Mendja e fëmijës ka një energji të paimagjinueshme, që bën të mundur “rrugëtimin” drejtë së ardhmes, nga një nivel i caktuar, në një nivel më të avancuar gjuhësorë dhe psikoemocional. Nga një fëmijë, njeriu, “transformohet” në një të rritur dhe person.
Përdorimi i vjershave si praktikë gjuhësore, në moshën 0-6 vjeç, shkatërron pikërisht mekanizmat, që e nxitin fëmijën të arrijë këto nivele dhe të artikulojë “fjalën” e tij. Fëmija shikon dhe dëgjon të rriturin si e artikulon dhe kur e përdor një fjalë të caktuar dhe nëpërmjet mendimit, memories dhe kurajos së tij, ai ushtrohet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, për të artikuluar me fjalë atë që ai vetë mendon. Dhe kjo nuk është, aspak, një punë e lehtë, sepse ka të bëjë me të ardhmen dhe të qenit i rritur.
E ardhmja është një zbulim dhe eksperiencë individuale dhe jo një kopjim.
Ajo nuk duhet të jetë një eksperiencë e gatshme e dikujt tjetër, por një arritje hap pas hapi e vetë fëmijës. Fjalët e të rriturit duhet të jenë si shkallë, për të arritur fjalët dhe mendimet e veta, fëmija. Dhe këtë proces, e realizon më së miri dialogu i rritur – i parritur. Vjersha e detyron fëmijën t’i recitojë fjalët, pa i dhënë rëndësi të kuptuarit të tyre, pasi ato nuk janë arritje e fëmijës.
Kur fjala përvetësohet në këtë mënyrë, nuk zhvillon apo “hap rrugë”, por “shtyp” dhe nuk lejon zhvillimin e fjalës dhe mendimit të vetë fëmijës, prandaj duhet patur kujdes, përdorimi i vjershave duhet përdorur me më shumë kujdes dhe profesionalizëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.