Ekspozimi i shpeshtë i fëmijëve, ndaj formave të ndryshme të dhunës në familje, nga figurat që fëmija u referohet dhe janë modeli, që ai apo ajo dëshiron ti ngjajë, ka efekte shkatërruese dhe mundet të dëmtojë seriozisht mirëqenien, zhvillimin personal dhe ndërveprimin social të fëmijës si në fëmijëri, po ashtu edhe kur të jetë i rritur.
Këta fëmijë jetojnë në një gjendje alarmi të përhershme, pasigurie, frike dhe ankthi, si dhe një përzierje të inatit, turpit dhe poshtërimit. Shpesh zhvillojnë shqetësime të stresit post-traumatik dhe shenjat janë, pagjumësi, mungesë përqendrimi, rendiment të ulët në shkollë, zhvillim të vonuar, zvogëlim të kapacitetit njohës, defiçit përqendrimi dhe hiperaktivitet, somatizime të ndryshme sidomos gastrointestinale, dhimbje koke, trishtim, depresion, zemërim.
Ky kontigjent fëmijësh mund të zhvillojë sjellje të përkujdesit dhe bëhen mbrojtës të viktimës, duke vënë në veprim shumë strategji, si; të kontrollojnë se kush i bie ziles te porta, të përgjigjet në telefon për të filtruar telefonata, kujdeset për prindin e dhunuar, duke refuzuar të ndahet prej saj dhe kontrollon aktivitetin e saj. Ajo që e komplikon kuadrin psikopatologjik, është mbajtja “sekret” e situatës, që shpesh është e imponuar nga viktima.
Gjithashtu edhe frika nga dhunuesi, që kontrollon gjithë veprimet dhe mendimet si të viktimës, në këtë rast të gruas, po ashtu edhe të fëmijës apo fëmijëve. Si pasojë e kësaj mënyre të jetuari, gjithë frikë dhe duke fshehur realitetin nga të tjerët, pra mbajtja sekret, shfaqen shenjat e sindromës obsesiv kompulsive. Në adoleshencë hasen vazhdimisht sjellje të karakterizuara nga agresiviteti, si forma autoshkatërruese, po ashtu edhe agresivitet ndaj të tjerëve, brenda dhe jashtë familjes. Kjo sjellje gjithashtu shoqërohet me një deficit në kontrollin e impulseve.
Simptomat që përshkruam kanë një përgjigje biologjike: ekspozimi ndaj dhunës rrit sasinë e hormoneve të stresit, (në mënyrë të veçantë kortizolin) që janë neurotoksikë. Kortizoli i tepërt bën të zvogëlohet volumi i trurit dhe provokon defiçite në funksionimin konjitiv apo njohës, e bën inefiçent hipokampusin, qendrën e memories, të integrimit të kujtimeve dhe emocioneve, si dhe ngacmon amygdalën që është qendra e zonës së frikës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.