Nga Leonard Veizi
Thuhet se rrugët e Tiranës janë kthyer në një ferr të vërtetë, për këmbësorë, biçiklistë e drejtues automjetesh. Problematika duket aq e madhe sa çështja është shtruar për zgjidhje në tavolina emisionesh televizive e në tavolina kafenesh gjithashtu. Por vetëm një vëzhgim në orët e pikut, të jep dimensionin e vërtetë se ku rreh debati, e me këtë rast të të mbushet dhe mendja se fjalët nuk dalin kot.
Por e dini me çfarë ndeshesh rëndom në këto rrugë me trafik të rënduar?
Në qoftë se më së shumti prej jush mendon se janë shoferët që u bien borive vend e pa vend, duke krijuar ndotjen akustike tej normave të lejuara, unë ju them se jo. Në rrugët plot makina të kryeqytetit, në kryqëzime me semaforë tri ngjyrëshe, e vijëzime të dala boje, do ndeshësh më së shumti gra me celular në timon. Padyshim që është emancipim spektakolar të shkosh në punë me makinën tënde; ta mbushësh serbatorin dëng me benzinë se e ke portofolin plot, e të kapësh 80 kilometra në orë për 5 sekonda nga starti. Se nuk kanë ndodhur këto para viteve ´90. Dy gra shofere kishte gjithë Tirana, njëra i jepte një ZIS-i me rimorkio, diku andej nga Ndërmarrja Bujqësore “Gjergj Dimitrov” e një tjetër kishte kapur timonin e taksisë tip “Varshava” prodhim polak i vitit 1953. Diktatura i dënoi rëndë ca shtresa për 45 vite e mos më tepër. Grave ua mori shpirtin nëpër aksione e punë vullnetare. Nuk kishin kohë as për të shkuar te parukerja e as të bënin thonjtë me xhel. Po shyqyr mbërriti demokracia dhe liria e dëshiruar erdhi me një tufë aksesorësh nga pas. Kaluan 25 vite, u ftilluan. Si hoqën nga përdorimi sapunin e Rrogozhinës, e filluan jetën e re me një prerje flokësh “alla franceze”, pastaj blenë nga një celular me taç, dhe në fund nga një makinë. Sipas mundësive: ca “Smart” si kuti shkrepëseje e ca fuoristrada, me 8 pistona që shpenzojnë 20 litra karburant për 100 kilometra. Kjo është jeta. Këtu u bëmë një me Europën. Se ca aspirata i kemi plotësuar ne shqiptarët, kot të qahemi.
Por nuk mbaron me kaq. Për më saktë, këtu fillon dhe problemi.
Me një dorë në timonin e makinës e një tjetër te celulari, që e mban në vesh kushdo thyen ligjin, në Shqipëri, Europë e Amerikë po deshe. Se dhe mua më ka rënë rasti të bëj ndonjë budallallëk në rrugë: edhe me të kuqe kam kaluar e s’ma ka bërë syri “tërrt”, po kur vjen puna për të folur në celular nuk ma mban fare. Por nga dritaret e makinës, apo kur e marr rrugën më këmbë, gjatë gjithë kohës shoh gra që flasin në celular kur janë në timon. Vajza të reja e gra në moshë sa të mbetesh me gojë hapur e të të bjerë damllaja. Nuk e heqin celularin nga veshi dhe kur janë gati të bëjnë “xing”. Këtu e them me bindje se ato janë trimëresha të vërteta, si Shota, si Tringa, si… Se mos keqkuptohemi; nuk është puna se kanë marrë mauserët në dorë, u mjafton timoni. Apo mbase më duken kaq të forta ngaqë mua vetë më shkojnë shtatë kur më bie zilja e celularit gjatë rrugës, dhe bëj sikur nuk e dëgjoj. Ndërsa ato o të keqen instinktet top, yxhym me celularin në kokë e timonin në dorë dhe i bëjnë zbor makinës e xhirojnë gomat si të jenë në “fushën e Starovës”, e futen në kthesë pa e vënë këmbën në frena. Nuk i pengojnë as thonjtë e vënë e as sandalet me taka 10-12 centimetra të larta.
Ta lëmë mënjanë ironinë.
Në Kodin Rrugor, nene të veçanta përcaktojnë qartë për: rripat e sigurisë, shpejtësinë brenda normave të lejuara, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, përdorimin e telefonit celular, e ca të tjera. Pra, përdorimi i telefonit celular gjatë udhëtimit kur je drejtues automjeti përbën kundravajtje dhe dënohet.
Dhe le të kthehemi sërish aty ku e lamë…
Por a kanë faj femrat që rrinë gjithë kohës me celular në vesh?
Jo, them unë. Dhe i kam ca argumente, kur u dal në mbrojtje. Pra, nuk është tërësisht faji i tyre. Është “hi tech”-u që i ngacmon. Mesazhe pa fund në “viber” e “what’sapp”. Operatorët celularë po e kanë liruar dorën sa s’bën: minuta falas e internet pa kufi. Të keqen e “Samsungut S 6” se brenda 10 minutave informohesh. Mirëpo ndërkohë, duhet t’i japësh dhe makinës. Se dhe gjatë pritjes në semafor për 6-7 sekonda sa të hapet jeshilja, aty në mes të kryqëzimit, e shfrytëzon kohën. E bën një status bashkë me selfien. “Jam te Bërryli, po shkoj për në punë. Dita është e papame. Jeta plot shkëlqim. Puc”. Alamet optimizmi. Hapet jeshilja dhe makina fluturon. Rrugës e poston. Te semafori tjetër dërgon një sms: “A është shefi në zyrë se jam me vonesë?” Përgjigjen e lexon rrugës: “Mos e rruaj fare, ka shkuar në kafe”.
Po ka dhe këmbësorë që presin gjithë tension te vizat e bardha, duke parë sa majtas-djathtas para se të hedhin këmbën nga trotuari. Mirëpo duhen marrë vesh të rejat e fundit: ca nga bota e ca nga vendi. Duhet ditur çfarë kanë bërë një natë më parë rivalet. Si kanë qenë të veshura? Nga cili “pub” i kanë postuar fotot? Po ja që të futet një kalimtar i pakujdesshëm m’u te hunda e makinës: “Idiot, ku e ke mendjen”. Tjetri mbledh supet: “Mirë unë, po ti?”. “Ik or debil”. Debati mbyllet, makina ecën me tërsëllimë. S’ia vlen të humbasë kohë me kalimtarët që hipin në autobusët e linjës me abone. Është vonë për në punë.
Kjo është panorama e sotme në rrugët e Tiranës. Lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të pish një kafe te një lokal buzë rruge, e të përqendrohesh. Dhe nuk do relaksohesh, por do të të iki truri nga ajo që do shohësh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.