Në fokus

November 8, 2018 | 12:16

Nga Lediona Braho / Si të rrisni fëmijë të lumtur!

Në një botë që e vë theksin te suksesi dhe performanca, lumturia po kthehet në diçka të rrallë. Kërkimet mbi lumturinë kanë gjetur se, njerëzit e lumtur janë më të suksesshëm sesa njerëzit e palumtur, në punë dhe në jetë. Bëjnë punën që duan dhe kanë rezultate të mira, paguhen më mirë, martohen dhe bëjnë një jetë të lumtur familjare

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Kur njerëzit bëhen prindër, fillojnë të shqetësohen për lumturinë e fëmijëve të tyre. Nëse i pyet prindërit se çfarë duan më shumë për fëmijët, përgjigjja e tyre më e shpeshtë është: “Duam të jenë të lumtur!” Mirëqenia emocionale e fëmijëve është e rëndësishme kjo vlen për prindër të të gjitha vendeve dhe kulturave, pa dallim moshe, gjinie, statusi shoqëror-ekonomik, përkatësie etnike apo politike. Sot qarkullojnë gjithandej informacione sesi t’i rrisim fëmijët, por shpesh prindërit vijnë dhe kërkojnë këshilla: “Si mund të rrisim fëmijë të lumtur?”

Hapi i parë është investimi i prindërve te lumturia vetjake. Fëmijët pasqyrojnë prindërit. Lumturia e fëmijëve rezonin me lumturinë e tyre. Kërkimet kanë gjetur se statistikisht, është më e mundur që prindërit e lumtur të kenë fëmijë të lumtur. Edhe e kundërta është e vërtetë: fëmijët e nënave me depresion apo simptoma depresioni kanë vështirësi emocionale dhe probleme me sjelljen. Çfarë mund të bëjnë të rriturit për të qenë më të lumtur? Kërkimet mbi lumturinë tregojnë se një pjesë e saj kontrollet nga gjenet. Gjenetika shpjegon rreth 33 për qind të lumturisë dhe ndikimi i saj varion për të dyja gjinitë (26 për qind për gratë dhe 39 për qind për burrat). Për shembull, gjeni transportues i serotoninës e përcakton nivelin e kënaqësisë në një masë deri 17 për qind.

Sipas kërkimeve mbi lumturinë, njerëzit kanë një nivel lumturie “bazë” që mbetet i tillë me kalimin e kohës. Mirëpo ka edhe shumë gjëra të tjera që nuk varen nga gjenet, por nga ne. Teknika të ndryshme, të përdorura dhe të provuara në mënyrë të përsëritur edhe me njerëzit që vuanin nga depresioni, mund ta rrisin lumturinë.

Mirënjohja për gjërat e mira që kemi është një nga nxitësit më të fuqishëm, që na bën të lumtur, më të mirë dhe përmirëson marrëdhëniet tona. Çdo natë para se të shkoni në shtrat, shkruani tre gjëra të mira që ju ndodhën sot.

Një tjetër nxitës i lumturisë është të kaluarit e kohës me njerëzit që doni. Njerëzit më të lumtur kanë marrëdhënie të forta me njerëzit. Njerëzit e lumtur besojnë te të tjerët, japin pa kërkuar të marrin, ndihmojnë, përpiqen fort për të arritur qëllimet, rriten dhe mësojnë, janë optimistë, janë të kënaqur me jetën dhe bëjnë gjumë të mirë. Sipas Universitetit të Harvardit, njerëzit më të lumtur meditojnë (të paktën pesë minuta në ditë përqendrohen te frymëmarrja), bëjnë gjërat që iu pëlqejnë (shohin filmin e tyre të preferuar), janë altruistë (për miqtë, por edhe të panjohurit), bëjnë ushtrime (të cilat janë po aq efektive sa anti-depresantët) dhe i shpenzojnë paratë për aktivitete (koncerte dhe darka, më pak sesa të mira materiale).

Çfarë tjetër mund t’u mësoni fëmijëve, përveçse të investoni në lumturinë tuaj?

