I rrituri duhet të plotësojë ato kërkesa dhe dëshira të fëmijës, të cilat i duken të drejta dhe të plotësueshme. Dëshirat nuk i plotësohen fëmijës, sepse ai qan, kjo është shumë e gabuar. Kur mendoni se dëshira apo kërkesa mund të plotësohet, atëherë plotësojani sa më shpejt, jo pasi fëmija, insiston, qan apo bën sjellje të tjera imponuese dhe ju prindër, që humbni durimin dhe ja plotësoni.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre
Kjo mënyrë është e dëmshme, sepse realizohet nëpërmjet padurimin tuaj dhe faktit, që të shpëtoni nga kjo gjendje acaruese, që fëmija ju provokon. Kur nuk keni ndërmend ta plotësoni dëshirën apo kërkesën, duhet të jeni të vendosur. Ju duhet ta përballoni me butësi fëmijën tuaj duke i dhënë të drejtë në mërzinë e tij. Fëmija kur kupton se nuk ka lëkundje apo nervozizëm, e pranon situatën dhe qetësohet.
Ka raste që ju doni ta plotësoni dëshirën apo kërkesën, por jo menjëherë siç kërkon fëmija, ju mund të veproni edhe në këtë mënyrë: duke i thënë fëmijës, që do ja plotësoni dëshirën për ditëlindje, apo për vitin e Ri. Kjo është një mënyrë e mirë për të kultivuar durimin, por edhe, që dëshirat apo kërkesat, nuk plotësohen menjëherë, apo kur qan. Madje kur qan humbet “pikë” dhe mund të shtyhet plotësimi i dëshirës.
Plotësimi i dëshirave dhe kërkesave të fëmijës, duhet të jetë edukues dhe jo “mundje” ndërmjet të rriturit dhe fëmijës, se kush do të fitojë. Edhe një gjë tjetër, mos i mbytni me lodra të kota fëmijët, sepse ja zhvleftësoni edhe dëshirën edhe lodrën, i ktheni në “sende” pa vlerë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.