Harta emocionale mundëson njohjen, organizimin dhe zhvillimin e sferës emocionale duke e bërë atë, sferën emocionale, sa më të pasur dhe të menaxhueshme.
Emocionet dhe ndjenjat nuk janë të lindura, ato mësohen dhe zhvillohen gjatë rritjes. Për të zhvilluar ndjenjat, pra sferën emocionale, për t’i transformuar impulset në emocione dhe më pas në ndjenja dhe mendime, duhet në fillim të ndërtohet harta emocionale. Frojdi insistonte, që harta ndërtohej dhe organizohej deri në moshën 6 vjeç, ndërsa shkencëtarët sot kane vërtetuar që ndërtohet vetëm në tre vitet e para.
Pa këtë hartë njeriu nuk mund t’i transformojë impulset në emocione dhe falë hartës, njeriu mund të njohë dhe emërtojë atë çka ndjen. Është harta emocionale që mundëson dallimin dhe emërtimin e ndjenjave, të cilat tregojnë jo vetëm atë që ndjejmë, por edhe atë që dimë për atë që po ndjejmë. Pra falë hartës njeriu bëhet i vetëdijshëm për atë që ndjen dhe si mund ta përdorë në favor të vetes.
Zhvillimi i sferës emocionale, ndërtimi i hartës, emërtimi i asaj, që provojmë dhe ndjejmë, janë të gjitha procese psiqike dhe që ndërtojnë atë çka është njerëzore. Janë procese që janë të lidhura me inteligjencën emocionale, që në ditët e sotme i është dhënë rëndësia kryesore. Inteligjenca emocionale ndikon direkt në shëndetin mendor të njeriut dhe ajo ndërtohet në fëmijëri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.