Të duash fëmijën nuk do të thotë ti blesh rroba, makina,lodra apo ti bësh një dhomë, që prindit i duket e bukur. Kjo formë marrëdhënieje, që prindi pa dashur ndërton me fëmijën, është formë komerciale. Është sikur bën një kontratë “Unë po të blej sendet, ti më lër rehat”.Me fëmijën nuk krijohen marrëdhënie kaq të përcipta. Marrëdhënia prind-fëmijë, është marrëdhënia themel e njeriut me njeriun nëpërmjet vetëdijes, ku sendet kanë vlerën minimale.
Të duash fëmijën, do të thotë të jesh aty kur hedh hapin e parë dhe si Atlasi, mban gjithë universin njerëzor mbi kurriz për të realizuar këtë veprim. Dhe po aq energji dhe mbase edhe më shumë i duhet për të artikuluar fjalën. Dhe janë pikërisht këto momente që fuqizojnë ose jo lidhjen prind-fëmijë. Mbështetja, nxitja dhe durimi i prindërve, janë edhe kyçi i suksesit të rritjes dhe edukimit. Edukimi nuk është urdhër, por akt dashurie e përgjegjësie për të cilat fëmija ka nevojë si për ajrin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.