Trishtimi është një nga emocionet tona themelore. Të gjithë përjetojmë trishtim gjatë jetës. Studiuesit e fushës së neuroshkencës kanë gjetur se trishtimi mund të krijohet edhe në laborator, duke u kërkuar njerëzve të mendojnë për gjëra të trishtuara. Ne trishtohemi nëse na ndodh diçka e vështirë dhe e dhimbshme, por rikthehemi në gjendjen e mëparshme kur ngjarja mbaron. La Fonten dikur ka shkruar: “Trishtimi fluturon larg mbi krahët e kohës”. Pra, ai është një gjendje e përkohshme.
Trishtimi, “humbja” e nënës
Trishtimi është procesi gjatë të cilit fëmija i vogël ndahet nga nëna dhe bëhet më i pavarur. Më vonë, sa herë që fëmija do të ndahet prej nënës, ai do të përjetojë një humbje të vogël, me të cilën duhet të përballet. Disa autorë sugjerojnë se fëmija zhvillohet në mënyrë të shëndetshme, nëse e përjeton trishtimin plotësisht. Nëse nëna e pengon, ai nuk do të mësojë kurrë të përballet vetë me këtë ndjenjë. Psikanalistja Margaret Mahler e ka parë aftësinë për të përjetuar trishtim si një arritje emocionale.
Trishtimi nuk është depresion
Disa njerëz janë të trishtuar dhe frikësohen se mos vuajnë nga depresioni. Të tjerë kanë depresion, por mendojnë se janë vetëm të trishtuar. Shpesh, trishtimi barazohet me depresionin, por ai është vetëm një nga shenjat e depresionit. Prandaj është me rëndësi të kuptohen dallimet mes tyre. Trishtimi është një emocion i zakonshëm, ndërsa depresioni është një gjendje emocionale tej kufijve të “normales”: një çrregullim i shëndetit mendor. Trishtimi na prek të gjithëve, ndërsa depresioni prek mbi 300 milionë njerëz në të gjithë botën; femrat dy herë më shumë se meshkujt (Organizata Botërore e Shëndetësisë, 2017). Depresioni nuk kërkon me patjetër një ngjarje të vështirë: një njeri me depresion ndihet i trishtuar për gjithçka, edhe pse jeta e tij mund të duket e paqtë dhe e lumtur. Shumë njerëz me depresion priren ta shohin jetën e tyre si të pashpresë, ndërsa ata që ndihen të trishtuar mund të kenë shpresë për të ardhmen. Trishtimi zgjat pak kohë, ndërsa depresioni mund të vijojë me muaj, madje edhe me vite. Depresioni diagnostikohet nga një profesionist i shëndetit mendor dhe kërkon që dikush të ketë të paktën pesë prej këtyre shenjave, të cilat t’i ketë përjetuar minimalisht për dy javë: Humor i depresuar ose i irrituar shumicën e kohës; humbje ose ulje e kënaqësisë apo interesit për shumicën e aktiviteteve; ndryshime të mëdha në peshë ose oreks; vështirësi për të fjetur ose gjumë i tepërt; ndjesi ngathtësie në lëvizje ose paaftësi për të pushuar; ndjesi lodhjeje dhe amullie, energji të pakta; ndjenja padobie ose faji të tepruar; vështirësi për të menduar, për t’u përqendruar dhe për të marrë vendime; mendime për vdekjen ose vetëvrasje. Nëse depresioni nuk dallohet në kohë dhe nuk merr trajtim, ai mund të ndikojë për një kohë të gjatë në shëndet dhe jetëgjatësi.
Si ta përballojmë trishtimin
Edhe pse është një emocion autentik, disa e kanë të vështirë ta shquajnë trishtimin. Ai nuk pranohet gjithnjë në kulturën tonë, e cila çmon më tepër emocionet pozitive, si lumturinë. Ndaj, shumicës së njerëzve nuk u pëlqen të duken të trishtuar dhe ndonjëherë e maskojnë trishtimin me zemërim. Mirëpo, është tejet e shëndetshme që secili prej nesh ta lejojë veten ta përjetojë trishtimin, pasi ai është pjesë e natyrës njerëzore. Më pas do të mund të gjejmë mënyra për ta përballuar dhe kapërcyer atë. Shumë prej këtyre mënyrave gjenden në “habitatin” tonë natyral dhe mund të variojnë nga bisedat me njerëzit e dashur, te regjimi i duhur ushqimor, ushtrimet fizike dhe aktivitetet artistike. Nëse këto mënyra nuk e lehtësojnë trishtimin, mund t’i drejtohemi psikoterapisë (terapisë me anë të fjalës). Ky është një proces, ku secili mund të shprehë vetveten në një vend të sigurt dhe të ndihmohet nga një psikoterapist i licensuar. Psikoterapia ndihmon në eksplorimin e shkaqeve të trishtimit dhe në ndërtimin e strategjive të shëndetshme përballuese.
Trishtimi na bën më krijues
Për mijëra vjet, njerëzit kanë menduar se trishtimi lidhet me krijimtarinë: njerëzit më të trishtuar janë më krijues. Gjatë Rilindjes dhe Romantizmit, trishtimi dhe vuajtja u cilësuan si parakushte për një jetë të jetuar me mençuri. Shumë njerëz të famshëm në art, letërsi dhe kinematografi kanë përjetuar episode të zgjatura trishtimi. Në fakt, trishtimi mbart potencial për krijimtari. Pse? Sepse emocionet dhe mendimet janë të ndërlidhura. Kur përjetojmë trishtim, jemi më të vëmendshëm, më të orientuar nga detajet dhe më të përqendruar. Joe Forgas, një psikolog social në Universitetin “New South Wales” në Australi kryen prej një dekade studime mbi efektet e gjendjeve negative të humorit. Ai na thotë se trishtimi na bën të ndërtojmë strategji mendore për t’u përballur me situatat sfiduese. Në një nga kërkimet e tij, ai iu tregon pjesëmarrësve një film të shkurtër për vdekjen dhe kancerin dhe gjeti se ata mund t’i kujtonin më mirë ngjarjet e së shkuarës dhe të bënin më pak gabime aritmetike, pasi e kishin parë filmin.
Trishtimi, “çelës” për lumturinë
Trishtimi nuk duhet të shihet negativisht. Nga njëra anë, kur jemi të trishtuar, vërtet veçohemi nga të tjerët, por nga ana tjetër, trishtimi na motivon për të bërë veprime që na sjellin kënaqësi. Ai ndonjëherë mund të na shpjerë te lumturia. Si mund të ndodhë kjo? Ai na nxit të gjejmë mënyra përballimi, si: të kërkojmë më shumë mbështetje nga miqtë, të përfshihemi në aktivitete të dobishme, por edhe të tërhiqemi për të kaluar pak kohë vetëm. Trishtimi është i dobishëm: na bën më vigjilentë, më mendimtarë dhe vetëpërtëritës. Një shembull të thjeshtë, por simbolik, e gjejmë në filmin e animuar për fëmijë “Inside Out”. Në këtë film, pas një serie peripecish, Lumturia e kupton që nuk mund ta asgjësojë Trishtimin, por ajo vendos të bashkëpunojë me të. Në fund, ajo e kupton se Trishtimi është mënyra sesi mund të merret dashuria nga të tjerët. Do të ishte e mrekullueshme, nëse edhe në jetën reale, lumturia do ta ndiqte pas trishtimin, ashtu si në film.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.