Të gjithë humbim miq. I humbasim kur ikin nga kjo jetë, i humbasim që në të gjallë të tyre. Në të gjitha rastet na vjen keq sigurisht, sepse është një investim i dyanshëm, që mbetet në anë të rrugës si ato gërmadhat që bashkia kërkon t’i shembë, se demek janë “ndërtim pa leje”.
Por në këtë shkrim nuk dua të flas për miqtë, ata të vërtetët, por për miqtë kallp. Ata që vërtet janë ndërtim pa leje e që nuk duhet ardhur keq kur u vjen radha për ruspën e bashkisë. Megjithatë…:
“Zoti mos na lëntë pa miq”.
Ja një në dorë.
“Miku i mirë në ditë të keqe”.
Kjo e dyta i vë vulën. Të vazhdoj më tej…
Jo mor jo, e për çfarë duhet ta vazhdosh. Sikur është ndonjë zbulim i madh ky. Ka më shumë se njëmijë vjet që thuhet e njëjta gjë. Në mos dy. Por këto fjalë të urta popullore ardhur nga thellësia e shekujve me një gjuhë arkaike, apo dhe në formën e një sentence të modernizuar, që gjithsesi vazhdojnë të mbeten me autorë anonim, sa herë që thuhen në publik, marrin një miratim të përgjithshëm prej më shumë se 99.99 për qind të dëgjuesve.
Po armiqtë???
Pyetje enigmë…
Ka fjalë të urta dhe për armiqtë. Por anonimët e popullit, që nga koha e luftës me shpata për territore, mund të jenë treguar më të kursyer me ta. Epo armiku dihet, armik mbetet. Ç’i do llafet. Nuk ia vlen t’u ngresh lapidarë me fjalë që kalojnë mijëvjeçarët, më shumë se vetë piramidat e Egjiptit.
Por nuk është se kam ndërmend të grumbulloj fjalë të urta për mikun e miqësitë. As për armiqtë e bëmat e tyre. Madje as që kisha ndër mend ta shtroja si ide për ndonjë diskutim estetik. Thjesht doja të tëhollja ca fjalë. Se kur nuk ke se çfarë të bësh, – thotë populli në vazhdim, – do tundësh derën.
Ç’është e vërteta, në kuptimin e përgjithshëm, armiqtë janë shumë më të rëndësishëm se miqtë. Ose të paktën kështu na është dukur në fillim. Dhe është e thjeshtë: ata na motivojnë. Na bëjnë të ecim përpara. Na bëjnë t’i futemi me kokë punës e t’i dalim në krye. Nga inati, sigurisht. Sa më shumë armiq, aq aq më shumë cmirë dhe inat, e për rrjedhim më shumë para, famë… e ca të tjera që vijnë pas tyre.
Tek e fundit, ç’kuptim ka të deklamosh se ke veç miq. Duhet të jesh naiv i pandreqshëm, dhe ca debil e pallosh madje sa të mendosh se miqtë e tu të duan sa s’thuhet, madje e duan të mirën tënde deri aty ku nuk u mban kandari.
Por hallka më e rëndësishme, ajo që bashkon dy kahet e kundërta të armiqve, është një person i tretë. Ky ka vlera të rralla e të pazëvendësueshme. Ky është ai që me plot dinjitet nga mik të kthehet në armik. E ja këtu fillon ambicia e vërtetë. Sinergji inatçore. Shumëfishohen fama, paratë dhe ato të tjerat që vijnë pas tyre.
Se është ai miku, tek i cili ti ke pasur besim, dhe ke menduar se anën e krahut ku qëndron ai e ke të mbrojtur, të cilin kur e “gërvisht” pak… “I ndërron çehrja”, – do thoni ju? Kjo është më e pakta. Se ngjyrat e fytyrës ikin e vijnë. Rregullohen dhe me pudër a ton kozmetike.
Konflikti bëhet më i thellë.
Morëm rastin e një “gërvishtje” pa dashje, se ka plot raste kur nuk ka nevojë ta gërvishtësh fare. Ai që ti e ke konsideruar si mik, potencialisht është kthyer në armik edhe pse ty vazhdon të të duket si mik.
“Armiqtë të motivojnë në egon tënde. Ata janë antivirusi i vërtetë”.
