Edukimi realizohet nëpërmjet aftësisë së njeriut për të ditur. Edukimi nuk realizohet me atë, që dihet. Po u përpoqëm të edukojmë me atë që dimë, atëherë, fëmija është përjashtuar si protagonisti kryesor i këtij procesi. I rrituri i demonstron me këtë mënyrë, që është ai, i rrituri, që di dhe bën dhe ai i vogli, që duhet të pranojë pa diskutim apo t’i nënshtrohet, gjithçkaje që i kërkohet.
Është e vërtetë, që njerëzorja mësohet, por duhet mësuar në atë mënyrë, që të aktivizojë mekanizmat e të diturit dhe jo ato të të mësuarit përmendësh, që pengojnë veten të jetë aktive dhe protagoniste e procesit. Edukimi realizohet nëpërmjet modeleve dhe sistemit të vlerave, që një i rritur, një familje apo një shoqëri ofron. Fëmija mëson nga fjala, por modeli e tërheq, thotë profesor Çabej dhe fëmija ashtu bëhet, si modeli.
Nëse i rrituri i pretendon fëmijës fjalët dhe sjelljen e duhur dhe vetë përdor “fjalor rruge”, fëmija ato fjalë do t’i rrënjosë e për më tepër, do të mësojë të shtiret, sepse është i vogël dhe ka frikë. Fëmija mezi do të presë, që të gjejë rastin dhe të shpalosë edhe fjalorin dhe sjelljen prepotente si modeli.
Për fat të keq, këtë mënyrë sjelljeje të shëmtuar dhe fjalor rruge, e hasim përditë nëpër rrugët e qyteteve tona, ku fëmijë 8-10 vjeçarë përdorin një fjalor bazik që të vjen keq. Fëmijë, që duken sikur nuk kanë jetuar kurrë në familje. Duhet të kujtojmë një gjë, asnjeri nuk mund të mendojë jashtë fjalorit dhe fjalëve që përdor. Është fjala që prodhon mendimin. Prandaj duhet marrë seriozisht edukimi duke filluar nga familja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.