Këshilla & Arsye

February 8, 2019 | 9:43

Nga Lira Gjika / Komunikimi i qetë është mënyra e duhur për të rritur fëmijë të suksesshëm

Dy dialogët më të rëndësishëm në jetën e një fëmije janë: dialogu prind- prind dhe dialogu prind-edukatorë apo mësues. Dialogu i qetë ndërmjet të rriturve i mëson dhe i mundëson fëmijës qetësinë dhe butësinë që ndikon në formimin e mekanizmave cilësorë psikoemocional.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ai kupton që të rriturit e kanë në qendër të vëmendjes si prindërit në shtëpi po ashtu edhe edukatorët e mësuesit. Ata, të rriturit komunikojnë qetësisht me njëri-tjetrin dhe përpiqen të gjejnë mënyrat e duhura që të ndihmojnë fëmijën dhe jo ta lënë vetëm në konfuzionin që i provokon të qenit i parritur. Dialogu i prindërve me njëri-tjetrin për fëmijën e tyre, është një nga mënyrat më të shëndetshme për të qetësuar dhe ndihmuar fëmijën të brendësojë njerëzoren.

Ky dialog merr një vlerë edhe më të madhe e të rëndësishme në “moshën e vlerave” që përkon me periudhën 6-11 vjeç, kur mësohen vlerat e sendeve, fjalëve dhe veprimeve. Fëmijët e kësaj moshe e përjetojnë këtë dialog midis të rriturish si harmoni dhe mirëqenie, ose frikë dhe shkatërrim. Kini kujdes, dialogu ku njëri urdhëron dhe tjetri nënshtrohet dhe që zhvillohet me atë zërin e lartë, gati kërcënues e të hidhur nuk është dialog.

Dialogu tjetër po kaq shumë i rëndësishëm në këtë moshë, ai prind edukatorë dhe mësues, ku të dyja palët diskutojnë me seriozitet për të njohur sjelljen e fëmijës që të mund të bëjnë më të mirën për të lehtësuar konfuzionin që mosha krijon. Por jo ai dialogu që tregon të metat e fëmijës, që zhvillohet nëpërmjet etiketimeve, akuzave dhe padurimit. Flitet për një dialog midis të rriturish që përpiqen të gjejnë mënyra për të kuptuar e ndihmuar fëmijën. Dialogu ku të dy palët, janë të vetëdijshëm se një fëmijë që sillet “keq”, në fakt po kërkon ndihmë nga të rriturit që ta ndihmojnë për të shpëtuar nga vështirësia apo mërzia që ndjen se nuk ia del dot i vetëm.

Këto dy dialogë për fëmijën kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Është modeli se si të rriturit në dy institucionet më të rëndësishme për të, familja dhe shkolla ndërveprojnë e sillen me njëri-tjetrin. Dy institucionet, ku prindërit në një anë dhe profesionistët nga ana tjetër e ndihmojnë atë të bëhet ashtu siç ëndërron, i zoti dhe i mirë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top