Disa njerëz mendohen gjatë para se të marrin një vendim dhe kërkojnë mendimin e të tjerëve. Të tjerët veprojnë shpejt dhe pa pyetur njeri. Shumë njerëz provojnë dhe gabojnë, por vetëm një pjesë provon përsëri; pjesa tjetër nuk provon më. Po ju, si i merrni vendimet? A i merrni vetë apo kërkoni mendimin e të tjerëve? I merrni lehtë dhe shpejt apo ju duhet kohë dhe përpjekje?
Kur them “vendimet”, e kam fjalën për të gjitha zgjedhjet që duhet të bëni në jetë, nga ato më të thjeshtat – zgjedhja e një veshjeje apo zgjedhja e një ushqimi – deri te më të vështirat – zgjedhja e universitetit apo zgjedhja e partnerit. Në pamje të parë, duken pyetje të thjeshta, por ato mund të zbulojnë shumë për personalitetin tuaj. Marrja e vendimeve është një aspekt kyç i jetës sonë të përditshme – personale dhe profesionale. Çdo ditë, ne përballemi me situata, në të cilat na duhet të bëjmë zgjedhje. Nga më të voglat deri te më të mëdhatë. Si ato më lart, por edhe shumë të tjera. Kur këto situata janë të reja dhe sfiduese, marrja e vendimeve mund të jetë më e vështirë. Mirëpo, ka edhe situata të njohura dhe të përditshme, për të cilat, sërish, mund ta kemi të vështirë të marrim vendime. Ndonjëherë përvoja na ndihmon dhe na bën më të zotë, por vendimet e mira nuk kërkojnë vetëm përvojë. Vendimet e mira kërkojnë një dozë të mirë besimi në vetvete.
Besimi në vetvete, vetëbesimi ose vetëvlerësimi (mund ta gjeni me terma të ndryshëm), përfshin besimin dhe vlerësimin që secili prej nesh ka për vlerat e vetes. Pra, në thelb është një përgjigje e brendshme ndaj pyetjes: Sa vlej unë? Prej dekadash, janë bërë shumë studime që kanë provuar lidhjen mes vetëbesimit dhe marrjes së vendimeve. Në përgjithësi, këto studime kanë gjetur se, njerëzit me vetëbesim të lartë i marrin vendimet më lehtë. Dhe e kundërta: njerëzit me vetëbesim të ulët e kanë të vështirë të marrin vendime për jetën e tyre. Ata nuk e dëgjojnë veten, por dëgjojnë të tjerët, si dhe veprojnë sipas vullnetit dhe urdhrave të të tjerëve.
Çfarë i bën disa njerëz të mos marrin lehtë vendime? Ose të mos marrin dot vendime në mënyrë të pavarur? Një nga faktorët kryesorë është frika nga dështimi. Rrënjët e kësaj sjelljeje shtrihen në fëmijërinë e hershme. A e kanë respektuar prindërit kur ai ka dashur të flasë ose të bëjë diçka? Apo vendimet për të i kanë marrë gjithmonë ata? Këto pyetje na ndihmojnë të kuptojmë sa autonomi i është dhënë dikujt që në fëmijëri. Autonomia e fëmijërisë ruhet dhe zhvillohet në moshë të rritur. Një fëmije që nuk i është dhënë autonomi në moshë të vogël, i është dëmtuar vetëvlerësimi dhe tani që është rritur, ai e ka të vështirë të marrë vendime vetë.
Pra, ka njerëz që nuk besojnë në vetvete dhe rrjedhimisht, nuk besojnë as në aftësinë e tyre për të marrë vendime të drejta. Këta njerëz janë të bllokuar në aftësinë e tyre për të vendosur vetë për jetën. Ky bllokim pasqyrohet në të gjitha vendimmarrjet e tyre, të vogla e të mëdha. Kjo është arsyeja pse një pjesë e tyre vijnë dhe kërkojnë ndihmë psikologjike.
