“Një nga sfidat e fëmijërisë është pikërisht të mësuarit e menaxhimit të impulseve normale të agresivitetit dhe kanalizimi i tyre në mënyra pro-sociale” apo e thënë shqip, të ndajë e komunikojë me tjetrin. Menaxhimi e rregullimi i të shprehurit të këtyre impulseve që janë të lidhura me frikën, zemërimin dhe frustrime të tjera, të cilat nxitin manifestimin e agresivitetit, është proces shumë i vështirë psikoemocional.
![Ilira Gjika, Mjeke Pediatre](http://revistapsikologji.com/wp-content/uploads/2018/01/lira-gjika-e1518031459521.jpg)
Ilira Gjika, Mjeke Pediatre
Mënyra më e mirë dhe e vetme për kanalizimin e rregullimin e tyre është loja, por loja nuk mund të zhvillohet pa prezencën e të rriturit. Është i rrituri që ja emërton fëmijës veprimet që ai kryen. Është i rrituri që e nxit fëmijën dhe i jep vlerë veprimeve kaotike që në fillimet e jetës. Pa këtë informacion të të rriturit fëmija as do të bëhej dot dhe as do të kishte kurajo të realizonte rritjen e tij dhe zhvillimin e komunikimit nëpërmjet fjalës si veti autentike e njeriut.
Është i rrituri, që i ngacmuar nga fuqia e energjisë së fëmijës, ka krijuar e krijon lojëra me të cilat fëmija mund të mësojnë të menaxhojnë frikën dhe zemërimin e tij. Të zhvillojë aftësi, si komunikimi me tjetrin, përqendrimin, mësimin dhe zbatimin e rregullave, që hap pas hapi tenton ti aplikojë në jetën e përditshme. I rrituri, i vetëdijshëm, që e di se informacioni dhe energjia, gërshetimi i tyre me njëra-tjetrën, krijojnë atë proces që ne e quajmë mendje që me vetitë e saj, si proces rregullator, monitorues dhe modifikues duke u vënë në punë, zhvillon mendimin dhe rritjen e fëmijës. (Mindsight. Danie J. Siegel).
Lojërat në natyrë, lojërat fizike, lojërat e ujit, rërës dhe baltës, të cilat venë në punë dorën dhe mendjen e fëmijës dhe sistemin imunitar të tij, e ndihmojnë fëmijën që duke marrë informacion, mëson të kanalizojë emocionet që provon dhe përjeton gjatë ditës. Lojërat gjithashtu, e nxitin fëmijën në zbulimin e aftësive të veta dhe mbi të gjitha, “nxitin aftësinë e të gjeturit”, që profesor Aleksandër Xhuvani, e citonte vazhdimisht dhe i jepte aq shumë rëndësi.
Këto lojëra bëhen të vërteta dhe të vlefshme vetëm në prezencën e të rriturit. Të dy, i rrituri i parritur, duke luajtur dhe kaluar kohë së bashku njihen dhe bëhen më të afërt me njëri-tjetrin, kështu, shmanget frika dhe dyshimi, duke ja lënë vendin besimit dhe kënaqësisë e të qenit i zoti, tek fëmija.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.