Nuk ka vrasje më të keqe të shpirtit të një fëmije se sa kur fëmija e kthen të qeshurën në sjellje.
Shpesh ndodh, që të rriturit, duke filluar nga prindërit, të tregojnë ngjarje ku janë sjellë shëmtuar apo keq si me veten, me të tjerët dhe sidomos, me fëmijën dhe qeshin gjatë gjithë kohës, ndërsa tregojnë ngjarjen. Ata harrojnë, që në momentet kur është zhvilluar ngjarja ai apo ajo, ka qenë në kulm të nervozizmit dhe nuk kontrollonte as veprimet, as fjalët dhe as veten. Tani, që ka kaluar, qesh dhe i bën edhe të tjerët për të qeshur.
Fëmija, që është dëshmitari i të dyja situatave kujton se kështu duhet të sillet edhe ai. Dhe kur ai, fëmija, bën një veprim, që të rriturit nuk e duan apo acarohen, ai qesh e qesh, sa i rrituri e humb durimin dhe ndodh që edhe e dhunon fëmijën si emocionalisht po edhe fizikisht. Fëmija hutohet dhe nuk di si të sillet dhe si të menaxhojë situatën.
Shpesh, shpërthen në të qara, godet, apo stepet në një qoshe deri sa të rriturit “ti bien nervat”. Me të qeshurën fëmija përpiqet t’i kujtojë të rriturit që “qesh edhe ti, tek e fundit ti kështu bën kur gabon, i tregon duke qeshur gjërat”. Po të rriturit, as që i shkon në mëndje, se ai është modeli, ai ja ka mësuar, që të “qeshë kot” edhe kur nuk i vjen për të qeshur.
Nuk i shkon në mënd të rriturit, që e ka detyruar fëmijën ta kthejë të qeshurën në sjellje. E ka detyruar fëmijën, që të mos dijë të qeshë dhe e gjithë kjo sepse i rrituri përton të mendojë e të njohë pozicionin e vet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.