‘Burgu është për burrat’, kjo shprehje, e cila është rrënjosur thellë në psihën tonë kolektive, është një shprehje, që duhet shmangur së përdoruri. Kjo shprehje nuk ka asgjë të vërtetë. Në burg hyjnë ata, që nuk bëhen dot “burra”. Të futesh në burg do të thotë të lejosh tjetrin të vendos për ty deri në ekstrem, edhe se kur duhet të kryesh nevojat personale. Të futesh në burg, do të thotë të mos kesh ndërtuar mekanizmat e vetëvlerësimit dhe respektit për veten.
Burgu është vendi ku njeriu identifikohet jo me veten, por me një veprim të pamenduar në një çast të caktuar. Dhe është ky veprim që do ti diktoj tash e mbrapa ecurin e jetës së tij. Të rriturit duhet të kenë kujdes kur i përdorin këto shprehje në prezencë të fëmijëve dhe, sidomos, adoleshentëve. Të lavdërosh të keqen pasi, vesi dhe shkelja e ligjit janë e keqja, në prezencë të fëmijëve dhe adoleshentëve do të thotë, që i rrituri nuk arrin të bëj dallimin midis të mirës dhe të keqes.
Këta të rritur duke e treguar si aventurë hyrjen në burg, ngacmojnë dhe nxitin fantazinë e adoleshentit, që është i uritur për tu identifikuar dhe për tu shquar për “bëmat” e tij. Në këtë moshë agresiviteti i adoleshentit kanalizohet nëpërmjet sporteve, arteve, punës dhe dhunës, prandaj kërkon shumë kujdes nga të rriturit, që janë pranë tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.