Në fokus

August 23, 2019 | 8:10

Nga Lediona Braho / Sjelljet e mira të kthehen një ditë

Duket si një ligj i pashkruar, të cilin e kemi mësuar qëkur ishim të vegjël. “Sillu mirë, se…” – kjo frazë paraprinte çdo porosi a këshillë të prindërve tanë. Edhe prindërit e sotëm, me ndryshime të pakta, u përmbahen mësimeve të prindërve të tyre për sjelljet e mira që duhet të kryejnë fëmijët. Duke u rritur, porosia u shndërrua në formën “Bëj mirë se do gjesh mirë” – një lloj premtimi se për veprimet e mira që kryejmë do “të shpërblehemi”.

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Të vegjlit mësojnë të kryejnë sjellje të mira që herët. Fillesat e këtyre sjelljeve i gjejmë te vendosja e kufijve, si pjesë e disiplinës. Në të gjitha kohërat, fëmijët janë mësuar me disiplinë, por në kohët e sotme, të rriturit (prindër dhe specialistë) i mëshojnë disiplinës pozitive – rregullimit të sjelljes me metoda bashkëkohore, që përmbajnë kufizime të qarta, të vendosura jo ashpër, por me butësi dhe dashuri. Të rriturit u vendosin kufij sjelljeve “të papërshtatshme” të fëmijëve, me synim rregullimin e sjelljeve të tyre. Pavarësisht se fëmija njihet që në vitin e dytë të jetës me kufijtë, ai nuk është ende i maturuar psikologjikisht për t’i brendësuar rregullat derisa bëhet katër vjeç.

Gjatë rritjes, kufijtë e jashtëm kthehen në kufij të brendshëm. Pasi rregullat fillojnë të brendësohen, ato bëhen më të forta (përforcohen edhe nga shoqëria ku individi jeton, mëson e punon) dhe kthehen në qëndrime, besime dhe vlera personale të atij që i mbart dhe të cilat mund ta shoqërojnë gjatë jetës. Të vegjlit, “rregullat e sjelljes së mirë” kanë nevojë t’i dëgjonin nga më të rriturit, por për të rriturit, ato janë kthyer në rregulla të brendshme.

Po çfarë janë sjelljet e mira?

Sjelljet e mira nuk janë të lehta për t’u përkufizuar, pasi vetë “e mira” është tepër subjektive dhe e lidhur me kohën, shoqërinë, kulturën dhe faktorë të tjerë. Nga përvoja, dimë se sjelljet e mira janë ato që kanë pasoja të dëshirueshme për njerëzit që i kryejnë, por dhe për të tjerët. Në shkencën e psikologjisë, cilësohen si “sjellje prosociale”. Veprime si gjestet e mirësjelljes ndaj të tjerëve, ndarja e sendeve apo të mirave vetjake, përdorimi i fjalëve “magjike”, dhënia e ndihmës, ofrimi i mbështetjes apo shërbimi ndaj të tjerëve, konsiderohen si sjellje “prosociale” dhe “të mira”.

Njerëzit që i kryejnë këto sjellje ndihmojnë, së pari, veten dhe, sigurisht, të tjerët e komunitetin. Ata raportojnë shëndet më të mirë fizik dhe mendor; janë njerëz me vetëvlerësim të shëndetshëm dhe gëzojnë vlerësimin e të tjerëve. Në përgjithësi, ata kanë një besim të brendshëm se sjelljet e tyre të mira do t’u kthehen mbrapsht në forma të ndryshme. Ka shumë skeptikë që besojnë se nuk ka asnjë të vërtetë shkencore rreth këtij besimi, pasi nuk kemi të bëjmë me një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.

Në fakt, ka plot shembuj në jetë, ku njerëz që kanë bërë vepra të mira janë torturuar dhe dënuar, jeta e të cilëve ka qenë e mjerë dhe ka përfunduar padrejtësisht; siç kemi edhe shembuj në të cilët njerëz që kanë kryer krime janë “shpërblyer” me pasuri të majme, ofiqe të larta dhe gëzojnë status të mirë shoqëror. Mirëpo, pavarësisht kësaj “padrejtësie shoqërore”, njerëzit që kryejnë sjellje të mira janë njerëz të dobishëm, frymëzues dhe modele për t’u ndjekur. Shumë prej nesh kanë modele që na frymëzojnë dhe na motivojnë, përmes mesazheve që përcjellin dhe veprave të tyre të mira. Shën Tereza, Martin Luteri, Nelson Mandela, Dalai Lama, Gandi, Malala Jusafzai janë vetëm disa prej njerëzve më influencues në botë, me vepra të jashtëzakonshme, që i kanë shërbyer njerëzimit.

Ndaj, premtimi që në fillim na jepet nga të tjerët dhe që, kur rritemi, ia përsërisim vetes, “sjelljet e mira do të kthehen një ditë” edhe pse nuk është një “e vërtetë shkencore”,na motivon dhe na frymëzon që të bëjmë mirë për veten dhe për njerëzit, SOT, që bota të bëhet një vend më i mirë, NESËR. Ky është shpërblimi më i mirë që secili prej nesh mund të marrë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top