Ajo që e karakterizon edukimin tonë, është frika. “Vishe se do sëmuret, apo vishe se do ftohet”, “Ushqeje me zor se do dobësohet”. “Mos e lër të hyp shkallët se do të rrëzohet” “Mos e lër me biçikletë se do e shtypi makina” “Mos e lër të laget se do ftohet” dhe mund të vazhdohet pa fund, duke cituar frikërat e nënave dhe gjysheve, po për fat të keq edhe të baballarëve.
Ne të rriturit, e dimë veten si shpëtimtarët e fëmijëve, në fakt i pengojmë dhe i bëjmë të paaftë për t’u rritur e për ta njohur vetë mjedisin. Me këtë lloj pseudo-përkujdesje i pengojmë të fitojnë atë lloj zhdërvjelltësie fizike dhe psiko-emocionale që jep eksplorimi dhe arritja e një veprimi të bërë vetë.
Mirë që i pengojmë sepse kemi vetë frikë, por ajo që e bën këtë mënyrë edukimi të rëndë për fëmijën është etiketimi: “Ky mi, ky është i ngordhur”. Ose “Ky është qullac,” “Këtë e kalojnë të gjithë” dhe për ta mbyllur, pasi kanë numëruar epitetet, fillojnë dhe qeshin. Dhe pastaj pretendojmë, që fëmijët tanë të bëhen të rritur të zot, kurajoz e të përgjegjshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.