A mund të ndryshojë koncepti kohë? A mundet ajo ta humbasë rëndësinë, apo të marrë më shumë vlerë, në një segment të caktuar, që mund të jetë një shekull, një dekadë, apo pesë vjet të thjeshta tokësore? Padyshim që po. Dhe këtu nuk ka nevojë për fizikë të aplikuar dhe as për kalkulime matematikore. Këtë gjë hyjnore e bën të mundur një poet i vetëm. Për më tepër kur mbart mbi vete vlera universale. Ai është Ali Podrimja, poeti që lindi në Gjakovën e Kosovës, por që vdiq në ditët e një festivali poezie në Lodeve të Francës.
Pesë vjet pas vdekjes së tij në rrethana misterioze dhe ende të pasqaruara, një tjetër poet, këtë herë nënshtetas grek, i kushton një libër të veçantë. “Ali Podrimja in Memoriam”, është vëllimi që Dinos Koubatis ua dhuron shqiptarëve.
Miq të Ali Podrimes, por dhe të Dinos Koubatit, që është jo pak i njohur në trevat shqiptare, u mblodhën në Muzeun Historik Kombëtar për të promovuar librin në fjalë. I pranishëm në këtë takim, poetësh e prozatorësh bashkë, ishte edhe ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko.
“Fjala shqipe kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës në mes të Evropës”, tha mes të tjerash në fjalën e tij të hapjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr.Dorian Koçi. Sipas tij, arti i vërtetë përmes poemave të Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqip.
Ali Podrimja jo rrallë herë është cilësuar si poet me një talent të rrallë, i paparashikueshëm e për më tepër jokonvencional.
Për profesor Përparim Kabon, është shumë interesant fakti që një poet nga Greqia shkruan për një poet nga Kosova, dhe sipas tij, është pikërisht një njeri si Dinos Koubatis që me veprën e tij kapërcen pengesat të cilat politika i ngre në kufijtë e Ballkanit. Dhe në fund të përshëndetjes së tij të ndjerë, me një nuancë sa filozofike aq edhe njerëzore, Përparim Kabo do t’i drejtohej me këto fjalë Ali Podrimes, me sytë nga tavani apo qielli mbi të, si për të thënë se poeti me siguri ishte veç në parajsë e askund tjetër: “Ali, a na dëgjon? Dinos Koubatis na ka mbledhur në këtë muze, jo për të trajtuar si një objekt muzeal, por për të të çmontuar nga kompleksiteti i heshtjes”.
Njerëzit e letrave, ata që merren me studimin dhe kritikën e fenomeneve letrare, e vlerësojnë poezinë e Podrimes si me vlera universale, moderne e bashkëkohore. E si për t’i vënë vulën kësaj, duhet theksuar se poezitë e tij janë botuar në rreth 40 gjuhë të botës.
Nuk duhet më shumë se kaq për të thënë se në fund të fundit Ali Podrimja është një poet i përbotshëm.
Poeti dhe prozatori Pandeli Koçi gjithashtu do ta cilësonte Ali Podrimen si një shpirt rebel, dhe mbylljen e fjalës preferoi ta bënte me disa vargje të tij, pikërisht me ato ku motivi i vdekjes së poetit pranë bregut të lumit u profetizua edhe në vargjet e poezisë: “Me qenë”: Të jesh shqiptar/ e vdekja të mos të gjejë/ edhe në skaj të botë/ e pamundur është…
Dhe kështu në këtë prezantim libri, nuk do të mungonin as vargje të tjera të poetit emblematik, për të cilin në një gazetë si “Koha Ditore” do të shkruhej: “Ai erdhi furishëm dhe u fut në jetën e shqiptarëve si meteor, erdhi me një filozofi të çuditshme jetësore, me një synim – të jesh i pari, në maje”.
Me siguri Ali Podrimja është i tillë.
Në fund të takimit foli autori i veprës, poeti Dinos Koubatis. Duke e cilësuar Ali Podrimen si një mik të shtrenjtë dhe vdekjen e tij si një humbje ndërkombëtare, Koubatis tha se, kur mori përsipër të bënte një vepër për të, nuk mendoi të shkruante diçka të thjeshtë, por të bënte një studim të thelluar dhe analizë krahasuese për veprën e tij.
Dhe ia doli.
Në fund, padyshim, si në të gjitha rastet e një promovimi serioz, gjithçka i u mbyll me dhënien e autografeve nga ana e poetit grek Dinos Koubatis, mbi faqen e parë të botimit të tij të fundit:“Ali Podrimja in Memoriam”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.