Në natyrën e njeriut, me përjashtime të pakta, gjendet e rrënjosur nevoja për kontakt njerëzor. Kjo nevojë është sa mendore, aq edhe trupore. E kundërta e kësaj, vetmia, është një nga frikërat më të mëdha të njeriut. Studimet tregojnë se pasja e miqve është një antidot i fuqishëm i vetmisë. Miqtë na bëjnë të ndihemi se i përkasim vërtet botës dhe se nuk jemi vetëm.
Miqësia është një marrëdhënie midis dy njerëzve që kanë afeksion të përbashkët dhe respekt për njëri-tjetrin. Edhe pse është paksa e vështirë ta përkufizojmë miqësinë, mund të biem dakord se ajo është një nga gjërat më të çmuara në jetë. Lidhjet miqësore ushqejnë mirëqenien tonë trupore dhe mendore. Nga një pikëpamje biologjike, njeriu ka nevojë për miqësi, që të jetojë. Një njeri pa asnjë marrëdhënie njerëzore do të vdiste. Ne kemi nevojë për praninë e njerëzve të tjerë që të mund të jetojmë një jetë në ekuilibër.
Miqtë na e plotësojnë këtë nevojë, sepse ata na japin një sens rehatie, identiteti dhe përkatësie. Miqësia ofron një “zonë sigurie” në të cilën jemi të lirë për të ndarë ëndrrat, frikërat dhe shpresat tona. Kur jemi të shqetësuar, e dimë se kemi miq që do të na dëgjojnë dhe me të cilët mund të jemi vetvetja. Miqtë tanë janë ndër të rrallët njerëz me të cilët flasim hapur dhe dëgjohemi vërtetësish. Ndonjëherë, ata shërbejnë si “terapistë”, pasi na dëgjojnë me vëmendje dhe na mbështesin pa kushte.
Një nga komeditë më popullore që trajton temën e miqësisë është seriali amerikan “Friends” (Miqtë). Ky serial trajton jetën e pesë miqve që jetojnë në Manhatan, të cilët ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe ia dalin në situata të vështira jetësore. Natyrisht, seriali ka shumë humor, por një nga arsyet pse është kthyer në një nga serialet më popullore, qëndron në universalitetin e tij dhe në qendërzimin tek nevoja thelbësore e njeriut: te miqësia.
Përfitimet e miqësisë në mirëqenien tonë
Miqësia dhe lidhja e saj me shëndetin ka qenë çështje interesi për shumë kërkime shkencore, për vite me radhë. Kërkimet tregojnë se miqësia e ndikon jetën tonë në shumë mënyra dhe shërben si faktor mbrojtës i shëndetit fizik dhe mendor. Ata që kanë miqësi të ngushta janë më pak të riskuar nga sëmundjet, si: kanceri, diabeti dhe problemet e zemrës. Njerëzit që kanë një rreth të ngushtë miqsh priren të jetojnë më gjatë se ata që nuk kanë.
Një studim i kryer në një universitet në Utah, me 300 mijë pjesëmarrës, gjeti se faktorët si numri i miqve dhe miqësitë e forta lidheshin me vdekshmërinë e ulët. Edhe miqësia në fëmijëri parashikon rezultate më të mira të shëndetit më vonë në jetë. Një studim disa dekadësh me djem dhe burra, i Universitetit të Teksasit gjeti se koha e kaluar me miqtë në fëmijëri shoqërohej me shëndet më të mirë fizik në moshë të rritur. Djemtë që kishin kaluar më shumë kohë me miqtë kur kishin qenë fëmijë kishin presion më të ulët të gjakut dhe Indeks të Masës Trupore (BMI) më të ulët në fillim të të tridhjetave.
Një kërkim në neuroshkencë gjeti se mbështetja shoqërore e perceptuar kishte ndikim më të madh tek shëndeti sesa mbështetja reale. Studiuesi mati reagimet e hipotalamusit, kur dikush vendosej në një situatë stresonte me ose pa praninë e dikujt tjetër. Hipotalamusi është përgjegjës për çlirimin e kortizolit (hormonit të stresit) kur perceptohet një ngjarje alarmante. Studimi pa reagimet e trurit kur njerëzit nuk kishin mundësi të kapnin dorën e dikujt tjetër dhe dallimet mes kapjes së dorës së një të panjohuri kundrejt një personi të dashur. Rezultatet treguan se truri e perceptonte situatën si stresante më shpesh tek ata që nuk mund të kapnin dorën e dikujt. Ndërsa ata që kapën dorën e një personi të dashur shfaqën më pak reagime alarmuese se me ata që kapën dorën e një të panjohuri.
Përveç të mirave në shëndetin fizik, njerëzit që kanë lidhje të ngushta miqësore kanë përfitime në shëndetin mendor. Këta njerëz janë më të lumtur dhe më pak të riskuar nga problemet e shëndetit mendor. Pasja e miqve rrit vetëvlerësimin dhe redukton ankthin e depresionin. Kërkimet tregojnë se formimi i një miqësie të ngushtë në mesin e adoleshencës (mosha 15- 17 vjeç) përmirëson gjendjen e shëndetit mendor dhe ul shanset për të vuajtur nga ankthi dhe depresioni në moshë të rritur të hershme.
Miqtë na ndihmojë të përballemi me vështirësi, që nga sëmundjet deri te humbja e një personi të afërt. Pasja e miqve na bën të jemi më të vëmendshëm dhe të kujdesemi më shumë për shëndetin. Miqësia në një moshë të re mund të ndihmojë në zhvillimin e marrëdhënieve romantike të shëndetshme më vonë, pasi na ndihmon të mësojmë si të bëjmë kompromis në marrëdhënie, si të komunikojmë dhe si të krijojmë marrëdhënie romantike të suksesshme në të ardhmen.
Miqësia bëhet më e rëndësishme në kohë të vështira. Izolimi dhe vetmia janë më të shpeshta te njerëzit që vuajnë, ndaj pjesë e “kurës” së tyre është edhe ruajtja e lidhjeve të forta miqësore. Në terapi, kur vlerësojmë shëndetin mendor të një personi, ne bëjmë hartën e burimeve të tij, që përbëhet nga të gjithë ata persona të afërt tek të cilët ai mundet të mbështetet gjatë dhe pas terapisë. Pjesë e rëndësishme e kësaj harte janë miqtë dhe të afërmit. Kur dikush përjeton distres ose vuan nga shqetësime të shëndetit mendor, miqtë luajnë rol mbrojtës. Pra, miqësia na përmbush nevojën për të qenë të lidhur me të tjerët. Ajo është një marrëdhënie që zhvillohet me kalimin e kohës dhe që ruan një vend të veçantë në zemrën tonë.
Që nga fëmijëria deri në në moshë të rritur, miqtë e përmbushin jetën tonë. Ndërsa gjatë jetës mësojmë se miqtë tanë janë një pasqyrim i vetes sonë dhe i asaj që dëshirojmë të bëhemi. Shumë njerëz hyjnë dhe dalin në jetën tonë, por miqtë lënë gjurmë në të. Ndoshta, një nga shprehjet më të bukura që kam lexuar për miqësinë thotë se “të ecësh me një mik në errësirë është më mirë sesa të ecësh vetëm në dritë”. Megjithatë, jam e bindur se fjalët për miqësinë janë gjithmonë të pamjaftueshme, sepse miqësia është një thesar i paçmuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.