Në fokus

August 5, 2019 | 8:46

Nga Lediona Braho / “Nuk ka njerëz të fortë në botë, vetëm njerëz që dinë ta fshehin dhimbjen mirë”: Një shënim mbi romanin “Nën lëkurë” të Sindi Dobit

“Çdo ditë ndeshim qindra njerëz rrugëve. U flasim dhjetërave prej tyre. U flasim fqinjëve sa mbyllim derën, derisa zbresim poshtë. U flasim të njohurve në lagje, u flasim të tjerëve që na ka lidhur disi jeta. Qoftë nga një takim i rastësishëm në kafe deri tek ata që kemi pasur miq të ngushtë. Sa herë në ditë bëhet e njëjta përshëndetje, e njëjta bisedë?”

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Kështu e nis rrëfimin e saj Sindi, ish-studentja ime e psikologjisë, në romanin e saj të parë “Nën lëkurë”, një kopje të të cilit ma dhuroi pas provimit të fundit të sezonit, me porosinë që ta lexoja dhe t’i jepja një mendim. E përgëzova për librin, pasi për mua, kushdo që shkruan dhe boton një libër, meriton të inkurajohet, aq më tepër kur krijuesja është një vajzë e re dhe me energji për jetën.

Librin e Sindit e lexova me një frymë brenda kësaj fundjave. Lexohet shpejt, ka vetëm 101 faqe që të mbërthejnë. Është ndërtuar në formën e një bashkëbisedimi mes dy personazheve: një vajze të re dhe psikologes së saj. Lexuesi e ndjek terapinë si vëzhgues i jashtëm nga java e tridhjetë e një deri në javën e dyzetë e shtatë. Gjatë këtij rrugëtimi, shohim sesi dy personazhet bëhen gjithnjë e më të afërt me njëra-tjetrën – siç ndodh në fakt, në çdo kurs terapie.

Sindi, në rrëfimin e saj të sinqertë, shpalos botën e trazuar të një vajze të re, që ka zgjedhur të flasë me një psikologe për detajet e jetës së saj. Në koherencë me atë që ndodh zakonisht në një udhëtim terapeutik, ajo nis të tregojë për të tashmen, pastaj për të shkuarën dhe në fund për të ardhmen. Ky udhëtim në tre kohë shpalos Veten në tre dimensione kohore: atë që ka qenë, atë që është dhe atë që do të bëhet.

Përveç planit kohor (horizontal), ka edhe një plan vertikal mbi të cilin mbështetet rrëfimi: Sindi si kliente dhe Sindi si terapiste. Shumicën e kohës, duket sikur Sindi është ulur përpara pasqyrës dhe po flet me veten e saj racionale, atë që pret ta drejtojë në njohjen e vetes dhe në zgjidhjen e dilemave.

Përmes këtij romani modest, mendoj se autorja na tregon dy gjëra të rëndësishme:

E para, përshkruan me gjallëri dhe emocion, me sinqeritet dhe pa doreza, brendinë e shpirtit të një vajze të re që dashuron në një mënyrë unike e që duket se vuan pikërisht për shkak të kësaj. E dyta, tregon e bindur fuqinë transformuese të shpirtit njerëzor përballë një shpirti tjetër që e udhëheq drejt shërimit. Të dyja po i shpjegoj në vijim.

Personazhi femëror që ka ndërtuar Sindi është kompleks: një vajzë e re, e cila, që fare e vogël ka kuptuar sa e dobishme mund të ishte. Ajo kishte dëshirë të ndihmonte të varfrit dhe të vobektit, që ia hiqte bukën gojës së saj për t’ia dhënë një të pastrehu. Duke u rritur, kjo vajzë pësoi një lloj shndërrimi, arsye për të cilën duket se ka shkuar edhe te psikologia.

liber1

Që në fillim të romanit, ne njihemi me dhimbjen e saj. Që në faqet e para, shohim të shpaloset dhimbja e dashurisë.

