Dita e Shën Valentinit festohet në të gjithë botën, me anë të urimeve dhe dhuratave që njerëzit e dashuruar shkëmbejnë mes tyre. Çdo mëngjes të datës 14 shkurt, rrugët gëlojnë nga shitësit e luleve dhe nga njerëzit që vrapojnë për t’i blerë. Dita rrjedh me një shpejtësi të jashtëzakonshme, me një vrapim marrok drejt njerëzve që duam e me të cilët duam të ndajmë shpresat dhe frikërat.
Shumë mendojnë se 14 shkurti është kthyer në një aktivitet fitimprurës dhe se dashuria nuk ka nevojë të shndërrohet në një shfaqje kolektive apo të festohet me shpenzime marramendëse. Mirëpo, kjo “shfaqje” nuk duhet të na pengojë të shohim më thellë dhe të arrijmë te thelbi apo domethënia e kësaj date të shënuar. Përtej dhuratave, Shën Valentini duhet të na kujtojë thelbin e ekzistencës sonë: rëndësinë e dashurisë. Në 14 shkurt, edhe nëse nuk arrijmë apo nuk duam të blejmë dhurata materiale, është shumë e nevojshme të ndalemi dhe t’i gëzohemi dashurisë. Prandaj kjo ditë duhet të njihet dhe vlerësohet nga të gjithë, madje edhe nga fëmijët.
Çfarë mund t’u tregojmë fëmijëve për Shën Valentinin? Kjo pyetje lidhet ngushtë me pyetjen tjetër: Çfarë mund t’u tregojmë fëmijëve për Dashurinë?
Fëmijët janë dëshmitarë të dashurisë së prindërve të tyre dhe natyrshëm mund të pyesin se përse të rriturit kanë një datë të shënuar për të festuar. Si fillim, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët të njohin aspektin historik të Shën Valentinit. Më poshtë, mund të lexoni një përrallë të shkurtër për Shën Valentinin, e cila shërben që fëmijët të kuptojnë përse të rriturit e festojnë datën 14 shkurt, çdo vit:
“Para shumë shumë vitesh, në Romën e lashtë ishte një mbret që quhej Klaud. Ai ishte shumë i ashpër dhe nuk i pëlqente t’i shihte njerëzit të lumtur. Ai bënte luftëra me vendet e tjera. Në të njëjtin qytet, jetonte një prift i mirë që quhej Valentino. Ai i donte të gjitha gjërat dhe shpesh dilte në kopsht, kujdesej për pemët dhe kënaqej me fluturat. At Valentino kujdesej shumë për kopshtin e tij, sepse ai e dinte që fluturat kishin nevojë për lule, që të jetonin. Diçka tjetër që e bënte të lumtur At Valentinon ishin njerëzit e lumtur. Dashuria ishte gjëja më e mirë që mund t’u ndodhte dy njerëzve, prandaj çiftet shkonin tek ai dhe i kërkonin t’i martonte. Mbreti Klaud nuk donte që njerëzit të martoheshin, pasi kur të fillonte lufta, ushtarët e tij nuk donin t’i linin gratë dhe fëmijët. Ndaj, mbreti i ndaloi të gjitha martesat. Ati Valentino u mërzit shumë dhe i bëri martesat në fshehtësi. Mirëpo mbreti Klaud e zbuloi këtë dhe ai e burgoi Atin. Në burg, At Valentino i riktheu shikimin një vajze, por mbreti mendoi se kjo ishte magji dhe e dënoi atë me vdekje. Në datën 14 Shkurt, ai i dërgoi një letër të bijës së rojes së burgut me të cilën ishte dashuruar. Ai e nënshkroi letrën me fjalët “Nga Valentini yt”. Nga kjo histori e ka marrë emrin edhe Shën Valentini, dita e të dashuruarve.”
