Fantazia është “leva”, që lëviz psihën e njeriut dhe mendjen e tij drejt kreativitetit dhe zbulimeve të mëdha. Shkenca, arti muzika, pra gjithçka, që është karakteristikë e njerëzores, këtu e ka burimin, po edhe vazhdimësinë. Kjo aventura e njeriut me fantazinë fillon në fëmijëri. Fëmija, falë sajë, mëson të folurën dhe njerëzoren.
Kur fëmija shikon një objekt, apo përpiqet të kuptojë një dukuri, për ta bërë të pranueshme për psihën, përdor fantazinë e tij dhe fjalën e të rriturit. Fëmija krahason atë çka i rrituri i ka shpjeguar me atë çka vetë arrin të perceptojë, nëpërmjet shqisave. Dhe ditë pas dite ai eksploron, njeh, verifikon dhe rrit aftësinë e tij.
Ai po mëson si të kombinojë, të njohurën me të panjohurën, për t’u bërë i aftë për të ditur. “Sa më e madhe të jetë e panjohura aq më e madhe është mundësia për të ditur”. Dhe ky proces, e ka origjinën dhe vazhdimësinë në dialogun “I rritur-I pa rritur”, natyrisht i mbështjellë e gërshetuar me fantazinë. Vetëm kështu, fëmija arrin të ndërtojë vetëdijen dhe fjalën e tij. Ky proces kërkon kohë për t’u realizuar, madje, është pjesë aktive e rritjes dhe edukimit të njeriut nga fëmijë në të rritur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.