Çdo fjalë të re, që fëmija mëson, hap një portë të re drejt së panjohurës dhe vë në punë mekanizmat psikikë, të cilat nxitin mendimin dhe të mësuarin. Fjala pasi “hap derën” kërkon të lidhet në “trung” të gjuhës që të ndërtoj kuptimin dhe të kuptuarën, që të mund të mendojë, të kuptojë e të kuptohet. I gjithë ky proces kërkon kohën e tij dhe është individual për çdo njeri, pra edhe për çdo fëmijë.
Shumë të rritur, duke filluar nga prindërit, insistojnë, që fëmija të realizojë një gjë të re menjëherë. Kjo mënyrë, ky padurim, është shumë i dëmshëm. Është shumë i dëmshëm, sepse shmang kohën e duhur, që i nevojitet fëmijës për ta realizuar vetë, sepse çdo gjë e re, është e “barabartë” me mekanizma të rinj psikoemocionalë.
“Gjëja e re” nxit zhvillimin e mekanizmave, pra ata nuk janë aktiv kur i rrituri insiston apo dikton, duan ca kohë, që të zhdërvjelltësohen. Kur i rrituri, kushdo qoftë, insiston dhe dikton, mekanizmat e pare, të cilët aktivizohen, janë frika, harresa dhe mos-përqendrimi. Të rritur, me padurimin tuaj apo dhe sidomos me egoizmin tuaj që fëmija të realizohet siç dëshironi ju, të jetë më i mirë se fëmija i X-it apo Y-it, ju me këto mënyra i dëmtoni fëmijës aftësinë e të mësuarit. Jepini fëmijës kohën e duhur, që të realizojë vetë njohjen, zbulimin dhe kuptimin.
Prindër, mësues të rritur, mos e ngecni fëmijën në mekanizmat fillestarë të të mësuarit, të cilat janë imitimi dhe përmendësh. Ndihmojeni ta zhvillojnë mendjen dhe mendimin nëpërmjet të mësuarit, pra nga një nivel fillestar, të arrijnë në nivele më të avancuara, ashtu siç realisht zhvillohet mendimi dhe të mësuarit, nga një nivel i caktuar në një nivel më të avancuar
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.