“Mos u bëj merak, unë e kam si çunin tim”. I thotë dadoja apo edukatorja nënës të fëmijës, për ta qetësuar dhe siguruar që e mban mirë fëmijën që i është besuar. Dadoja apo edukatorja, vërtetë mund ta mbajnë mirë fëmijën, por shprehja që ato përdorin nuk e qetëson fëmijën, por përkundrazi e shton pasigurinë që ndjen fëmija kur shkëputet nga nëna.
Sado i vogël të jetë fëmija, kur shkëputet nga nëna i rritet shkalla e ankthit. Ai nuk e kupton pse nëna e çon në çerdhe apo kopsht. Pse duhet ta mbajë një njeri që nuk e njeh. Këto pikëpyetje te fëmija provokojnë gjendje alarmi. Dhe kur shtohen dhe shprehje të tilla të pakujdesshme që mbase nënën e qetësojnë, por fëmijën vetëm e trembin.
Fëmija kur dëgjon këtë shprehje, që “e dua si fëmijën tim”, mendon që nëna e tij nuk e do dhe do ta lërë me këtë gruan tjetër. Kini kujdes prindër, të rritur, zgjidhini fjalët jo vetëm për t’u qetësuar vetë, por edhe për të mos rritur shkallën e ankthit të fëmijës. Me ankthin nuk bëhet shaka.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.