Lidhja me dikë me depresion nuk është tërësisht ndryshe nga lidhja me dikë pa depresion. E shkrova me germa të pjerrëta, pasi është një ide e rëndësishme që duhet parashtruar dhe parakuptuar. Po e përsëris: Lidhja me dikë me depresion nuk është tërësisht ndryshe nga lidhja me dikë pa depresion. Arsyeja pse dua ta nxjerr në pah këtë veçori është se çdo lidhje ka sfida dhe vështirësi, në të gjitha fazat e saj. Mirëpo, në këtë shkrim, unë dua të vë në dukje disa vështirësi tipike te ato çifte ku njëri nga partnerët vuan nga depresioni.
Ndoshta ju të dy jeni njohur në rrethana të këndshme dhe jeni pëlqyer që me të parën. Ose keni filluar të duheni pak nga pak. Keni shijuar çaste të gëzuara së bashku. Mirëpo, sado e gjatë të jetë rruga, do të vijë një moment që ti do ta marrësh vesh që partneri yt po vuan nga depresioni (po i referohem në gjininë mashkullore, pa dashur aspak të diskriminoj). Depresioni nuk mund të fshihet, edhe pse shpesh, burrat përpiqen ta fshehin, pasi e shohin si shenjë dobësie. Mund të përpiqen t’i ikin, duke përdorur alkool ose drogë.
Mirëpo, depresioni nuk mund të fshihet. Herët e vonë ai do të shfaqet. Partneri mund të duket i lodhur, i irrituar, i painteresuar, i shpërqendruar, i fokusuar te vetja, i pavëmendshëm dhe me mendime negative. Mbase partneri do të hapet vetë. Ky është një çast vendimtar në marrëdhënien tuaj, ndaj ti duhet të jetësh e përgatitur (po të referohem ty në gjininë femërore, meqë ramë dakord që partnerin me depresion ta emërtojmë në gjininë mashkullore).
Si mund të veprosh kur partneri të rrëfehet hapur se ka depresion?
Së pari, duhet të dish se nuk ka qenë e lehtë për të. Ndaj, falënderoje për faktin që t’u hap! Me shumë gjasa, këtë “sekret” nuk e ka ndarë me shumë njerëz të tjerë, ndaj, shihe këtë moment si fillimi i një diskutimi të gjatë.
Së dyti, përgatitu për një seri bisedash që do të zgjasin e do t’ju shoqërojnë në rrugëtimin tuaj së bashku. Gjatë këtij rrugëtimi, mund të ndihesh shpesh se po lufton “me mullinjtë e erës”. Nga njëra anë, do të jesh duke luftuar për të ruajtur veten, shëndetin tënd mendor; nga ana tjetër, do të jesh duke luftuar për të ruajtur marrëdhënien.
Pra, gjatë rrugës, mund të ndodhin disa gjëra për të cilat duhet të jesh e përgatitur. Duke i njohur këto çështje, ka shumë gjasa që t’i ofrosh njeriut që do mbështetjen e duhur, duke ruajtur shëndetin tënd mendor dhe marrëdhënien tuaj.
Çfarë duhet të dish për njerëzit me depresion?
Së pari, njerëzit me depresion kanë shumë mendime negative. Depresioni është si një lojë nga e cila askush nuk del i fituar. Kur ti thua diçka të bukur, ai do të donte ta perceptonte si të tillë, por depresioni e ka bërë atë të krijojë filtra negative (pra, ai “filtron” negativisht gjërat pozitive). Edhe kur ti mendon se e ke përgjigjen për problemin e tij, ai do të t’i kthejë përgjigjet në probleme të vetat. Kjo është mënyra sesi një burrë me depresion mund t’i përgjigjet mbështetjes emocionale, të cilën ti përpiqesh t’ia ofrosh.
Çfarë mund të bësh?
Zgjidhi fjalët me kujdes dhe thuaji se çfarë kupton me fjalët që thua. Shpjegoji se ajo që po i thua është diçka e mirë. Nëse përgjigja e tij duket si sulm, rezistoji instinktit për t’u vënë në mbrojtje. Kjo është jetike, sepse nëse ia kthen sulmin, nuk bën gjë tjetër veçse ia përkeqëson gjendjen. Rri e qetë dhe sigurohu vazhdimisht se ai e di se çfarë do që t’i shprehësh.
Së dyti, depresioni e bën dikë të ndjehet i pavlerë dhe me mendimin se nuk meriton të duhet. Një nga simptomat e depresionit është ndjenja e pavlefshmërisë, nga e cila mund të burojë besimi se ai nuk e meriton dashurinë. Rrjedhimisht, marrëdhënia me dikë mund të bëhet si “detyrim”. Partneri e sheh lidhjen si një problem dhe jo si një zgjidhje për t’u çliruar nga kthetrat parazitare të depresionit. Çfarë mund të bësh? Nëse e ndjen se partneri yt e ka këtë besim, duhet të bësh durim. Tregoji se ai e meriton dashurinë, e cila do ta çlirojë atë dhe do t’ia bëjë jetën më të mirë.
Së treti, askush nuk do që të jetë në depresion. Depresioni nuk është zgjedhje, pasi po të zgjidhte, ai nuk do të donte të ishte me depresion. Një nga gjërat më pak të dobishme që mund t’i bësh partnerit me depresion është t’i thuash që është faji i tij, që mund të zgjedhë të dalë nga kjo gjendje, që duhet të bëhet më i fortë etj. Mirëpo, as burri më i fortë nuk mundet ta kurojë gjendjen e tij i vetëm.
Pra, si përfundim, nëse ti mendon se mund ta “ndreqësh” partnerin me depresion, e ke të humbur betejën. Askush që vuan nga depresioni nuk do që të rregullohet. Qëllimi mund të jetë i mirë, por kjo mund ta bëjë atë të ndiejë se ti nuk e pranon ashtu siç është. Gratë që përpiqen të “rregullojnë” partnerët e tyre me depresion, e përkeqësojnë gjendjen e tyre, pasi ka një ndryshim të madh mes “rregullimit të një gabimi” dhe “mbështetjes së dikujt drejt shërimit”.
Si mund ta ndihmosh më tej?
Diçka që mund ta ndihmojë partnerin është psikoterapia, por nëse ai nuk ndihet gati, ti mund të shkosh vetë te një psikolog. Duke punuar në psikoterapi, do ta ndihmosh veten të përballosh më mirë stresin që buron nga lidhja me dikë që ndodhet në depresion. Terapia do të të ndihmojë të kuptosh më mirë se çfarë po përjeton ai. Një alternativë tjetër mbetet terapia në çift. Një terapist që punon me çiftet me partnerë me depresion, rekomandon që ata të praktikojnë kufij të shëndetshëm dhe dashuri për veten. Kjo do të thotë se të dy duhet të ruajnë shëndetin e tyre mendor duke i dhënë hapësirë vetes.
Po nëse nuk sheh “dritë në tunel”?
Nëse duket se asgjë nga këto nuk funksionon, atëherë kthehu tek vetja. Ruajtja e shëndetit tënd mendor është gjëja më e rëndësishme. Nëse marrëdhënia të shkakton më tepër dhimbje sesa kënaqësi, pavarësisht përpjekjeve të tua për ta ruajtur të shëndetshme, duhet ta rishikosh seriozisht qëndrimin në këtë marrëdhënie.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.