Në fokus

January 9, 2019 | 10:26

Nga Lediona BRAHO / Vlera e punës: Të bësh atë që do apo të duash atë që bën?

Titulli mund t’ju duket si një lojë fjalësh. Në fakt, mora shkas nga mendimet e njerëzve për punën që bëjnë. Disa njerëz vërtet bëjnë punën që duan, disa të tjerë vërtet e duan atë që bëjnë, por ka edhe nga ata që, as bëjnë punën që duan dhe as e duan punën që bëjnë. Çfarë i bën disa njerëz ta bëjnë punën e tyre me dëshirë dhe të marrin kënaqësi prej saj? Po disa të tjerë, çfarë i bën të mos bëjnë punën që duan, por sërish të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën punë për vite me radhë?

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Lediona Braho, Psikologe Klinike

Kalojmë një pjesë të madhe të kohës në punë, ndaj puna është një pjesë vitale e ekzistencës sonë. Një nga gjërat për të cilat i pyesim njerëzit që takojmë për herë të parë lidhet me punën që ata bëjnë: “Me se merresh?” Ndoshta kjo pyetje buron nga nevoja për ta njohur më mirë tjetrin që kemi përballë. Duke e pyetur për punën, mundet të kuptojmë shumë gjëra për dikë, nisur nga vendi ku ai punon, pozicioni që ka, detyrat që kryen dhe mënyra si shprehet për punën e tij.

Për të kuptuar vlerën e punës, shumë njerëz pyesin veten: “A ka kuptim kjo që po bëj?” “Cili është qëllimi i kësaj pune?” “Çfarë të mirash më sjell mua? Po shoqërisë?” Sigurisht, përgjigjet nuk janë asnjëherë plotësisht të qarta. Disa e gjejnë kuptimin te dhënia e ndihmës të tjerëve. Disa te jetësimi i një ideologjie. Disa të tjerë te marrëdhëniet me të tjerët. Disa të tjerë te paratë që fitojnë.

Pavarësisht dallimeve, në përgjithësi, shumica e njerëzve besojnë se puna e tyre ka vlerë, kur ata ndiejnë se po i përdorin aftësitë dhe talentin e tyre në punën që bëjnë. Studimet kanë treguar se punonjësit janë më të prirur të përfshihen më tepër në atë që bëjnë, nëse kanë një punë që i ndihmon të arrijnë qëllimet e tyre. Ka një perceptim të përgjithshëm se puna që bëjmë tregon çfarë vlerash dhe qëllimesh kemi në jetë. 

Kur puna lidhet me vlerat dhe besimet tona themelore, ne ndihemi shumë mirë, të motivuar dhe plot qëllime. Sipas studimeve, disa nga tiparet më të rëndësishme që duhet të ketë një punë, për të qenë një punë me vlerë, janë: dobia shoqërore, autonomia, mundësitë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar, morali, cilësia e marrëdhënieve dhe vlerësimi.

Një punë merr më shumë vlerë kur punonjësit i çojnë vlerat personale në vendin e punës. Nga ana tjetër, edhe vetë organizata duhet të krijojë një klimë për punonjësit, ku ata t’i shprehin vlerat e tyre. Kjo është një lidhje e ndërsjellë. Studimet kanë gjetur se kur ndiejmë se bëjmë një punë me kuptim, na rritet motivimi dhe kënaqësia në punë.

Studime të tjera e kanë lidhur kënaqësinë në punë me produktivitetin. Një punë që na jep kuptim dhe përmban vlerat tona, është me mjaft rëndësi për mirëqenien tonë, na ndihmon të jemi të shëndetshëm dhe të jetojmë më gjatë.  Ata që bëjnë një punë që duan dhe që u jep kuptim kanë më pak gjasa të përjetojnë stres të zgjatur që rrezikon të shpjerë në burnout ose konsumim profesional.

Mirëpo ka edhe njerëz të pakënaqur me punën që bëjnë, sepse ajo punë nuk i përmban faktorët e përshkruar më sipër.  Shpesh ndodh që, në punë të merren vendime për të cilat punonjësit nuk janë në dijeni, ka shkurtime dhe qarkullim të lartë, klimë jo të mirë dhe komunikim të varfër mes punonjësve. Të gjitha këto, jo vetëm frenojnë produktivitetin, por ulin motivimin, kënaqësinë dhe mirëqenien e punonjësve.

Si përfundim, të bësh punën që do është, ndoshta, një nga gjërat më me vlerë në ditët e sotme. Nëse secili prej nesh do të bënte atë që do të donte, atëherë do të ishim më të lumtur. Puna dhe jeta jonë do të ishte plot kuptim. “Zgjidhni punën që dashuroni dhe nuk do t’ju duhet të punoni një ditë të vetme në jetën tuaj”. Kjo është ndoshta, një nga shprehjet më të vërteta që kam lexuar për punën, huazuar prej njërit nga dijetarët më të mëdhenj të njerëzimit, Konfucit.

Meqë perceptimet për punën janë personale, duhet t’i marrim të gjithë njerëzit me radhë për të kuptuar ku e kanë origjinën mendimet dhe ndjesitë e tyre. Vlera që dikush i jep punës është aq komplekse saqë mjafton të përmendim faktorë si kultura, gjinia, statusi shoqëror-ekonomik, deri te sjelljet e mësuara në fëmijëri; vetëm sa për të hapur një sipar për reflektim të mëtejshëm: “A e dua punën që po bëj?”

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top