Edukimi nuk bëhet me entuziazëm. Është e vërtetë, që dëshira, është motori i vetëm, që njeriu ka në dispozicion në rrugën e mundimshme të realizimit të ëndrrave të tij, por edukimi nuk ndodh se i rrituri “do” apo “jep urdhër”. Edukimi nuk ndodh sepse ndërton e lyen ca mure.
Edukimi është vetëdije, pra vullnet, studim dhe punë e palodhur për të njohur problemet, nivelin gjuhësor e kulturor. Për të shmangur në radhë të parë kopjimin e mënyrës së një vendi tjetër. I cili e ka rezultante të studimit, kulturës, të historisë e nivelit gjuhësor të vendit e kombit të tij. Pa u bërë studimi dhe pa pranuar nivelin gjuhësor, nuk mund të ndërtohet një strategji për edukimin.
Edukimi është tregues i të ardhmes dhe sa qytetarë të përgjegjshëm kanë qenë paraardhësit dhe ata të rritur, që janë direkt në kontakt me fëmijët. Sa punë, sa vullnet, sa tolerancë, sa largpamësi, kanë investuar të rriturit, që kanë në dorë të ardhmen e fëmijës, duke filluar nga familja e deri te shteti e te njerëzit në rrugë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.