Ishte e para herë që bija aq poshtë. Ishte gabim, por besoj se të gjithë bëjmë gabime të tilla kur dashurojmë. Duhet të kisha hequr dorë nga dashuria për të, qëkur hoqa dorë nga ai. Vite më parë… Unë e dashurova atë perfeksion.

Çfarë ndodhi me perfeksionin e tij?

U venit. Shumë ngadalë. Ai filloi të tregonte si ishte në të vërtetë. Dhe unë nuk e pranoja dot më. M’u duk vetja e mashtruar pafundësisht.

Çfarë ndodhi me ty? Apo ndalove së dashuruari?

Jo, kurrsesi. Unë akoma e dua.

Në këto fjalë varet pezull dhimbja që lind në thellësi të shpirtit dhe që e bën atë gropë, kur dikush dashuron atë që zakonisht e quajmë “njeriun e gabuar”. Shihet qartë që dashuria dhe lëndimi janë dy vija paralele ne jetën e kësaj vajze, të cilën, duke e njohur pak nga pak, e kuptojmë se kur ka qenë e vogël ka qenë tepër e brishtë, e ndjeshme dhe vetë-sakrifikuese. A është dhimbja një lloj barometri për ndjeshmërinë e saj? Duket si një skenar i zakontë, por mënyra sesi Sindi e ka trajtuar këtë dhimbje është e matur, e kujdesshme dhe nuk të lodh aspak. Humbja dhe dhimbja e shndërrojnë njeriun; kështu ka ndodhur edhe me personazhin e Sindit:

Cila mendon se është arsyeja pse ke ndryshuar kaq shumë?

Dëshirat, siç të thashë. Kanë ndryshuar komplet. Jo, s’mund të them as që kanë ndryshuar. Thjesht dikur kam pasur dëshira dhe tani nuk kam më. Prapë, thjesht dëshirë nuk mund ta quaj. Në njëfarë mënyre unë formova gjithë jetën time rreth tyre. Dhe tani nuk kam dëshirë të vazhdoj asgjë nga ato për të cilat kam punuar kaq shumë për t’i realizuar.

Ku e sheh ndryshimin tënd?

Në gjithçka timen. Në gjithçka që bëj. Unë kam ndryshuar dhe në mënyrën sesi ha, si fle, si lahem, si e shoh botën, veten, jetën, mënyrën sesi flas, si reagoj.

Si arrite në këto ndryshime?

E humba për pak kohë. Nuk e kuptoja pse të gjithë më vinin në dukje sesa kam ndryshuar kur në fakt unë isha thjesht e mërzitur. Pastaj fillova të analizoj gjithçka me atë që kam qenë dikur. Mendova se thjesht isha e mërzitur, po asnjë nga sjelljet e mia nuk tregonte për mua në të vërtetë. Atë që isha unë. Kur pranova që kisha ndryshuar, mund ta shihja ndryshimin me sytë e mi. Mund të bëja një paralelizëm mes dikur dhe tani. Ishte e frikshme. Është e frikshme. Nuk mendoja se njeriu mund të ndryshonte kaq drastikisht.

Një nga transformimet e personazhit kryesor është humbja e ndjeshmërisë. Duke njohur të shkuarën e saj, kuptojmë se ajo ka qenë një vajzë që ka ndjerë shumë për të tjerët, që ka qenë shumë e lidhur shpirtërisht me njerëzit, që punonte si vullnetare dhe u kushtonte shumë kohë njerëzve në nevojë. Sot, ajo e ka humbur aftësinë për të ndjerë, duket si pa emocione, e akullt, herë-herë e disocuar (e shkëputur) nga vetja e saj, nga e shkuara e saj, nga dhimbja e saj apo nga realiteti përreth. Prandaj një nga qëllimet e terapisë së saj është që ajo të arrijë të qajë. Kontakti me emocionet është një nga gjërat që duhen mbërritur në terapi.