Krijimi i marrëdhënieve. Një aspekt i rëndësishëm në jetën e një fëmije është të mësojë të ndërtojë marrëdhënie me të tjerët. Mund të filloni duke e inkurajuar atë të bëjë veprime të vogla që përmbajnë mirësi. Nëse këto veprime bëhen të shpeshta, ato do të bëhen pjesë e karakterit dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e empatisë. Kërkimet tregojnë se duke vepruar kështu, fëmijët do të ndërtojnë aftësi të nevojshme për jetën dhe do të bëhen më të mirë, por edhe kur të rriten, ata do të bëhen të rritur të lumtur.

Inkurajimi i duhur. Ka prindër, të cilët e vënë shpesh theksin tek arritjet dhe jo tek përpjekjet e fëmijës, por mundet që këta fëmijë të përjetojnë nivele të larta ankthi dhe depresioni. Kërkimet janë të qarta në këtë fushë: Prindërit duhet të lëvdojnë përpjekjet dhe jo aftësitë e lindura të fëmijës. Fëmijët që lëvdoheshin për inteligjencën e tyre, kur iu kërkua të zgjidhnin, zgjodhën gjëegjëzën më të thjeshtë, sepse nuk donin të riskonin statusin e tyre si “inteligjentë”, ndërsa fëmijët e inkurajuar për përpjekjet e tyre, zgjodhën më të vështirën. Pse ndodh kjo? Kur i lëvdojmë fëmijët për përpjekjet, ata duan të përpiqen edhe më tepër, pa u shqetësuar për mënyrën sesi do të duken: të zgjuar apo jo.

Vetëdisiplina

Vetëdisplina te fëmijët e parashikon më mirë suksesin në të ardhmen, sesa inteligjenca. Në një eksperiment me fëmijë parashkollorë, ata që i rezistuan më gjatë tundimit për të provuar një ëmbëlsirë, u bënë të rritur më të lumtur. Aftësia e fëmijëve parashkollorë për të vonuar kënaqjen e nevojave dhe për të pritur, parashikon inteligjencën, suksesin në shkollë dhe aftësitë shoqërore në moshën e adoleshencës. Vetëdisiplina lehtëson të mësuarit dhe përpunimin e informacionit, si dhe mënyrat e përballimit të stresit dhe frustracionit.

Edukimi i inteligjencës emocionale. Inteligjenca emocionale nuk është e lindur, por një aftësi që mësohet. Fëmijët nuk fillojnë t’i njohin vetë emocionet e tyre apo të të tjerëve. Të rriturit duhet t’i ndihmojnë ata. Një trehapësh i mirë për t’ua mësuar këtë mund të jetë: empatizo-etiketo-vlerëso. Për shembull, nëse fëmija thotë “Unë jam shumë i zemëruar me ty”, mund t’i përgjigjeni: “E kuptoj që je shumë i zemëruar me mua. Më trego. A u zemërove sepse nuk të lejova të luaje me tablet?” Pra, i rrituri duhet ta ndihmojë fëmijën të kuptojë atë që po ndjen dhe se ajo që ndien është diçka normale.

Loja e lirë. Kur fëmijët luajnë, ata qëndrojnë në të tashmen. Koha e lojës i ndihmon të zhvillohen dhe të mësojnë. Fëmijët kanë nevojë për lojë të lirë (të pastrukturuar). Kërkuesit besojnë se pakësimi i kohës së lojës së lirë është një faktor përgjegjës për ngadalësimin e zhvillimit kognitiv dhe emocional të fëmijëve. Loja e lirë (me apo pa praninë e të rriturve) përmirëson aftësitë fizike, sociale, emocionale dhe intelektuale të fëmijëve. Ndaj, planifikoni më shumë kohë për fëmijët tuaj dhe lërini të dalin të luajnë jashtë, lojëra të thjeshta. Dhe natyrisht, më pak televizor. 

Kërkimet kanë gjetur lidhje të forta mes lumturisë dhe të mosparit televizor. Njerëzit e lumtur priren të shohin shumë më pak televizor se njerëzit e palumtur. Kur fëmijët shohin TV, ata humbasin mundësi për të bërë gjëra që mund t’i bëjnë më të lumtur sot dhe në të ardhmen.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top