Heshtja në vetvete është edhe dhunti, por edhe frikë dhe zhbërje. Po ti referohemi fushës së muzikës ku kombinimi i tingullit me pauzat (heshtjet) na jep melodinë, kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e heshtjes. Gjithashtu heshtja krijon tek njeriu pamundësinë për të ndërtuar marrëdhënien si me veten ashtu edhe me mjedisin, por i jep dhe mundësinë njeriut të analizojë dhe përzgjedh mendimin, fjalën apo veprimin e duhur.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre
Pra heshtja është një pjesë në shumësinë e “gjërave” që marrin pjesë në formimin dhe ndërtimin e njerëzores. Heshtja po të mos mbahet në konsideratë mund të krijojë ato lloj “hendeqesh” dhe “muresh”që nuk e lejojnë njeriun të komunikojë as me veten dhe as me tjetrin.
“Muret” dhe “hendeqet” e heshtjes ndërtohen shumë herët, atëherë kur fëmija qan dhe askush nuk i përgjigjet edhe pse janë prezent. Të rriturit pranë foshnjës duke e konsideruar atë si shumë të vogël, nuk përpiqen të japin më të mirën dhe më cilësoren e njerëzores. Kështu foshnja mbetet vetëm me pasigurinë që ia dikton statusi i tij. Foshnja është njeri dhe si i tillë, ka nevojë për fjalën e të rriturit që të njohë situatën që përjeton. Pa fjalën foshnja nuk mund të rritet në njerëzore. Mungesa e fjalës bëhet premisë për ndërtimin e “mureve” dhe “hendeqeve” të heshtjes. Heshtja bllokon pikërisht fuqinë dhe energjinë që zhvillon njerëzoren.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.