Ja…, këto janë fjalë të thëna tamam. S’ka nevojë për anonimin popull të ardhur nga lashtësia. Kjo është e këtyre kohëve të fundit, moderne. Të shekullit të kibernetikës dhe fizikës kuantike. Dhe sipas leksioneve të reja të psikologjisë, nuk duhet parë si një problem i madh fakti kur një mik të kthehet në armik.
Në këto kushte ka lindur dhe pyetja: A është kjo një disfatë apo duhet parë me një sy më realist?
Ka zëra që thonë se kjo “hata” duhet parë me një këndvështrim tjetër. Domethënë duhet t’i marrësh të mirën së keqes. Madje dhe kur nuk ke armiq, apo miq-armiq aq sa duhet, ata duhen fabrikuar. Sepse miqtë-armiq, këta njerëz me togfjalësh të përbërë, të motivojnë shumë më tepër se armiqtë me emërtimin e thjeshtë.
Kur kthehen në armiq, këta miq janë më të këqij se vetë armiku. Prandaj dhe ndeshja e përbashkët, me zhurmë apo e heshtur si vdekja, merr një vlerë krejt sublime. Sepse një armik përgjithësisht është më objektiv ndaj armikut të tij. Ndërsa një miku nuk ka fare mëshirë për mikun e tij të dikurshëm. Vëllai është akoma më i keq, të lë top në vend e si dridhet syri. Domethënë sa më shumë ngushtohet rrethi edhe njerëzit më të afërt të kthehen ndër armiqtë më të rrezikshëm.
Mos u shqetësoni, – ju që ia keni ngenë të lexoni përsiatje të tilla, – nuk ka probabilitet matematikor te kjo që sapo thashë. Se nuk është gjithmonë kështu. Ka raste kur një shok të bëhet vëlla e shkuar vëllait. Thjesht po bëj një lojë fjalësh. Dhe loja e fjalëve vazhdon…
E keqja nuk është tek armiku. “Atij armikut përballë nuk ia kam frikën, se istikamin e kam, pushkën e kam ngjeshur me fishekë blindëshpues, e syrin pishë, dhe i them: Eja po ta mbajti. Frikë kam mikun, se ai e heq patllaken me lezet nga brezi dhe të le të çarmatosur” – s’di pse më erdhi aq natyrshëm të perifrazoj një aktor brilant si Kadri Roshi, nën petkun e një personazhi fshati tek një nga ata filmat skematik të realizmit socialist.
Më thoshte një i njohuri im këtu e vite me parë: “Armiku është burrë i mirë, s’ta zgjat shumë, të vret me të parën. Shoku po, ai ta ngop, dhe ta ngop mirë madje”.
Në fakt, ai i njohuri im i dikurshëm e mbajti gjuhën, se donte të dukej diçka si intelektual, edhe pse po pinim raki koçimare me qofte që vinin era qen, në një kioskë me teneqe të ndryshkura. Sepse në ditët e sotme terminologjia reale nuk ka të bëjë me foljen “ngop” por “fut”. Pra thënë troç: T’a fut sa krahu.
Epo kështu bie poshtë dhe postulati proverbial: I yti mishin ta ha, por kockën ta ruan.
Prapë te proverbat dolëm. Edhe kjo e lashtë duhet të jetë. Më tej se koha e Skënderbeut. Që atëherë kur Çezari u ndesh me Pompein në tokën ilirike, si dy miq të vjetër që ishin.
Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo kohë.
Sot (ar)miku nuk të vret, është më human se kaq. Ai thjesht të pengon, d.m.th të vë ca shkopinj nën rrota. Hera herës të heq bukë nga goja, të vendos një bërryl mes brinjëve apo të largon nga puna me stil sepse është bërë pjesë e një klani tjetër që nuk e pëlqen surratin tënd. Do gjesh motivet më banale te armiku yt i ri dhe më idiotet njëkohësisht. Në të vërtetë edhe ajrin mund të ta marrë po iu dha rasti… Bën si të pamundurën për të të ndihmuar, por në të vërtetë nuk e ngre as gishtin e vogël, sepse e di që nuk ka çfarë të përfitojë prej teje. Dhe në shkëmbim të asgjësë jepet asgjëja. Dhe pa iu dridhur syri të thotë se të gjitha i bën në emër të miqësisë. Çështje miqsh.
Çdo duhet të të bëjë më shumë se kaq një (ar)mik.
Këto kisha për të thënë këtë herë, duke menduar se kam thënë mjaftueshëm për armiqtë e sotëm, dhe miqtë sigurisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.