftësitë që fëmija dy vjeç duhet të ketë ose pritet të ketë, por prindi tashmë është ngritur nga karrigia dhe i zgjat dorën me një buzëqeshje të sforcuar: “E dëgjove? Fëmija im është normal dhe këtë nuk e luan as topi”. Dhe largohet me një qetësi të vetë-imponuar duke thënë një “mirupafshim” të thatë dhe pa asnjë shenjë në fytyrë, e cila të tregojë se i ka kuptuar ato që i janë thënë. Psikologes i mbeten sytë te dera e mbyllur, pas së cilës prindi po çapitet për t’i ikur… Kujt? Një barre? Një përgjegjësie? Apo të dyjave bashkë? Asgjë nuk mund të dihet me siguri, derisa ai të vijë sërish. Psikologia lutet që kjo ditë të vijë sa më shpejt, përpara se për djaloshin “artist” të jetë shumë vonë.
*Ani është emër i sajuar, ashtu si përshkrimi i shumë detajeve identifikuese në këtë shkrim.
Ky koment është një ekstrakt nga puna psikologjike me fëmijë parashkollorë me vështirësi në zhvillim dhe nga bisedat konsultuese me prindër, që fatkeqësisht, i mohojnë për periudha të zgjatura këto vështirësi, duke vonuar në kohë marrjen e ndihmës nga fëmija. Njëherësh, ky koment përpiqet të ndërgjegjësojë sadopak prindërit dhe familjarët e fëmijëve të vegjël dhe të afërmit e tyre:
Shihni me kujdes sjelljet jotipike të fëmijës dhe mos neglizhoni asgjë që ju duket e papërshtatshme për moshën. Konsultohuni me prindër të tjerë dhe edukatorë, por drejtohuni për gjykime profesionale te specialistët e fushës!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.