Nuk është e keqja te divorci, por te qëndrimet dhe sjelljet e të rriturve, duke filluar nga vetë autorët e divorcit që harrojnë se janë dhe prindër. Fëmijët e tyre nuk kuptojnë nga konflikti burrë-grua, ata dinë një gjë që ky burri dhe kjo gruaja që zihen me njëri-tjetrin, janë mami dhe babi i tyre dhe ata nuk mund të kuptojnë jetën pa ata të dy, mamin dhe babin.
Mirëpo e keqja vazhdon, prindërit dhe të afërmit e palëve në “luftë” në vend që të merren me fëmijët dhe t’u zbutin ankthin, shfryjnë dhe etiketojnë pa menduar se fëmijët dëgjojnë gjyshërit, dajat dhe xhajat së bashku me tezet dhe hallat që u shajnë prindërit. Harresa e fëmijës ky është problemi.
Kur ndodh divorci sikur ndodh një termet jo vetëm për çiftin që ndahet dhe familjet e tyre, por edhe për komshinjtë së bashku me të panjohurit. Të gjithë pa përjashtim flasin dhe japin mendime që nuk ua kërkon njeri. I prishin të gjitha censurat dhe shpërthejnë pa kontroll. As që u shkon në mëndje që në këtë histori që janë përfshirë, është në lojë jeta e fëmijëve të çiftit që pushtohen nga pasiguria dhe ankthi se si do të jetë fati i tyre.
Harresa e fëmijës është problem dhe jo divorci. Paaftësia e të rriturve duke filluar nga prindërit, që nuk menaxhojë dot situatën e tyre emocionale dhe harrojnë që prindër do të jenë edhe kur të mos jenë më, pavarësisht nëse janë të divorcuar apo jo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.