Kjo është gjëja e dytë e rëndësishme që lexova në romanin e Sindit: Sado e madhe të jetë dhimbja dhe shkëputja, ka gjithmonë një rrugë për t’u shëruar. Personazhi i Sindit e ka gjetur shërimin te një Ego mbështetëse, te psikologia e saj ose e thënë shkoqur, te Sindi si psikologe, si Ego ideale. Ajo dhe psikologia e saj rrugëtojnë të kapura për dore përgjatë gjithë romanit. Drejt një ekuilibri të ri.

Gjithçka do të bëhet më e mirë tani. Gjithçka po kthehet si dikur. Unë kam ndryshuar shumë. S’jam më ai personi i ngurtë që njohe në fillim.

Si je ti tani?

Po mësoj të reagoj ashtu siç ndihem. Dje u mërzita dhe qava në lokal, pavarësisht se isha vetëm. Kam qarë dhe disa herë të tjera, por vetëm me miq. Kur i kam thënë vetes që mund të qash, s’ka problem. Do ta bëj gjithmonë tani…

Unë ia dola. Të thashë që arritja ime më e madhe do ishte të qaja në një turmë të madhe me njerëz dhe ia dola.

Në rrëfimin e saj, Sindi flet edhe për marrëdhëniet me shokët e shoqet e saj, të cilat nuk i kanë shpëtuar dot shndërrimit. Në paragrafe të tëra, Sindi-kliente i rrëfen Sindit-psikologe si ka zbuluar falsitetin ndër njerëz dhe se kjo gjë e ka ndihmuar të shohë të vërtetën më qartë. Patjetër që në këto humbje njerëzish ka pasur shumë dhimbje, por ajo e pranon atë dhe nuk tregon shenja varësie nga të tjerët. E sheh si diçka të dobishme, të merituar dhe si një finalitet që duhet pranuar, sepse i tillë është realiteti – ajo nuk përpiqet ta zbukurojë.

Nga fundi i romanit, vajza në terapi vendos ta sublimojë dhimbjen dhe të shkruajë një roman për jetën e saj. Ashtu si Sindi ka bërë në jetën reale. Sublimimi, shndërrimi i dhimbjes në art, është një mekanizëm që i veçon shumë njerëz nga të tjerët: disa nuk dinë ç’të bëjnë me dhimbjen e tyre e disa të tjerë e kthejnë atë në art. Sindi është një prej këtyre!

“Shkruaja shumë për dhimbjen dhe  ndjenjat e mia ndaj njerëzve. Kaq! Nuk kam qenë një nga ata njerëz që shihnin gjithçka të bukur dhe shkruanin për të. Unë e shihja bukurinë në dhimbje. E kam konsideruar dhimbjen art. Në fund të fundit, njerëzit shndërrohen kur janë në dhimbje. Bëhen tërësisht ndryshe…”

Në faqet e fundit, vajza e Sindit (apo edhe Sindi vetë, si kushdo prej nesh, nëse do gjendeshim në të njëjtin kolltuk), bën premtimin për veten dhe psikologen, një premtim që flet për shërimin e shpirtit të saj, rivendosjen e ekuilibrit dhe paqes së trazuar:

“Do jem mirë. Do jem e vërtetë. Nuk do ketë asgjë false te unë. Asnjë shtirje sikur jam mirë. Jam në paqe. Ia dola! Do t’i përballoj të gjitha problemet me lot. Pas një jete të jetuar ndryshe, më në fund jam unë. Dhe nuk do ta humb më veten time.”

Në këtë libër ka shumë mesazhe dhe secili prej nesh mund të identifikohet me personazhin dhe dhimbjen e saj, por një prej tyre që do ta veçoja është ky: “Nuk ka njerëz të fortë në botë, vetëm njerëz që dinë ta fshehin dhimbjen mirë”. Sindi i ka zgjedhur fjalët me kujdes për të na bindur se kjo është një e vërtetë e madhe ndër shekuj dhe që mbetet e tillë edhe në shekullin që po jetojmë.

Faleminderit për librin e bukur që i ke dhuruar vetes dhe ne, Sindi!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top