Këta njerëz ndodhen në udhëkryqe, në të cilat u duhet të marrin vendime, por ata nuk munden t’i marrin dot. Të zgjedh karrierën apo t’i përkushtohem jetës familjare? Të vazhdoj të jetoj nën të njëjtën çati me bashkëshortin që më dhunon apo të divorcohem? Si të sillem me fëmijën: të tregohem e prerë dhe t’i mësoj disiplinën apo të vazhdoj t’ia plotësoj të gjitha dëshirat? Të qëndroj në një marrëdhënie me dikë që nuk e dashuroj më apo të ndahem dhe ta kërkoj dashurinë diku tjetër?
Duke eksploruar këto shqetësime e shumë të tjera të ngjashme, kuptojmë se paaftësia për të marrë vendime buron nga mungesa e theksuar e besimit në vetvete. Në anën tjetër të medaljes qëndron besimi i tepruar në vetvete. Ka situata gjatë jetës, në të cilat ne ndihemi shumë të sigurt për vendimet që marrim. Edhe ai është “i dëmshëm”, pasi mund të bëjë që ne të përpiqemi përtej aftësive tona dhe të mos marrim parasysh sinjalet që na tregojnë se vendimi është i gabuar. Nëse shumë njerëz nuk do të kishin pasur besim të tepruar në vetvete, ndoshta anija “Challenger” nuk do të kishte shpërthyer. As Çernobili. Prandaj, besimi në vetvete duhet të përputhet kurdoherë me aftësitë reale.
Marrja e vendimeve lidhet edhe me moshën. Cilët e kanë më të vështirë të marrin vendime: të rinjtë apo të vjetrit? Studimet paraqesin të dhëna kontradiktore. Disa prej tyre pohojnë se, të rinjtë marrin vendime më cilësore, pasi shqyrtojnë më shumë mundësi, ndryshe nga të vjetrit, tek të cilët, disa aftësi për të marrë vendime fillojnë të bien. Mirëpo ka edhe studime që tregojnë se, marrja e vendimeve përmirësohet me moshën, se të vjetrit janë më pak të ndikuar nga mundësitë në dispozicion, në krahasim me të rinjtë.
Megjithatë, shumica e studiuesve bien dakord se mosha e madhe shoqërohet me një rënie në aftësitë për të marrë vendime. Pra, të rinjtë vendosin më lehtë dhe më mirë sesa të vjetrit. Pra, si përfundim, na duhet të theksojmë se besimi në vetvete (i lidhur me njohjen e aftësive reale të vetes) është një nga aftësitë kritike që ndikon në mënyrën sesi marrim vendime. Disa situata na kërkojnë të marrim vendime më të rëndësishme sesa disa situata të tjera, por pavarësisht llojit të situatës, një person me vetëbesim të fortë, vendos më lehtë dhe merr përgjegjësi për vendimet e tij.
Ndërsa një person me vetëbesim të dobët, e ka më të vështirë të marrë vendime dhe kësisoj, do të kërkojë gjithmonë rrugën më të lehtë, pasi ka frikë dhe mund t’i shmanget situatës. Njerëzit që besojnë se kanë aftësi dhe kapacitet për të marrë vendime, mbështeten më mirë te burimet e tyre të brendshme dhe nuk i përfshijnë shpesh të tjerët në këtë proces.
Pse është kaq e rëndësishme të marrim vendime në mënyrë të pavarur dhe jo të varemi tek të tjerët? Sepse nuk do të kemi gjithmonë njerëz pranë që të na ndihmojnë të marrim vendime. Marrja e vendimeve kërkon energji dhe motivacion. Një aftësi e mirë për të marrë vendime, që lidhet me një vetëbesim të lartë, është një aspekt themelor i jetesës së lumtur. Dhe kjo aftësi duhet kultivuar para se të jetë shumë vonë, që te fëmijët e vegjël.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.