A do t’ju pëlqejë fëmijëve përralla? Do t’ju pëlqejë me siguri, sepse të gjithë fëmijët i pëlqejnë përrallat. Por ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me aspektin historik. Përtej ngjarjes, ajo që ka më tepër rëndësi në shpjegimin që do t’u japim fëmijëve është vënia e theksit te kuptimi i dashurisë. Fëmijët pyesin që fare të vegjël: “Çfarë është dashuria?”. Disa ndihen ngushtë dhe nuk dinë sesi të përgjigjen. Ose mund të mendojnë se, fëmijët e ndiejnë dashurinë dhe nuk ka nevojë për fjalë dhe shpjegime. Është e vërtetë se fëmijët e ndiejnë dhe e shfaqin dashurinë kur ende nuk munden ta shprehin atë me fjalë. Fëmijët kanë aftësi të ndiejnë shumë lloje emocionesh, por ato janë të ndërlikuara për t’u kuptuar prej tyre. Dashuria është një ndjenjë edhe më e ndërlikuar dhe fëmijëve iu duhet kohë për ta kuptuar atë. Prandaj, ata kanë nevojë për një shpjegim të kënaqshëm.
Kur fëmija pyet: “Çfarë është dashuria”, si fillim ne mund ta pyesim: “Çfarë mendon ti, çfarë është dashuria?” ose “Çfarë do të thotë ta duash dikë?”. Fëmija mund të mos arrijë ta artikulojë domethënien e dashurisë, por mund ta shprehë atë me veprime (puthje, përqafime, përkëdhelje, të bashkojë duart, të kujdeset për dikë e kështu me radhë). Prandaj, mënyra më e mirë për t’u dhënë një shpjegim fëmijëve është t’u tregojmë atyre shembuj konkretë të dashurisë. Për fëmijët e vegjël, tre deri në pesë vjeç, mund të përdoret edhe një teknikë e huazuar nga Psikologjia Pozitive.
Mund të marrim aq qirinj sa numri i anëtarëve të familjes. Në fillim, ndezim një qiri dhe i themi: “Kjo dritë është mami dhe dashuria e saj”. Ndezim qiririn e dytë: “Ky qiri është babi dhe dashuria e tij. Kur e takova babin, i dhashë atij gjithë dashurinë time. Tani babi e ka të gjithë dashurinë time dhe unë kam gjithë dashurinë e tij”. Më pas, ndezim një qiri për çdo fëmijë: “Ky/ kjo je ti dhe unë të dhashë gjithë dashurinë time”. Dhe duke i afruar të gjithë qirinjtë me njëri-tjetrin themi: “Tani të gjithë kemi dashurinë e njëri-tjetrit”.
Kur duhet të fillojë shpjegimi i dashurisë? Që në dy ose tre vjeç, fëmijët mund të pyesin dhe ne duhet të përgjigjemi. Kur rriten pak më tepër (pesë ose gjashtë vjeç), ka fëmijë që shprehen se kanë gjetur një të dashur. Mund të duket e habitshme, por ndodh. Ne duhet ta marrim seriozisht “deklaratën” e tyre dhe t’i pyesim: “Çfarë kuptimi ka kjo për ty?” Për një fëmijë të kësaj moshe, të kesh një të dashur do të thotë që të ulesh pranë e pranë gjatë drekës ose të kapesh prej dore. Prandaj, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast dhe t’i themi: “Është shumë bukur të kesh një shok për të cilin ke ndjenja të veçanta”. Më tej, mund t’i shpjegojmë fëmijës disa mënyra sesi mund ta shprehë dashurinë: duke e përqafuar dikë, duke e kapur për dore, duke u kujdesur për të e me radhë. Pra, duhet të sugjerojmë veprime të përshtatshme për moshën. Madje, për t’u përgatitur më mirë, ne duhet të lexojmë libra dhe materiale që e trajtojnë këtë temë.
Dhe për t’iu rikthyer Shën Valentinit! Ne mund t’i inkurajojmë fëmijët që ta shprehin edhe ata dashurinë për prindërit e tyre në këtë ditë të shënuar të kremtimit të dashurisë. Ata mund të përgatisin kartolina me dorë për mamin dhe babin. Mjafton pak fantazi dhe disa letra dhe ngjyra, nga të cilat fëmijët mund të zgjedhin, për të portretizuar në mënyrë krijuese dhe plot fantazi dashurinë e mamit dhe të babit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.