Loja është e zakonshme tek kafshët sociale dhe që kanë fëmijëri të zgjatur, në këtë grup përfshihet edhe njeriu, i cili ka fëmijërinë më të gjatë. Biologët e përcaktojnë lojën si një moment, në të cilin këlyshët e vegjël, vënë në praktikë “një kompetencë, e cila në vetvete, është e nevojshme edhe pse nuk çon menjëherë në një rezultat të nevojshëm”.
Të vegjlit e kafshëve, që kanë fëmijëri të zgjatur dhe natyrisht edhe i vogli i njeriut, kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke luajtur. Por çfarë kuptojmë me lojë? Këtë pyetje ja ka drejtuar vetes një nga psikologet më në zë sot Alizon Gopnik, profesore në University of California, Berkeley. Ajo vazhdon- çfarë kanë të përbashkët “loja gjasme” loja që ne e quajmë “shtëpiash”, loja me “kukulla”? Cili është element i padukshëm që lidh fëmijën me kukullën apo macen me topin prej leshi që e kafshon vazhdimisht? I referohet përsëri biologëve dhe studimeve e konkluzioneve të tyre të fundit.
Ata thonë: loja nuk është punë, loja është argëtim. Foshnja gjashtë muajshe qesh kur luajnë me të duke bërë ku-ku apo duke mbyllur sytë. Po e njëjta gjë ndodh edhe me kafshët. Loja gjithashtu nuk është si pulsionet bazale, p.sh, uria apo etja dhe i ftohti. Edhe në natyrë kafshët që janë të uritura nuk luajnë. Vetëm kafsha që i ka të siguruara nevojat jetësore, luan. Pra loja ashtu si fëmijëria është e varur direkt me sigurinë dhe besueshmërinë e mjedisit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.